Edukim dhe dashuri – rruga e gjatë dhe e mundimshme

Nga Hektor Çiftja*

Ekzistojnë dy këndvështrime, dy qasje të cilat evokohen, edhe pse mjerisht në mënyrë sipërfaqësore sa herë që shtrohen për diskutim temat e marrëdhënieve midis fesë, shoqërisë, shtetit dhe demokracisë: këndvështrimi i parë është rëndësia e edukimit në kuptimin më të gjerë, të edukimit edhe si politike. Nga ana tjetër është rëndësia e moralit si kategori filozofike në veprim, e cila duhet të udhëhiqet nga njohja dhe mbështetja te Zoti si vlerë supreme dhe që është e përbashkët dhe e mirëpranuar nga të gjitha fetë e mëdha monoteiste. Është shkujdesja në zbatimin praktik dhe të përditshëm, apo mungesa e rigorozitetit në ndjekjen e parimeve të larta të moralit në veprim, e përzier me një kapërcim të papeshuar sa duhet të kufijve të vagullt midis kritereve që rrjedhin nga parimet e laicitetit nga njëra anë, dhe shkarjes me ose pa vetëdije në qëndrimet ateiste një nga faktorët, sipas mendimit tim, që minojnë marrëdhënien e duhur midis fesë, demokracisë, shtetit dhe shoqërisë. Këto marrëdhënie do të ishin shumë më pak problematike nëse do të udhëhiqeshin dhe rregulloheshin, më së paku, nga parimet e citizenship, që në gjuhën shqipe me shkujdesje e kam përkthyer qytetari por që nënkupton sjelljen dhe pritshmëritë që burojnë nga të qenit shtetas i vendit tënd, por edhe qytetar i botës.

Në këndvështrimin e parë, atë të rëndësisë së edukimit, do të citoj një nga autorët e mi të preferuar, profesor Arshi Pipën, i cili në traktatin e tij filozofik “Skicë mbi konceptimin e jetës” thotë:

“Çdo njeri është i aftë të jetë i virtytshëm, dikush për hir të një prirjeje të natyrshme, dikush tjetër për hir të edukimit. Të parin duhet ta udhëheqësh, të dytin ta riformosh ose ta ndryshosh. Unë i besoj edukimit, madje (e theksoj), duke e bërë edukimin, në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit, por vetë moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv, si pedagogji dhe si politikë. Dhe më shkurajon fakti se ligësia është aq e madhe në botë, saqë edukimi nuk merr shumë pah. Unë e di se njerëzimit i janë dashur miliona vjet që të bëhet kështu siç është: një përzierje e së mirës me të keqen – ku mbizotëron kjo e fundit- dhe se edukimi nuk mund ta gërryejë kaq lehtë bërthamën e tij: se duhet kohë, shumë kohë, për të zhbërë e për të ribërë çka është bërë më parë; se, nga si është tek si duhet të jetë, është një rrugë e gjatë, dhe frytet e edukimit piqen vonë, ashtu si ato të pemës së ullirit. Por që edukimi është i efektshëm, që ai mund ta riformojë njeriun, që mund, në mos ta çrrënjosë, të paktën të bëjë që të heshtë tek ai kafshëria, kjo është fare e qartë – dhe vetëm një shpirt i zymtë, i mbytur nga pesimizmi i pashërueshëm, mund ta vërë në dyshim. Mjafton të vërejmë se ka popuj, kombe të tërë, të cilët qysh tani janë zhvilluar në atë pikë, moralisht dhe politikisht, saqë përbëjnë krenarinë e species. Ne edukojmë kafshët, i bëjmë shtëpiake, i zbusim dhe i bëjmë inteligjente: a nuk do të mund të edukonim veten tonë? Vetëm kush e vlerëson veten më poshtë se një kafshë mund të mos ketë besim tek edukimi”[1]

Rëndësia e edukimit të udhëhequr nga morali filozofik na çon të kërkojmë një faktor të rëndësishëm rregullator te politikat arsimore, por edhe në organizimin e qendrave studimore universitare si dhe, me shumë rëndësi, aplikimin e studimeve në shkencat humane në terrenin praktik të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe, por jo vetëm, të kurrikulave dhe të teksteve të arsimit parauniversitar.

Pa diskutim që është e qartë dhe e dukshme që në vendet perëndimore ka një situatë krize sa i përket departamenteve universitare në shkencat humane, edhe për shkak të qasjes për t’i monetarizuar këto departamente ose për t’i parë me syrin sesa fitimprurës janë financiarisht për institucionet universitare, një qasje që favorizon dhe i mëshon studimit dhe përvetësimit të teknologjisë dhe të bizneseve, por që po rrezikon të krijojë breza të tërë që mendojnë se historia dhe kultura janë thjesht çështje që lidhen me teknologjinë dhe biznesin, dhe jo me kuptimin e mirëfilltë dhe vlerën që ato mbartin. Janë pikërisht këto qendra të kërkimit shkencor në shkencat humane të cilat e përcjellin mendimin e tyre në auditorë universitetesh dhe e përkthejnë këtë mendim në aksion konkret. Në rastin e vendit tonë, një mendim i prodhuar nga këto qendra universitare, një mendim i udhëhequr nga kriteri i moralit si koncept filozofik, si edhe nga skrupuloziteti i të vërtetës shkencore ai që do t’i printe rregullimit të normave të citizenship, si norma të zbatuara në situata konkrete, dhe sidomos në nivele të strategjive.

Duke cituar Sarah Churchwell, një profesoreshë në Britaninë e Madhe perifrazojmë se jo gjithçka që është e vlefshme duhet monetarizuar. Universitetet janë mbrojtësit e shekujve të tërë të diturisë, kuriozitetit, frymëzimit. Edukimi nuk është një mall konsumi, por është një shndërrim sasior. Nuk mund të gjykohet arsimi thjesht si një gjë që shitet apo transferohet. [2] Me fjalë të tjera, qasja ndaj qendrave të kërkimit shkencor që merren me shkencat humane në Shqipëri nuk duhet ta ketë zanafillën te monetarizimi, por këtyre qendrave duhet t’u jepet mundësia dhe të orientohen studimet drejt strategjive të edukimit në nivel ndërinstitucional. Këto studime do të orientonin të gjithë faktorët që lidhen me konceptimin dhe zbatimin e vlerave të citizenship në kontekstin e vendit tonë. Në këtë pikë, e fundit por jo më pak e rëndësishmja është që produkti i këtyre studimeve të merret në konsideratë për t’u vënë në zbatim (nuk mund të mos më vijë në mendje në këtë rast një propozim i menduar mirë  nga një institucion shumë serioz për futjen në sistemin e arsimit tonë parauniversitar të edukimit mediatik si lëndë, një propozim që vazhdon të mbetet në sirtar).

Faktori i dytë që përmenda në paragrafin e parë është pranimi i Zotit si vlerë supreme dhe orientuese. Dhe këtu, në mënyrë absolute nuk jam duke inkurajuar asnjë prej religjioneve apo komuniteteve fetare, dhe as duke dashur të propagandoj ndonjë ide.  Thjesht nuk mund ta kuptoj  që, në kuadrin e radikalizmave nga më të ndryshmit dhe padyshim nga më të dëmshmit, diskutimi mbi raportin midis fesë, shoqërisë, shtetit dhe demokracisë të ndotet me elementë të ateizmit. Padyshim që laicizmi është një vlerë e jashtëzakonshme që duhet ruajtur, promovuar dhe zbatuar në të gjitha rastet, por debati mjegullohet nga një kufi lehtësisht i kapërcyeshëm midis laicizmit dhe ateizmit. Këto dy gjëra duhen parë të ndara, sidomos për sa kohë ateizmi, në praktikën juridike nuk ka fituar statusin e përafërt ligjor me atë të komuniteteve fetare.

Por të gjitha fetë monoteiste në Shqipëri bien dakord në gjërat themelore. Edhe këtu po i referohem Arshi Pipës i cili thotë:

 “Mistiku i madh Kristian Echhart, duke komentuar thënien e Shën Agustinit”, thotë se njeriu është ajo që ai dashuron:“Nëse ai dashuron një gur, është gur, nëse ai dashuron një njeri, është njeri, nëse ai dashuron Zotin – nuk guxoj të vazhdoj, se, po t’ju thosha atëherë ai është Zot, ju do të më varrosnit me gurë”[3][4]

Ajo që  dua të ve në dukje është rëndësia e edukimit si një rrugë afatgjatë e cila si strategji dhe politikë duhet të orientohet nga koncepti i mbarëpranuar i Zotit si dashuri dhe si vlerë supreme.

Disa konstatime

Radikalizmat e dhunshëm, përveçse janë të jashtëligjshëm dhe antisocialë, kanë një material ushqyes dhe një pjesë e këtij materiali ushqyes e gjejnë në pakujdesitë e sistemit tonë. Kështu fjala vjen nuk e kam kuptuar asnjëherë pse është e nevojshme që fëmijëve në arsimin parauniversitar t’u flitet për teorinë e evolucionit, dhe të mos lihet kjo temë për t’u trajtuar gjerë e gjatë nëpër auditore universitetesh; përse në shkencat humane, por edhe në shkencat e natyrës nuk i mëshohet të vërtetës shkencore si vlerë e cila të jepet mësim në një qasje cross-curricular, por vjen në një pozicion krejtësisht të parëndësishëm  krahasuar me vlerat e tjera të pretenduara si të gatuajmë pilaf apo si të shkruajmë një telegram; përse në preambulën e një prej varianteve të kushtetutës së shtetit Shqiptar bëhen formulime naive të tipit “kjo kushtetutë bazohet në vlerat e Zotit, por edhe në vlera të tjera”; përse himni ynë kombëtar  vargjet “…se Zoti ve’ e tha me gojë” nuk këndohen asnjëherë e shumë të tjera si këto.

Në përmbyllje

Edukimi është shërues afatgjatë për një sërë sëmundjesh të shoqërisë demokratike dhe të tregut të lirë. Ky proces edukimi duhet të orientohet nga parimet më të larta morale, dhe sipas mendimit tim, pjesë e kësaj parmshëmrie duhet të ishte ndarja e qartë midis laicitetit dhe ateizmit. Nëse do t’i jepnim rëndësinë e duhur edukimit si strategji dhe politikë, dhe ky edukim do të orientohej nga konceptet e moralit si kategori filozofike e zbatuar në praktikë, atëherë me siguri do të korrigjonim një nga defektet e sistemit tonë, defekte të cilët u japin armiqve të shoqërisë dhe demokracisë ushqim për prapësitë e tyre.

Së fundi dëshiroj ta mbyll me një citim tjetër nga Arshi Pipa:

Virtyti mësohet, kjo aksiomë sokratike është një nga gurët themelorë të stoicizmit, sepse virtyti është përfundimisht shkenca. Duhet të kultivojmë shkencën, duhet ta edukojmë njerëzimin me virtytin: arsyeja është e të gjithëve dhe përpara saj çdo ndryshim race ose kombësie, zakoni ose feje, duhet të zhduket. Solidariteti njerëzor është detyrë. [5] dhe po aty  “jeta është luftë, morali është fitore”

——————————-

[1] Pipa, Arshi “Skicë e një konceptimi për jetën, plotësuar me “mbi gjeniun”-Botimet “Princi”-Tiranë 2011, fq 139

[2] what some of us are fighting for is the principle that not everything that is valuable can or should be monetised. That universities are one of the custodians of centuries of knowledge, curiosity, inspiration. That education is not a commodity, it’s a qualitative transformation. You can’t sell it. You can’t simply transfer it.” (https://www.theguardian.com/education/2015/mar/29/war-against-humanities-at-britains-universities) nxjerrë në datë 27 Prill 2018

[3] what some of us are fighting for is the principle that not everything that is valuable can or should be monetised. That universities are one of the custodians of centuries of knowledge, curiosity, inspiration. That education is not a commodity, it’s a qualitative transformation. You can’t sell it. You can’t simply transfer it.” (https://www.theguardian.com/education/2015/mar/29/war-against-humanities-at-britains-universities) nxjerrë në datë 27 Prill 2018

[4] Pipa, Arshi “Skicë e një konceptimi për jetën, plotësuar me “mbi gjeniun”-Botimet “Princi”-Tiranë 2011, fq 86

[5] Pipa, Arshi “Skicë e një konceptimi për jetën, plotësuar me “mbi gjeniun”-Botimet “Princi”-Tiranë 2011. fq 165

——————————–

* Departamenti i Letërsisë dhe Gazetarisë, Universiteti “A. Xhuvani” në Elbasan

 

Advertisements