Ndikimi i fesë në forcimin e identitetit te shqiptarët

Nga Laert Miraku *

“Askush s’mund ta kuptojë njerëzimin pa kuptuar së pari fenë e tij…, sepse feja përfshin jetën e njeriut prej kohës më të lashtë”.

Një pjesë e njerëzve nuk e kanë aspak problem që t’u flasin masave për fenë duke e shkëputur atë nga gjeneza. Feja dhe besimi nuk janë një koncept abstrakt që mund të kuptohet dhe të ketë vlerë i shkëputur nga njerëzimi. Që të mund të shpjegojmë fenë dhe ndikimin e saj fillimisht duhet të sqarojmë se si duhet ta kuptojmë identitetin e njeriut dhe se si ka ndikuar tek ai besimi.

Është e udhës të dimë se identiteti fillestar i Ademit i dhënë në fillim të krijimit të njerëzimit, është shumëzuar në identitete të shumta etnike, gjuhësore e racore.

Gjithçka është bërë me qëllim që identitetet të pasurojnë njohjen e njeriut, ta bëjnë më të begatë jetën njerëzore. Por në asnjë mënyrë që këto identitete nuk duhen parë si diferencime për konfliktualitete, aq më keq për asimilime të dhunshme.

Rrugëtimi i identitetit shqiptar

Tashmë është një standard të thuhet se populli shqiptar është njëri nga popujt më të vjetër të Gadishullit Ilirik dhe të Evropës dhe kjo është normë edhe në librat e historisë.

Nuk vihet aspak në dyshim kur themi se populli shqiptar ka një identitet të vetin në aspektin e gjuhës, të territorialitetit dhe të etnopsikologjisë, marrë në kuptim të gjerë. Por, duke qenë një popull i lashtë, pa dyshim ka edhe vështirësi të mëdha për dokumentimin me fakte konkrete materiale të periudhave të hershme të ekzistencës së vet.

Në historinë tonë mund të hetohen disa shtresime të identitetit kulturor e kombëtar shqiptar, që kanë ardhur si rezultat i fateve dramatike, të përpjekjeve për mbijetesë e për zhvillim brenda një identiteti kulturor e kombëtar të veçantë, në statusin e të qenit popull i pushtuar gjatë dy mijëvjeçarëve.

Shumica e fakteve të ditura dëshmojnë se shtresimet e identitetit kulturor e kombëtar shqiptar, më shumë janë pasoja të gjendjeve të pushtimeve të gjata se sa të zhvillimit normal.

Kjo do të thotë se shumë herë është fjala për imponime të vlerave nga jashtë, më shumë me dhunë e më pak si rezultat i një procesi normal kontaktesh ndërmjet popujsh e kulturash që formësohen në vijimësi të ekzistencës e të zhvillimit historik.

Rrjedhimisht, ato shtresime identitetesh, në shumë raste janë të paharmonizuara njëra me tjetrën, madje edhe të konfrontuara, ashtu sikundër ka qenë edhe gjeneza e tyre. Ndoshta në këtë kontekst edhe është rasti të mendohet për një çast për atë lehtësi me të cilën shqiptari i dikurshëm po edhe ky i sotmi është konvertuar e konvertohet në identitete të tjera gjuhësore, fetare, kulturore e kombëtare, si bizantinë, sllavë, turq, arabë, grekë, italianë e madje edhe në serbë e në rusë, ku këto entitetet e fundit janë edhe si raste të shëmtuara të kësaj prirjeje në ditët tona.

Duket se në rastet e sotme të konvertimeve të tilla, kaq të panatyrshme, aktivizohet ndonjë shtresë e atyre identiteteve të dikurshme, të lëkundura në themele. Në këtë kohë nuk ka raste të tjera në Evropë, që një komb të manifestojë prirje të konvertimit të lehtë të identitetit administrativ si shqiptarët.

Po t’i referohemi studiuesit dhe gjuhëtarit Eqrem Çabej, ai na mëson se në identitetin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve, si njëfarë vetëpërcaktimi në nivele të përcaktimit të prejardhjes, është injektuar një dozë e identitetit antik ilir. Profesori me siguri anashkalon në këtë rast ndikimin e fesë, kjo me siguri është bërë për të qenë në rregull më regjimin ku ka jetuar ose është redaktuar nga korrektorët ideologjik të kokës.

Duhet theksuar se ndjenja fetare është instinkt i natyrshëm i njeriut dhe ai u shfaq që nga kohët më të lashta. Por hulumtimet dhe studimet e fesë tek ne janë ende në shkallën fillestare. Aty-këtu kemi ndonjë vlerësim më tepër në nivel intuitiv, sipas njohurive të pakta dhe sipërfaqësore, shpeshherë edhe të ngarkuara me përcaktime e vlerësime ideologjike, politike e fetare, pa ndonjë shqyrtim ndërdisiplinor dhe shkencor.

Kjo edhe sot e vështirëson vlerësimin fetar të popullit shqiptar, në këtë gjendje të ndërlikuar politike, ekonomike, sociale, kulturore e fetare. Vlen të theksohet se ndër shqiptarët deri më tash bartëset e vetme të jetës fetare janë bashkësitë fetare, qofshin ato islame apo të krishtera.

Institucionet e tjera kombëtare deri tani nuk kanë treguar ndonjë interesim të veçantë ndaj fesë dhe avancimit të saj. Për këtë arsye, vetiu shtrohet pyetja: Çfarë roli a rëndësie ka pasur dhe duhet të ketë feja te populli shqiptar? Kjo duhet parë nga shumë këndvështrime, pikësëpari nga ai historik, sociologjik, psikologjik, kulturor dhe moral. “Askush s’mund ta kuptojë njerëzimin pa kuptuar së pari fenë e tij…, sepse feja përfshin jetën e njeriut prej kohës më të lashtë”.

Të dhëna për rolin e fesë te shqiptarët

Kur flasim për fenë besoj se të gjithë biem dakord se ajo ka luajtur rol pozitiv gjatë historisë së shqiptarëve. Për këtë, meritë të veçantë kanë prijësit e fesë, të cilët ishin në nivel të misionit të tyre dhe nuk lejuan keqinterpretimin e parimeve fetare.

Bashkëjetesa dhe shqiptarëve me besime të ndryshme, e verifikuar ndër shekuj, me një ekumenizëm dhe dialog shembullor, është shtyllë e qytetërimit shqiptar. Multikonfesionaliteti është një proces i përfunduar historik, prandaj shqiptarët evropianë nuk kanë drojë se mund të ballafaqohen me “thyerje” të reja dhe “konvertime” fetare.

Fundja, për shqiptarët trikonfesionaliteti paraqet një begati të trashëgimisë shpirtërore dhe mendore. Nuk mund të mohohet roli i kulturës kristiane në krijimin dhe ruajtjen e individualitetit shqiptar të kulturës dhe gjuhës, siç nuk mund të mohohet roli i kulturës islame në ruajtjen e qenies kolektive shqiptare.

Prandaj, përkatësia fetare tradicionale ndër shqiptarët duhet konsideruar si vlerë qytetëruese, kulturore, por edhe kombëtare, e cila duhet kultivuar e avancuar në të gjitha shtresat e popullatës dhe për këtë kontributin e tyre duhet ta japin të gjitha institucionet tona kombëtare.

Nuk ka dyshim se sundimi gjysmëshekullor komunist te shqiptarët dëmtoi në një masë të madhe çështjen fetare. Për këtë shkak, me fillimin e procesit të demokratizimit të saj, aty nxituan misionarë nga të gjitha anët e botës, sepse mendonin se Shqipëria ishte terren i përshtatshëm për përhapjen e propagandës fetare, sepse aty shqiptarët e në mënyrë të veçantë rinia, kishin humbur identitetin fetar gjatë periudhës së diktaturës së regjimit komunist, i cili bënte shpëlarjen e trurit nga besimet fetare, duke edukuar popullin në frymën ateiste.

Feja është trajtuar si formë e vetëdijes konservatore e reaksionare, si “opium për popullin” dhe si e tillë, është luftuar në mënyra të ndryshme, duke varfëruar shpirtësinë e njeriut

Në gjurmët e identitetit fetar të shqiptarëve?

Në këtë punim vlen të theksohet se shqiptarët gjatë historisë së tyre të gjatë nuk kanë treguar ndonjë lloj fanatizmi të tepruar për përkatësitë e tyre fetare. Ata tradicionalisht ishin tolerantë në aspektin fetar. Këtë e kanë vërtetuar edhe shumë autorë të huaj, të cilët janë marrë me çështjen shqiptare. Ky realitet vihet në pah edhe në kohët e sotme.

Njeriu për bazë duhet të ketë fenë dhe kombin e tij. Feja garanton rrugëtimin e drejtë dhe harmoninë e jetës materiale dhe shpirtërore. Kurse kombi stabilizon qëndrimin gjithëpopullor, neutralizon grindjet eventuale brenda shoqërisë me ideale të ndryshme.

Shumë popuj kanë arritur të bashkojnë forcat dhe në sajë të bashkimit të tyre kanë arritur rezultate. Por shumë prej tyre janë zhgënjyer ngase nuk kanë qenë tok dhe të një fjale. Këta të dytët janë mbështetur në projekte të huaja dhe kështu janë viktimizuar.

S’do mend se projektet e huaja kënaqin vetëm disa klane të vogla të atij populli, kurse pjesa tjetër ruhet për ata që përpilojnë projektet. Populli që nuk nxjerr projekte të vetat, vonë do të kuptojë se ata “miq” që i vardisen mundohen për të “mirën e tyre”.

Të qenët në një pozicion gjeografik dhe qytetërues të urës lidhëse ndërmjet Perëndimit e Lindjes, do të duhej të shndërrohej në një favor për kombin shqiptar në proceset e ardhshme të integrimeve globale.

Shumë pak para arritjes në vendin e synuar ose të paralajmëruar nga të huajt, kemi vërejtur se paskemi qenë të zhgënjyer thellë. Ndjenja për liri nuk shuhet kurrë, ajo buron në vetë qenien e njeriut, sepse Zoti e krijoi atë të lirë, prandaj gjithmonë njeriu gjen forca të reja për të arritur deri te synimi. Nëse ne nuk e forcojmë identitetin tonë fetar e kombëtar, jemi në krizë të vazhdueshme.

————————-

* Doktorant, Universiteti i Tiranës, Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit

Advertisements