“Frika” (nga një e mirë e përbashkët ) për një Shqipëri Europiane!

Nga Elidon DODAJ*

“Mirëkuptimi dhe bashkëjetesa fetare brenda vendit tonë ka krijuar ndër vite një mozaik të bukur të diversitetit.” – kështu nis deklarata më e fundit e Komuniteteve Fetare në Shqipëri. Në fakt prej shekujsh, por më së paku në këto tre dekadat e fundit është folur e debatuar mbi dukurinë e “mirëkuptimit dhe bashkëjetesës”, shpesh mund të themi edhe anashkaluar nga vetë historia si të vërteta të patjetërsueshme. Gjithsesi vlen të përmendet se sot, pas shumë vitesh, pikërisht pas asaj që historia i është referuar “Rënia e Murit të Berlinit”, liria e munguar ka triumfuar dhe si e tillë, tashmë, secili ecën sipas asaj që është thirrur të mbijetojë.

Komunitet fetare si pararojë e qytetërimeve, dogmat e të cilava kanë reflektuar shumë në organizmin shoqëror, me rënien e regjimit diktatorial në vend shfaqen në mënyrë të përbashkët dëshirën e të qenurit kudo për të mirën e shqiptarëve që kishin kaluar një traumë jo të vogël socio-emocionale e shpirtërore nën shtypjen e diktaturës.
Kishin humbur mbi të gjitha shpresën, pra shpirtëroren, e cila ndër shekuj kishte qenë një fanar ndriçues për organizimin e jetës.

Pse “ka” frikë Evropa prej nesh?

Kjo është pyetja që i shtroj vetes çdo dalje jashtë Shqipërisë dhe mbërritje para një poste kontrolli policor evropian. I nënshtruar nga rregullat për të qenë i ndryshe nga të tjerët, përpos dëshirës për të qenë një qytetar i denjë dhe me frymë evropiane siç jam e dëshiroj që të jetë çdo qytetar i vendit tim. Emri dhe fytyra ime gjithmonë do të ndalojnë frymën e policit të radhës, hiq e vër syzet, po pse jo edhe sa euro ke me vete…? E lodhshme dhe e bezdisshme për secilin prej nesh, edhe pse rregulla që duhen zbatuar. E gjitha kjo pas atij shtatori të famshëm apo të tmerrshëm diku në qendrën e Nju Jorkut, ku mori hov edhe mijëvjeçari i ri. Krejtësisht ndryshe nga çfarë prisnim – një rend i ri i nisur mbrapsht aspak jubilar. Gjithsesi, sot më shumë se kurrë, secili prej nesh, përtej asaj çfarë përfaqësojmë, është i përfshirë. Evropa nuk e sheh më atdheun tonë si një bombë përtej emigrimit masiv të shtresave në nevojë. Shqiptari i kudondodhur përfaqësohet denjësisht sipas kategorisë së tij. Besimi, ndonjëherë jo shumë i rëndësishëm, shërben edhe si pikë referimi për të vënë në dukje origjinën. Evropa e krishterë apo e diversitetit, e njeh shumë mirë shqiptarin e identifikuar më lloj-lloj nofkash këtu në lindjen e saj.

Ndërkohë që policët e doganave bëjnë punën e tyre, këto ditë disa miq të mi gjermanë që po vizitojnë Shqipërinë, në kuadër të asaj çfarë ka ndryshuar ndër vite, ishin të interesuar më së shumti për bashkëjetesën tonë, e sidomos kur dëgjohet shpesh se rrjetet sociale bombardohen nga mesazhe atipike, që nxisin (urrejtje) si e si që të shihet niveli e të maten nervat e shqiptarit! Mes dhëmbëve do të dëgjosh prej tyre se këta janë ata që duan destabilitetin tonë dhe nuk duan të pranojnë realitetin evropian të shqiptarit pavarësisht përkatësisë së tyre fetar.

Gjithsesi asambleja e madhe rreth tryezash shqiptare përpëlitet të thotë se jemi vendi ku toleranca ka mbizotëruar mbi çdo gjë; në fakt janë mirëkuptimi dhe bashkëjetesa që na bën të jemi krenar dhe shumë pranë njëri-tjetrit. Se shembuj të tillë gjejmë kudo. Deri para se Palestina dhe Izraeli të nisnin ofensivat mes tyre të krishteret ishin miqtë më të mirë të të dy kaheve. Në Damask e Alepo të krishterët respektoheshin dhe mbizotëronin qytetet… Po sot? Bosnja mburret për bashkëjetesën, shqiptarët thonë se jemi të vetmit që mirëkuptohemi dhe bashkëjetojmë… Edhe në Liban thuhet një gjë e tillë! Por, Evropa çfarë po mendon akoma?

A duhet një indiferentizëm edhe nga Evropa siç edhe ne e kemi me njëri-tjetrin?

Dikush qeshi – ishim në tryezë duke diskutuar me miqtë gjermanë (që u bënë shkak i këtij shkrimi), po, po, u dëgjua zëri “se ne jemi popull indiferent, lëri tolerancat e të tjerat, thjesht indiferentizëm”. – A duhej ta përktheja këtë pjesë apo jo?! Sa e vështirë, si Evropa? Pashë pak rreth e rrotull se mos ndoshta edhe unë isha pjesë e asaj tryeze, por jo. Ishte një grup të rinjsh, duhet të ishin kryesisht studentë që po diskutonin për fenë dhe sapo ishin kthyer nga pushimet. Së pari m’u bë qejfi sepse po dëgjoja më në fund një bisedë në një kafe, ku flitet seriozisht si grup të rinjsh, larg leksioneve e diskutimeve klishe. Heshta për një çast sepse mendova mos kap ndonjë fjali tjetër, ndoshta profesioni na e ka mësuar që duhet të jemi të vëmendshëm dhe të dëgjueshëm deri në fund.

Të rinjtë diçka kishin kuptuar. Kishin kuptuar se besimet fetare luajnë një rol shumë të rëndësishëm në lëmin tonë të të jetuarit. Ndoshta si në hije, por në rang ndërkombëtar të parë me lupën e shikimit, si një oaz i cili nuk thahet kurrë. Mundet që ky indiferentizëm të jetë apo jo shenjë e së njëjtës mënyrë se si Evropa e sheh vendin tonë?

Së dyti pashë se biseda kishte marrë vrull dhe të rinjtë gjykonin, në fakt po gjykonin me teizmin e tyre kryesisht latant. Sepse edhe formimi fetar si në rang familjar dhe akademik lë për të dëshiruar. Feja është aq pak e rëndësishme në një shumicë qytetarësh të Shqipërisë. Përtej Zotit, çdo gjë tjetër është mbivlerësim. Pasojë e një të shkuare ateiste dhe pa Zot, mund të thonin të moçmit. Një harresë e detyrueshme dhe pa pikën e interesit sot. Dëgjova, kryqi, shamia, kisha, xhamija, bibla, kurani… sa shumë fjalë… Por, ajo që mbizotëronte ishte INDIFERENTIZMI. A thua është kthyer në kulturë? A thua të ndikojë në jetën e gjithsecilit prej nesh qofshin besimtarë apo jo? Hezitova t’u tregoja miqve të mi gjermanë. Por, e mbylla vetëm me këto fjalë: ne vuajmë “nga një e mirë e përbashkët”.

Marrëdhëniet ndërfetare dhe toleranca fetare në Shqipëri

Ato konflikte që përshkruhen si ‘konflikte fetare’ zakonisht kanë të bëjnë pak me fenë dhe aq më pak me doktrinën fetare – kështu do të shprehej Princi El Hasan bin Talal dy dekada më parë në asamblenë e përgjithshme të Konferencës Botërore për Fenë dhe Paqen të mbajtur në Amman, Jordani në nëntor 1999. Nxitur nga kjo shoh se marrëdhëniet ndërfetare dhe toleranca fetarë në vendin tona ndonjëherë i ka kaluar limitet e përtej thellimeve të njohjes teologjike. Paçka se sot edhe pse njohja nëpërmjet leximit dhe formimit ka arritur në nivelin e standardin e duhur, shumë syresh në mënyra të ndryshme gjejnë letër lakmuese që ta përdorin këtë marrëdhënie tolerance… Nëse vizitat e urimeve të festave fetare mes klerikeve i kemi pothuaj të shekujve të vonë, zërat tregojnë se shqiptari ia ka uruar njëri-tjetrit festën, edhe kur ekzistenca e klerit ishte inekzistence.

Kjo marrëdhënie e tolerancë nuk i mvishet drejtpërdrejtë klerikëve, por vetë popullit shqiptar, i cili me shumë finesë ka ditur ta ruaëj deri në limite trashëgiminë e pasur shekullore vëlladashëse. Por nëse kalojmë vetëm pak kufirin inekzistet dhe hyjmë në rrjetet sociale, blog dhe faqe interneti lajmesh kakofonia arrin kulmin. Sharjet dhe ofendimi janë komunikimi midis dy shqipfolësve që nuk kanë adrestar. Dikush mbron kombin, dikush pushtuesit tradicionalë, një tjetër mburret më identitetin e ri – kaosi komunikimi. Jo vetëm kaq, por diskutime që zaptojnë media me orë të tëra, duke thënë brockulla të cilat jo vetëm që ulin nivelin e kësaj marrëdhenieje dhe tolerance nderfetare por i japin asaj një imazh FAKE – po, tipike të asaj të FAKE NEWS sot.

Feja në arsim apo arsimimi fetar?

Dy vjet më parë mediat gëluan së shkruari e transmetuari me dhjetëra minuta intervista, dhjetëra faqe gazetash mbi nxitjen që disa nga komunitetet fetare në vend lëshuan për masat. Nëse kishte ardhur koha që fëmijët tanë të kishin një lëndë mësimorë mbi besimin fetar. Komunitetet nxituan me argumentet e tyre, kush pro e kush kundër. U pa edhe një fobi e lindur prej vitesh se dominimi i njërës do të zbehte tjetrën, e kështu me radhë. Në fakt ata që më pak u pyeten ishin njerëzit e thjeshtë, ata që përballen më së shumti me ndikimet që komunitet transmetojnë kryesisht te fëmijët e tyre, të cilët angazhohën në aktivitete rinore etj. Që secili komunitet e organizon pranë institucioneve të tyre. Tre komunitet më të vjetra nuk ranë asnjëherë dakord se për çfarë po bëhej fjalë. U shpenzuan orë të tëra mediatike, dhe gjumi letargjik zaptoi temën shumë të përfolur, madje deri edhe në arenën ndërkombëtare. Pati prej tyre që morën si shembull Evropën, u tha që atje fëmijët nëpërmjet etikës mësojnë dhe besimin.

Ndonëse pyetja kërkon një përgjigje, ndoshta një përgjigje që është marrë e rimarrë në shqyrtim prej shumë njerëzve, qofshin këta klerikë, akademikë e profesorë, njerëz të mirarsimuar e me botë të lirë. Feja, le të qëndrojë brenda mureve të institucioneve të veta. Ajo aty është më e mirorganizuar. Asnjë ndikim i jashtëm socialo – politik vështirë se do ta kapërcejë traun e saj. Ndërkohë në arenën arsimdashëse le të vlojë dija për shkënca dhe të mos ndalohet në asnjë mënyrë kundërshtimi. Atje ku ka darvinizëm aty ku edhe Zot. Nqs në kapituj të tërë në Biologji flitet për prejardhjen tonë, le të jetë Historia e shkuar me ftohtësi që tregon edhe besimin pa influenca dhe ngjarje por mënyrat e transmetimit të besimit dhe të dogmës në arenën globale e jo lokale shqiptare…

Arsimi fetar përpos që kërkon njerëz të mirarsimuar dhe larg besimeve konkrete dhe influencave fluide që më shumë do të përçonin konvertimin se sa informimin. Ky arsimim do ishte një urë kalimi mes asaj çfarë jemi dhe duam të jemi, por assesi të shfrytëzohet për të famshmin konvertim. Mbetet vetëm një dëshirë në sirtar edhe ky debat.

Kështu vijon – Deklaratë e komuniteteve fetare në Shqipëri, angazhimi i përbashkët për dialogun ndërfetar, Tiranë, 3 Maj 2018;

“Ne vlerësojmë komunikimin, si mjet për t’u njohur më nga afër me njëri-tjetrin, për ndërtimin e respektit të ndërsjellë, si dhe për shmangien e paragjykimeve. Për këtë arsye ne angazhohemi për sa më poshtë:

– Të zhvillojmë dialogun e jetës, duke inkurajuar anëtarët e komuniteteve tona, por edhe shoqërinë në përgjithësi të jetojnë në paqe dhe në fqinjësi të mirë, duke ndarë gëzimin dhe trishtimin, sfidat dhe shpresat me njëri-tjetrin.

– Të zhvillojmë veprimtari të përbashkëta për të mirën e shoqërisë, duke u angazhuar në iniciativa, sipërmarrje dhe projekte për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe nëpërmjet këtyre angazhimeve në të njëjtën kohë të ushqejmë harmoninë, tolerancën, bashkëjetesën, drejtësinë dhe paqen në komunitetet tona.

– Të ndërtojmë platformën e dialogut në nivel akademik, duke u njohur me vlerat shpirtërore të njëri-tjetrit, historinë e ndërsjellë dhe pikat e përbashkëta, me qëllim promovimin e frymës së dialogut dhe asaj vëllazërore brenda komuniteteve tona, duke shmangur çdo gjë, që mund të nxisë urrejtje dhe keqkuptime ndërfetare.

– Të zhvillojmë strategji të përbashkëta arsimore dhe edukative për të promovuar dhe ushqyer brezin e ri me vlerat e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar, për të parandaluar çdo forme manipulimi dhe instrumentalizimi të fesë në shërbim të interesave jofetare.

– Të promovojmë në arenën ndërkombëtare, me të gjitha mënyrat, vlerën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si një shembull i dobishëm për mbarë shoqërinë botërore, e cila në mënyrë të vazhdueshme përballet me sfidat e intolerancës dhe formave të ndryshme të konflikteve.”

Është detyrë më së pari e jona si qytetarë të këtij vendi, e çdo besimtari pa dallim, që të vërë në veprim në të mirë të gjithsecilit për një të mirë të përbashkët drejt asaj që quhet Evropë. Pjesë e të cilës gjeografikisht dhe fizikisht jemi e do të vijojmë të jemi në shekuj të shekujve.
——————–
*Drejtor i Caritas Dioqezan Tiranë – Durrës,  Doktorant, Universiteti i Tiranës