Elemente të kulturës islame në sferën gjuhësore të vendeve ballkanike

Nga Jolanda Lila*

Në gjuhët e ndryshme të vendeve të Ballkanit kanë depërtuar një numër i konsiderueshëm elementesh me burim nga gjuhët orientale: arabishtja, turqishtja dhe persishtja. Ky depërtim lidhet më përhapjen e qytetërimit dhe të kulturës islame në trojet e Ballkanit, kryesisht gjatë periudhës osmane (prej gjysmës së dytë të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX) dhe asaj pasosmane (nga viti 1918 deri më sot). Studimet bashkëkohore po hedhin dritë mbi shumë fakte shkencore që dëshmojnë ekzistencës e këtyre dijeve në Ballkan qysh prej zanafillës së kësaj feje. Ndonëse ndikimi nuk ka qenë në masën dhe intensitetin e periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan (vitet 1390 – 1914), megjithatë sërish ekzistojnë gjurmë e të dhëna që e faktojnë këtë prani, të cilat bazohen kryesisht në shkëmbimet e kontaktet në rrugë tokësore e detare ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Lindjes së Afërt, shkëmbime për qëllime politike, ekonomike etj. Pavarësisht periudhës kohore, apo intensitetit të marrëdhënieve ndërkulturore, kur flasim për shtrirjen e dijeve islame në Ballkan, kemi parasysh dy elemente kryesore:

Së pari, depërtimin e dijeve me natyrë fetare-teologjike, ku përfshihet Kurani, hadithi dhe jurisprudenca islame.

Së dyti, depërtimi i elementeve të kulturës së gjerë islame, por edhe i arritjeve shkencore të tyre. Kontributet e dijetarëve islamë u shtrinë në të gjitha vendet e botës, ku veçanërisht përhapje të gjerë gjeti strukturimi i sistemit shkollor, universitetet e para mesjetare arabe, bibliotekat, alfabeti, qendrat shkencore, kulturore etj.

Pra, islami solli një kulturë të re jo vetëm në besim, por edhe në botëkuptimin, në mënyrën e të jetuarit dhe të të krijuarit. Kultura e dijet islame manifestohen me mjete e forma të ndryshme, pasi janë shumë të larmishme si në aspektin lëndor, ashtu edhe në atë shpirtëror, por ne po shqyrtojmë disa elemente të kësaj kulture, konkretisht tiparet dhe specifikat e përhapjes në Ballkan të alfabetit dhe të disa aspekteve të tjera gjuhësore.

Alfabeti – Grafia e sistemit arab në gjuhët ballkanike

Civilizimi islam nuk ka ndikuar vetëm tek myslimanët, të cilët përbëjnë 17 % të popullsisë së Ballkanit, por edhe tek jomyslimanët. Këtë e ndeshim në çdo fushë të veprimtarisë, por veçanërisht në përdorimin e alfabetit, i cili lindi si domosdoshmëri për shumë popuj, të cilët donin të materializonin me germa kujtesën kombëtare. Kështu, bazuar në nivelin e shtrirjes gjeografike dhe në masën e përdorimit, alfabeti arab zë vendin e dytë në botë, pas atij latin. Përhapja e fesë islame është një nga faktorët kryesorë që e ka favorizuar shtrirjen e alfabetit arab në Ballkan. Një faktor tjetër i kësaj përhapjeje të gjerë, lidhet me faktin se, disa popuj ballkanikë nuk kishin një alfabet të vetin, ose kishin disa alfabete në përdorim dhe sigurisht, mosunifikimi i një trajte të shkronjave grafike linte hapësirë për praninë e disa alfabeteve.

Denduria më e madhe e përdorimit të alfabetit arab për shkrimet në gjuhën ballkanase u vu re në fillimet e shekullit XVII. Mënyrat e përdorimit, por edhe të përshtatjes së sistemit arab në sistemet fonologjik të gjuhëve lokale ishin shumë të ndryshme. Gjithashtu, të ndryshme ishin edhe trajtat e përhapjes së këtij alfabeti në Ballkan. Kështu, alfabeti arab ka njohur përdorim më të gjerë në vendet me shumicë myslimane, si Bosnja dhe Shqipëria, ndërsa në vendet e tjera ku feja islame nuk kishte shtrirje masive, alfabeti arab është përdorur pak, duke u kufizuar kryesisht tek përdorimi i gjuhës administrative të udhëhequr nga Perandoria Osmane. Grafinë arabe e gjejmë më së shumti në gjuhën e shkresave e dekreteve zyrtare, në objekte të infrastrukturës shtetërore, si: objekte kulti, objekte publike etj. Ndërsa në vendet ku u përqafua masivisht ky alfabet, e gjejmë në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore të këtyre vendeve.

Studiuesit e gjuhës dhe të fonetikës arabe theksojnë se alfabeti arab ka pasuar shumë modifikime në secilën gjuhë që e ka përdorur këtë alfabet. Ndryshimet më të mëdha i janë bërë këtij alfabeti nga gjuhë e kultura që kishin një alfabet të vetin të standardizuar më parë, siç është rasti i alfabetit pahlevian të persishtes dhe i atij osmano-turk. Në gjuhët e Ballkanit kanë ndikuar të tria këto kultura, por sigurisht osmanishtja ka qenë më e përhapura dhe këtë kulturë e përqafuan edhe shqiptarët e boshnjakët. Secila prej këtyre kulturave pati një lloj ndikimi më të madh në fusha të caktuara, si për shembull: Osmanishtja kishte më shumë ndikim në gjuhën e administratës, arabishtja pati ndikim në gjuhën e përhapjes së fjalës së Zotit (sepse Kurani dhe hadithi ishin në arabisht) kurse persishtja pati më shumë ndikim në frymën, botëkuptimin dhe gjuhën e letërsisë. Megjithatë në të trija gjuhët klasike të orientit të afërt: arabisht, persisht dhe në osmanishte gjejmë vepra të shkruara nga poetë e dijetarë të Ballkanit. Sistemi arsimor në Ballkan bazohej në përvetësimin e dijeve në gjuhën osmanishte, por mësonin edhe persishten e arabishten.

Shumica e autorëve, veçanërisht në fushën e letërsisë kanë shkruar në gjuhët e vendeve të tyre (shqip, boshnjakisht etj.) dhe duke qenë se nuk kanë pasur një alfabet të vetin të unifikuar kanë përdorur shkronjat arabe. Gjatë përdorimit, shkronjave arabe u kanë dhënë vlera të reja fonetike, por gjithmonë duke u bazuar në grafinë e alfabetit arab, pa ndryshuar në formën dhe karakteristikat e tij.

Përshtatja e sistemit të grafisë arabe me gjuhët autoktone lindi si domosdoshmëri për materializimin me germa të emrave e koncepteve lokale. Janë më qindra tituj librash, me mijëra dorëshkrime, të cilat janë shkruar me alfabetin arab nga autorë shqiptarë e boshnjakë. Ndër autorët më të afirmuar boshnjakë mund të përmendim Abdylvehab Ilhami, Muhamed Rushdi etj, ndërsa në Shqipëri janë përfaqësuesit e letërsisë së bejtexhinjve si: Nezim Frakulla, Muhamet Kyçyku, Sulejman Naipi, Zenel Bastari, etj. Shumica e veprave të këtyre autorëve janë ende në dorëshkrime, të patranskriptuara dhe të pastudiuara, ashtu sikundër vetë trashëgimia kulturore me alfabet arab në Ballkan është ende një fushë e pahulumtuar sa duhet.

Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve me alfabet arab mendohet të jetë rreth 7000 ekzemplarë, të cilat ruhen në biblioteka dhe arkiva të Turqisë dhe të vendeve të ndryshme të Ballkanit. “Shtrirja kronologjike e këtyre dorëshkrimeve që nga shekulli XIV përfshin disa shekuj. Ka prej tyre që datojnë para ardhjes së osmanëve në Ballkan. Në këto tekste mbizotëron tema fetare, juridike, filozofike, letrare, gjuhësore e deri tek shkencat natyrore. Autorë të këtyre dorëshkrimeve janë emrat të njohur të shkencës dhe letërsisë që përdorën alfabetin arab dhe presin të përndriten nga studiuesit.

Sistemi shkrimor arab nuk përdoret sot në asnjë vend ballkanik, (gjë që ka ndikuar edhe kufizimin e kapaciteteve njerëzore për ta njohur e studiuar këtë trashëgimi shkrimore) dhe kjo është përligjur me shkaqe politike, shkencore, teknike e praktike. Megjithatë, botimet dhe dorëshkrimet me këtë alfabet kanë ndikuar në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e kulturës të secilit vend.

Gjuha – Pasurimi i leksikut të gjuhëve ballkanike me orientalizma

Shtrirja e gjerë e përdorimit të alfabetit arab dhe kontaktet me kulturën e qytetërimin islam sollën edhe një korpus fjalësh, shprehjesh që, në një mënyrë apo tjetër, ishin të lidhura ngushtë me alfabetin. Fjalët arabe, të cilat depërtuan në gjuhët tjera, pranuan edhe drejtshkrimin e atyre huazimeve, por gjithmonë në përputhje me strukturën fonetike të gjuhës marrëse dhe duke ndryshuar shqiptimin që më parë kishin pasur ato huazime në gjuhën arabe. Por, duhet thënë se në të shumtën a rasteve kuptimin semantik nuk e ndryshuan fare.

Dihet që ndikimet ndërkulturore manifestohen më së pari në leksikun e një gjuhe. Nga pikëpamja e karakterit të ndikimit, huazimet orientale në Ballkan rrokin përgjithësisht jetën qytetare. Mendohet se periudha e depërtimit më të madh të orientalizmave janë shekujt XVII-XIX, domethënë koha kur filluan të zhvillohen qytetet dhe mjeshtëritë.

Gjithashtu edhe ndikimet më të mëdha gjuhësore janë në fushën e urbanizimit oriental, domethënë në ekonominë qytetare dhe shtëpiake, në ndërtimin e qytetit dhe të shtëpisë, në jetën sociale, duke përfshirë fenë islame, në organizimin administrativ etj. Ky ndikim ndeshet në shumë kultura ballkanase, në të cilat gjenden fjalë të përbashkëta që vijnë prej burimit oriental.

Përsa i përket shtrirjes së orientalizmave apo turqizmave në gjuhët ballkanike, është dëshmuar edhe përmes disa fjalorëve se numri i tyre është tepër i lartë. Kështu për shembull, në gjuhën boshnjake–serbokroate, numri i përgjithshëm i turqizmave (turqizma të mirëfilltë, arabizma, persizma, etj.) kap një numër prej 8742 fjalë (dhe shprehje) me 6878 fjalë me kuptime të ndryshme, ku më shumë se gjysma janë të burimit arab. Ndërsa në gjuhën shqipe, janë 4406 orientalizma të përfshira këto në veprën Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, të studiuesit Tahir N. Dizdari (1900-1972). Sigurisht, numri mendohet të jetë akoma më i madh, por falë politikave kulturore ndër shekuj, shumë prej këtyre ndikimeve janë zbehur e zhdukur nga fjalori aktiv i ballkanasve, gjë që e ka bërë të pamundur identifikimin e përfshirjen e tyre në fjalorë.

Pa u ndalur në shembuj fjalësh e në specifikime të hollësishme fushash ndikimi të tyre, vlen të theksojmë se orientalizmat ndahen në dy grupe të mëdha:

Së pari, në emërtime të vetme për sendin që shënjojnë dhe që njihen e përdoren nga të gjithë në fjalorin aktiv. Në këto raste, fjala ka hyrë së bashku me objektin a dukurinë që përfaqëson.

Së dyti, në fjalë të vjetruara (historizma e arkaizma), ose fjalë të ligjërimit bisedor me ngjyrime stilistike të caktuara. Këto fjalë kanë përdorim të kufizuar dhe sa vjen e po bjerren prej fondit aktiv të gjuhëve të Ballkanit.

Të dyja këto grupe fjalësh, pavarësisht nëse janë pjesë e fondit aktiv a pasiv, e kanë pasuruar gjuhën dhe kulturën e vendit bartës, prandaj ruhen në fjalorë si një pasuri e madhe e trashëgimisë kulturore e shpirtërore.

Bibliografia mbështetëse:

  • Amila Butorovic, Islam in the Balkans: Oxford Bibliographies Online Research Guide, Oxford University Press, 2010.
  • Çabej, Studime gjuhësore III. Prishtinë, 1976.
  • Isa Memishi, “Përhapja e alfabetit arab në Ballkan gjatë sundimit të Perandorisë Osmane”, Studime filologjike, 2012, FHF, Tiranë.
  • Nexhat Ibrahimi, Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën osmane, dielli.net.
  • Shpuza, Gazmend. Disa mendime rreth trashëgimisë kulturore islame me alfabet arab në Shqipëri, botuar në “Trashëgimia kulturore me alfabet arab në Ballkan”, AIITC, 2010, f. 18.

———————-

*Studiuese

Advertisements