Toleranca fetare në Shqipëri si një traditë dhe kulturë shoqërore

Nga Dalina Jashari*

Toleranca fetare në Shqipëri është një çështje e trajtuar si një karakteristikë kombëtare dhe arritje e jashtëzakonshme e vendit dhe shqiptarëve. E trajtuar si karakteristikë, toleranca fetare në vend ka qenë dhe vazhdon të jetë një vlerë krenarie për shqiptarët, ku në thelb të saj qëndron postulati i gjithëpranuar i Vaso Pashës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Jo rrallë herë kjo vlerë është përdorur edhe nga liderët politikë, si një “çelës” për të promovuar Shqipërinë e paqme dhe harmonike në arenën ndërkombëtare. E trajtuar si arritje e jashtëzakonshme, toleranca fetare është një çështje e cila i ka rezistuar kohëve të turbullta në të cilat ka kaluar vendi. Megjithatë, cilët janë faktorët që kanë ndikuar në nxitjen dhe ruajtjen e tolerancës fetare ndër vite në vend? A do të mundet që Shqipëria të gëzojë dhe ruajë të njëjtën krenari në një shoqëri në ndryshim, ku globalizimi i ka hapur rrugë shkëmbimeve e ndërveprimeve të feve, diversitetit kulturor apo dhe sfidave të viteve të fundit si ai i fondamentalizmit fetar dhe terrorizmit? A mundet që modeli i tolerancës fetare të vendit tonë të përshtatet dhe të ndërtohet dhe në kontekste të tjera kombëtare dhe kulturore? Këto pyetje kanë qenë dhe baza e studimit të realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (porositur nga PNUD[1], gjetjet kryesore të të cilit paraqiten në këtë artikull) përgjatë vitit 2018, me qëllim ofrimin e një analize të detajuar, e cila do të mund të shërbejë për të mundur të kuptohet dhe të ndërtohen më tej (nga një sërë aktorësh interesi) programe të cilat do të ndihmojnë në ruajtjen e kësaj vlere përballë sfidave që shfaqin shoqëritë sot, sidomos ajo e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Të gjendur përballë dilemës dhe “konfuzionit” terminologjik nëse në Shqipëri ka tolerancë apo harmoni fetare, pjesëmarrësit në sondazhin publik të këtij studimi, si dhe në intervista të dedikuara apo dhe takimet diskutuese, na tregojnë se bazat e tolerancës fetare në Shqipëri janë thellësisht të rrënjosura në traditat dhe kulturën shoqërore dhe nuk vijnë nga vetëdija, njohuritë apo ushtrimi i riteve fetare. Për qëllim të këtij studimi për të saktësuar dhe dilemën ndërmjet “tolerancës” dhe “harmonisë” fetare, literatura e shtjelluar dhe analiza e thelluar mbi këtë fenomen, sugjerojnë që Shqipëria karakterizohet nga tolerancë fetare, si një pikënisje për dialogun ndër-fetar, ku kjo e fundit ka shërbyer për të forcuar kulturën e tolerancës fetare. Në diskursin mbi tolerancën fetare, nacionalizmi, theksi tek përkatësia etnike dhe gjuha si themele të kombit dhe unitetit shqiptar e jo mëvetësisht përkatësia fetare, kanë shërbyer si faktorë të rëndësishëm politikë e moralë për ruajtjen e tolerancës fetare. Ndërkohë që idealisht në një shoqëri demokratike toleranca duhet të motivohet jo vetëm nga solidariteti etnik, por edhe nga respektimi i të drejtave të njeriut dhe shteti ligjor, në kontekstin tonë termi “tolerancë fetare” shihet se është më relevant sesa ndaj atij të “harmonisë fetare”.

Ashtu si edhe pritej, shumica dërrmuese (mbi 92.3%) e pjesëmarrësve në studim besojnë se toleranca fetare është një vlerë themelore në Shqipëri dhe ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë vlerë përmenden: Indiferenca fetare ose mungesa e njohurive për fetë; Kultura vendore (kombëtare) dhe dominimi i traditave kombëtare ndaj atyre fetare; Respekti i ndërsjellë dhe respektim për liritë individuale; Sekularizmi; Ateizmi i trashëguar nga periudha komuniste. Shembujt e tolerancës fetare që përmenden kryesisht janë “martesat e përziera fetare”, “kremtimet e festave fetare të besimeve të tjera” dhe “bashkëjetesa paqësore e shqiptarëve me prejardhje të ndryshme fetare”. Mbi 90% e pjesëmarrësve në studim e mirëpresin diversitetin fetar të pranishëm në vend dhe e kundërshtojnë me forcë idenë e epërsisë së një feje të caktuar ndaj të tjerave, pavarësisht nga madhësia e komunitetit përkatës fetar. Ndërkohë që, teksa njohin rolin e udhëheqësve fetarë në nxitjen e tolerancës fetare në ditët e sotme si dhe gjatë historisë ku drejtuesit fetarë u kanë bërë thirrje besimtarëve të tyre të qëndrojnë larg konflikteve dhe kanë bërë apel për mirëkuptim dhe dialog të ndërsjellë, shqiptarët i japin rëndësi më të madhe ndarjes ligjore dhe praktike mes shtetit dhe fesë, laicitetit, si një tipar të shoqërisë dhe faktor po aq i rëndësishëm në nxitjen e tolerancës fetare.

Faktori më i rëndësishëm që mbështet tolerancën fetare në Shqipëri argumentohet se është kultura e përbashkët që bashkon myslimanët, të krishterët dhe jobesimtarët. Të konsideruara si fe tradicionale, ato trajtohen si pjesë e kulturës së përbashkët, e jo si pengesa të pakapërcyeshme për mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim mes dasive fetare. Studimi tregon që diskriminimi me baza fetare është mjaft i ulët, ku 95% e shqiptarëve e konfirmojë këtë. E megjithatë, raste të diskriminimit dhe paragjykimeve me baza fetare janë evidente në shoqërinë tonë, ku rreth 11 për qind e pjesëmarrësve në studim thonë se ata kanë qenë dëshmitarë, të paktën një herë, në një rast diskriminimi ose përjashtimi për shkak të fesë në komunitetet e tyre. Shumica e këtij grupi janë gra që jetojnë në zona urbane me arsimin e mesëm ose të lartë. Shembujt lidhen kryesisht me diskriminimin dhe përjashtimin e njerëzve që ushtrojnë fenë (sidomos myslimanët), përfshirë këtu akte të tilla si diskriminimi ose përjashtimi në sektorin publik dhe privat; paragjykimet shoqërore dhe përjashtimi; dhe diskriminimi në marrëdhëniet e ngushta (p.sh. refuzim martese/krushqie për shkak të përkatësisë fetare).

Shtypja brutale e fesë në shoqëri, gjatë periudhës ateiste nga 1967 deri në fund të viteve 1980, nënkuptonte që shumica e brezit të ri që u rrit në atë kohë të mos kishte kontakt me fenë publikisht dhe as të krijonte lidhje të fortë me simbolet dhe ritet fetare. Trashëgimia komuniste e ateizmit është ndër faktorët mundësues, në trajtimin e të cilit vërehet diversitet mendimi ndërmjet brezit të ri dhe të vjetër. Në këtë kuadër shqiptarët që kanë përjetuar të kaluarën komuniste dhe e kujtojnë atë e konsiderojnë trashëgiminë e ateizmit si një faktor që ka kontribuar në tolerancën fetare në një përqindje shumë më të lartë krahasuar me brezat e rinj. Megjithatë, trashëgimia nuk perceptohet si një faktor që nxit tolerancën fetare, por më shumë si një rrethanë në historinë shqiptare.

Në përfundim të këtij studimi, toleranca fetare është një vlerë e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë si një vlerë qytetare/morale dhe traditë kombëtare, sesa si një praktikë shoqërore që mbështetet në njohjen e feve të ndryshme dhe pranimin e dallimeve fetare. Kjo e fundit mbështetet gjithashtu dhe në faktin që më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë pak ose aspak njohuri për fetë e ndryshme në Shqipëri, me përjashtim të fesë islame, rreth të cilës 36 për qind e pjesëmarrësve në studim janë deklaruar me njohuri mesatare ose të gjera mbi fetë. Nga ana tjetër, edhe pse 37 për qind e pjesëmarrësve në studim e konsideronin veten si besimtarë praktikantë të rregullt të fesë, studimi konstatoi se përqindja e shqiptarëve që praktikojnë rregullisht fenë dhe udhëhiqen në jetën e tyre të përditshme nga normat dhe ritet fetare është shumë më e vogël. Më tej, shqiptarët kanë tendencën të refuzojnë mendimet që mbështesin epërsinë e një besimi të veçantë, përkundrazi, ata mbështesin pikëpamje më liberale rreth fesë dhe priren të përqendrohen më shumë në elementët e përbashkët të feve të ndryshme dhe vlerave të shenjta. Në këtë studim, disa çështje kanë bërë të mundur që të vihen re dhe ndryshime ndërmjet grupeve shoqërore, si ndërmjet atyre që banojnë në zonat rurale e urbane, ashtu edhe ndërmjet brezave të rinj e të vjetër. Raste të tilla mund të përmendim në çështje që kanë të bëjnë me perceptimet dhe qëndrimet ndaj fesë dhe hyjnores mes të intervistuarve nga zonat urbane dhe atyre nga zonat rurale, nga grup-moshat e ndryshme dhe nga ata që praktikojnë fenë e nga ata që nuk besojnë. Ruajtja e tradicionales është deri diku e kuptueshme për brezat e vjetër, por edhe për të anketuarit nga zonat rurale, të cilët mbeten kompakt si komunitet. Të anketuarit nga zonat rurale priren në përgjithësi të jenë më konservatorë rreth qëndrimeve të caktuara. Ashtu sikurse ata nga zonat urbane janë më skeptikë në lidhje me rolin e sekularizmit apo supozimit se shqiptarët në përgjithësi nuk janë shumë fetarë. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit nga zonat rurale priren të mos jenë aspak dakord ose kryesisht jo-dakord më shumë sesa të intervistuarit nga zonat urbane mbi ndikimin që ndalimi i fesë në periudhën komuniste ka kontribuar në tolerancën fetare në Shqipëri.

Përveç faktorëve ndihmues në ruajtjen e tolerancës fetare, në këtë studim është synuar gjithashtu që të analizohen dhe “kërcënimet” e mundshme ndaj saj. Nisur nga vlera që tashmë popullata i jep kësaj çështjeje, pjesëmarrësit e studimit përgjithësisht shprehen optimistë sa i përket ri-ngritjes dhe vazhdimësisë së tolerancës fetare. E ndërsa rreziqet ndaj saj konsiderohen si të largëta dhe për shkak të faktorëve të jashtëm, jo të brendshëm të vendit, radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, ashtu si dhe politika perceptohen si dy elemente ndaj të cilëve duhet të tregohet vëmendje. Në këtë kontekst, trajtimi i çështjes së radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, nën një qasje me përgjegjësi të një sërë aktorësh shtetërorë e jo, merr rëndësi të veçantë, sidomos sa i përket kujdesit ndaj individit, të rinjve, dhe nxitjes së kohezionit social në vend.

—————————-

* Hulumtuese, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim

[1] Studimi I plotë gjendet në linkun: http://www.al.undp.org/content/dam/albania/docs/religious%20tolerance%20albanian.pdf

Advertisements