Po ti çfarë je: Gulenist apo erdoganist?!

Nga Alfred Lela*

Kam qenë kryeredaktor i revistës MAPO, kur vendosa të bëj një cover story (ballinë) me ‘fenomenin Aleanca Kuq e Zi’ dhe drejtuesin e saj, mjeshtrin e kitsch-it, Kreshnik Spahiun. Një revistë që shiste pak kopje zakonisht, atë muaj i shiti të gjitha duke u bërë një ‘bestseller’ në mënyrën e vet; aq sa mund të jetë i tillë një prodhim i shtypit të shkruar në Shqipëri ku tirazhet janë në rënie të lirë dhe ku elektronikja ka zëvendësuar edhe mendimin, jo më leximin.

‘Këndi’ i speciales së MAPO ‘varej’ te një burim diplomatik që e shihte ngritjen e Aleancës të lidhur edhe me financimet që vinin nga Turqia, më saktë nga fondacionet e lidhura me klerikun, tashmë të famshëm edhe në Shqipëri, Fetullah Gylen.

Dy gjëra ndodhën pas botimit të shkrimit për Aleancën dhe Kreshnik Spahiun: një notë proteste mbërriti në zyrat e MAPO-s të cilën ne e botuam në numrin vijues duke zbatuar një parim të gazetarisë; dhe kërkesat për miqësi në Facebook-un tim u shtuan me individë që nuk përputheshin me prirjen e ‘ndjekësve’ të mi të deriatëhershëm.

Njerëz me emra të fortë muhamedanë apo dhe me parashtesa arabe para emrave, gjithsesi me origjinë nga Lindja e Mesme, por të shqiptarizuar në kohë, filluan të ‘banonin’ nën strehën e kërpudhës së Facebook-ut tim. Sipas të gjitha gjasave, krejt parehatshëm. Unë i njihja një pjesë syresh sepse kishin qenë ‘detraktorë’ të mitë duke më quajtur me radhë katoliko-centrist, agjent të Vatikanit, islamofob etj.

E mora veten nga habia e fillimit dhe kuptova se ‘miqtë’ e mi të rigjetur ishin në fakt një degë e islamit shqiptar, e cila e shihte me mosbesim gulenizmin dhe shtrirjen e tij në institucionet fetare zyrtare që përfaqësonin muhamedanizmin në Shqipëri. Unë isha incognito një ‘mik’ i tyre sepse kisha ‘qëlluar’ mbi armikun e tyre.

E dini parabolën e vjetër ‘armiku i armikut tim është miku im’.

Këtu e pesë vjet të shkuara, kur ky episode ka ndodhur, ekspansioni politiko-fetar që sundon sot Turqinë ishte ende një kafe turke e mesme. Atëherë kishim Erdoganin, ndërsa sot erdoganizmin. Miqtë e mi në Facebook, antigulenistë ende të ndrojtur, sot janë erdoganistë të flaktë.

E kam dëgjuar shpesh herë artikulimin e pyetjes, ndonjëherë e kam bërë edhe vetë, ‘çfarë je ti, gulenist apo erdoganist?’. Pyetja në vetvete, edhe pse është abuzive dhe ndoshta politikisht jokorrekte, sa kohë që ka ardhur në jetë duke u mbështetur në përvojë, shpjegon në fakt një prapakthehu të madh, për të mos thënë një mjerim të muhamedanizmit shqiptar. Sivëllai ynë mysliman, i kujtdo që e quan veten shqiptar, qoftë katolik, ortodoks, protestant, bektashi apo ateist, është skajuar si një entitet që mund të përkufizohet nga dy rryma të mendimit apo veprimit fetar dhe politik turk. Të përfaqësuara nga Guleni dhe Erdogani. I pari, njëfarë mistiku që shpërndan nuskat e një la-la-landi harmonik, në një islam botëror që shpesh vetëpredikohet si i paqes dhe më shpesh se kaq luan në territoret e dhunës dhe, i dyti, një teokrat që ka zhbërë shumë prej stofës së sekularizmit prodhuar nga Kemal Ataturku.

Myslimani shqiptar ‘i prodhuar’ nga një vëlla në fe, beu i Matit, Ahmet Zogu, dhe më pas i trysnuar nga një tjetër sivëlla, me gjasë ateist, i ardhur nga një familje gjirokastrite me traditë myslimane, është sot mishi hallall në sanduiçin që e merr bukën në dyqanet e huaja të Gulenit apo Erdoganit.

Ky, sigurisht, është një problem i myslimanëve shqiptarë, por po aq është i tillë edhe për katolikët, ateistët e me radhë. Sepse është një problem i shoqërisë, i shtetit dhe i vetë demokracisë shqiptare.

Duke pranuar se feja dhe shteti janë të ndarë, gjithashtu se feja nga feja është e ndarë, na duhet të marrim në konsideratë se fetë që përbëjnë pemën e besimeve këtu në Shqipëri, dhe ndoshta edhe në territoret e banuara me shqiptarë, nuk mund të jenë të izoluara nga rrugëtimi ynë i përbashkët kombëtar.

Myslimanët shqiptarë duhet ta kuptojnë se çdo ndërhyrje politike në favor të njërit apo tjetrit konfigurim (skizmë) brenda islamit, mikluese në fillim, bëhet helmuese më vonë. Sepse, luajalitetet politike janë likuide (të lëvizshme); ato shpesh marrin parasysh interesin e çastit që ka të bëjë me përfitimet elektorale, ekonomike dhe politike. Politikanët mund të jenë sipas rastit gulenistë dhe erdoganistë.

Edhe duke i ndërruar kapelat sipas erës.

Po ti, për cilat arsye je gulenist apo erdoganist?!

———————-

*Drejtor i Politiko.al

Advertisements