Islami në optikën e shtypit përgjatë tri periudhave

Nga Urim Tusku*

Në ditët që jetojmë ndikimi i medies është tepër i madh, ku njerëzit preferojnë që gjithçka ta marrin “të gatshme” nga gazetarët dhe rrallë e përpunojnë apo e shohin me dyshim atë që u ofrohet. Në këtë pikëpamje, media nuk mbart vetëm funksionin informues, por edhe atë edukues, funksion i cili shpesh merr më tepër trajtat e çedukimit dhe të keqorientimit.

Shtypi ka qenë një faktor përcaktues në jetën e përditshme, në formimin dhe botëkuptimin e njerëzve. Në të janë trajtuar çështje në ndryshme, sipas periudhës së zhvillimit shoqëror, duke përfshirë edhe çështje të religjionit. Një rëndësi të veçantë shtypi shqiptar në fillesat e tij i ka kushtuar fesë islame, duke e parë me një këndvështrim shumë pozitiv, kjo edhe për shkak të natyrës disi fetare të këtyre organeve të shtypit. Për këtë arsye, ne jemi ndalur në tre periudha, duke vështruar se çfarë thoshte shtypi në kohë të ndryshme për fenë islame.

Periudha e parë (gjysma e parë e shek. XX: 1910-1945): Përndritja shpirtërore e kombit dhe lulëzimi i shtypit islam.

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria filloi të kishte dhe organe të pavarura të shtypit. Këto organe ishin më shumë të natyrës fetare, ku do të spikatnin vetitë edukuese të tyre. Nuk propagandohej thjesht çështja fetare, por aty gjenin dhe trajtoheshin edhe çështje sociale etj.

Aspekte të çështjeve të besimit ndër shqiptarë janë prekur që në gazetën e parë shqiptare “L’Albanese d’Italia” (“Shqiptari i Italisë”, në vitin 1848), por në mënyrë të mirëfilltë, çështjet fetare janë trajtuar në periodikët me frymë islame, që zanafillën e kanë në vitin 1910 me gazetën “Dielli”, për të vijuar më tej me periodikët: “HANA”, SEDA I MILET” (Zëri i Kombit 1913–1914), “REFORMA”  (Bektashi), “UDHA E S’VËRTETES”  (Shkodër, 1923), “ZANI I NALTË” (Organ periodik i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë 1923-1938), “TAKVIM” (Shkodër,1937-1938), “NJERIU” (1942-1944) etj. Kjo shumësi titujsh solli larmishmëri këndvështrimesh teologjike, që e shihnin besimin islam në rrafsh shumëdimensional, por njëherësh u zgjerua edhe më tej me problemet e filozofisë, të moralit, të letërsisë kombëtare dhe të sociologjisë, duke iu drejtuar një rrethi të gjerë lexuesish.

Niveli i shkrimeve publicistike dhe përkthimeve ishte shumë i lartë, sepse në këto gazeta shkruanin intelektualët më të rëndësishëm të kohës, me përgatitje të madhe në fushën e kulturës dhe të shkencave islame, e më gjerë, si: Ismail Maçi, Isa Domin, Haki Sharofi, Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ibrahim Balliu, Hafiz Ali Korça, Bali Vuçiterni, Mëndi Frashëri, Mithat Frashëri (Lumo Skëndo), Ismet Dibra, Ferid Vokopola etj.

Pavarësisht lulëzimit të shtypit islam qysh në ngjizjen e tij, pati zëra kundër islamit. Kështu, gjatë kësaj periudhe janë botuar një seri shkrimesh publicistike nga Tajar Zavalani, Ismet Bota, etj., të cilët e konsideronin mbulesën në Islam si simbol të prapambetjes dhe bënin thirrje që shqiptarët të orientoheshin drejt oksidentit dhe jo orientit, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të bëheshin qytetarë të denjë të Evropës.

Shkrimet kundër islamit nuk ishin problemi i vetëm gjatë kësaj kohe, sepse vetë pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare ishin të paarsimuar, nuk dinin shkrim e këndim dhe për pasojë, periodikët islamë, ashtu si dhe çdo material tjetër, shpërndaheshin në një rreth të ngushtë lexuesish. Prandaj vlen të theksojmë se dukuria mbizotëruese e kësaj periudhe lidhet me faktin se nga njëra anë shtypi islam konsolidohej dita-ditës dhe niveli i profesionalizmit ishte në rritje të pandalshme, e nga ana tjetër, rrjeti i lexuesve ishte i kufizuar, për shkak se dominonte analfabetizmi.

Periudha e dytë (1954-1991). Terri informativ dhe censura e tejskajshme.

Periudha e regjimit komunist në Shqipëri për më shumë se katër dekada izoloi çdo hallkë të veprimtarive fetare, ndaloi me ligj ushtrimin e besimit, persekutoi e pushkatoi qindra klerikë dhe shkatërroi të gjitha objektet e kultit. Shumica e xhamive u shembën tërësisht, ose u përçudnuan duke u kthyer në magazina mallrash dhe në pijetore, ku konsumohej alkooli (p.sh. xhamia në qendër të Durrësit ka shërbyer si bar-bufe, ku haheshin e piheshin produkte haram). Me shkatërrimin e xhamive, teqeve, tyrbeve etj., humbën shumë dokumente, dorëshkrime e vepra të tjera me rëndësi të madhe historike, nën etiketën se ishin fetare dhe ishin shkruar me alfabetin arab. Këto akte u kurorëzuan me hapjen e muzeut ateist. Anarkizmi dhe injoranca e këtyre veprimeve vinte nga mendësia komuniste se çdo gjë fetare duhej zhdukur, për t’u zëvendësuar me ideologjinë komuniste. Në këtë situatë të asfiksimit shpirtëror e moral as që mund të imagjinohej qarkullimi i shtypit islam, madje edhe nëse përdorej ndonjë element i terminologjisë fetare në kontekstin e përgjithshëm socio-kulturor, gazetarët burgoseshin e përndiqeshin gjatë gjithë jetës.

Me 6 shkurt të vitit 1967, komunizmi arriti ta nënshtronte fenë, sepse mbylli organet e shtypit, shkollat e përgatitjes së klerikëve, mbajtjen e ligjëratave fetare dhe madje nuk lejoheshin as shprehjet me ngjyresë fetare apo përmendja e emrit të Zotit. Dhuna fizike e materiale ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit, përhapi indirekt mesazhet e dhunës shpirtërore në gjithë popullsisë shqiptare.

Feja konsiderohej si opium për popullin, edhe pse në fakt ajo ishte ilaçi që e shëronte atë shpirtërisht dhe moralisht. Sipas komunistëve, Zoti nuk ekzistonte dhe partia ishte zot i jetës së njeriut. Kështu, komunizmi nëpërmjet mjeteve të propagandës, të cilat ishin kryesisht organet e shtypit, e portretizoi fenë si diçka negative, që kishte synim të çorodiste njeriun. Zoti u përjashtua nga jeta zyrtare dhe ajo familjare dhe në këtë mënyrë u krijua atmosfera e egër, e tejskajshme materialiste e jetës sociale. Kjo situatë synonte të largonte sa të mundte njeriun nga feja, duke e zëvendësuar atë me dogmën komuniste. Komunizmi i shtriu tentakulat e veta në çdo qelizë të shoqërisë dhe arriti që ta kultivojë njeriun e ri (kështu quhej komunisti) me frymën ateiste dhe antifetare.

Shtypi periodik me përmbajtje fetare pati mundësi zhvillimi vetëm në diasporë dhe në ish-Jugosllavi ku jetonin rreth tre milionë shqiptarë, në shumicën dërrmuese myslimanë dhe me tradita fetare islame, të cilët, duke shfrytëzuar disa hapësira kushtetuese, arritën të bëjnë një sërë botimesh, që e mbajtën gjallë bashkësinë islame në ato vende. Ndërsa në Shqipërinë shtetërore dominoi terri informativ, si në çështjen e pasqyrimeve mediatike, ashtu edhe në mundësitë inekzistente të mbrujtjes me edukatë fetare, sepse u mbyll çdo institucion arsimor fetar. E gjithë kjo panoramë dëshmon qartazi edhe nivelin e shtypit islam në fazën postkomuniste, por edhe gjendjen dhe botëkuptimin e shqiptarëve ndaj fesë në tërësi.

Periudha e tretë (1991-2018): Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes.

Rënia e komunizmit e gjeti Shqipërinë thuajse tërësisht ateiste, ku besimi në Zot ishte zvetënuar edhe tek ato njerëz që dikur e kishin të konsoliduar besimin dhe ritet fetare e kishin humbur ngjyresën shpirtërore për shkak të propagandës së egër dhe torturave çnjerëzore.

Rihapja e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mundësoi riorganizimin e bashkësisë islame në vend dhe që prej vitit 1992 filloi botimin e organit 2-javor “Drita islame”, nën maksimën “Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr”, revistë që vijon edhe në ditët e sotme. Këtë revistë e pasuan edhe dhjetëra gazeta e revista të tjera mirëfilli islame, por edhe shtypi i përditshëm laik filloi të pasqyrojë pa paragjykime veprimtaritë kulturore-fetare në vend dhe mendimet e teologëve të ndryshëm shqiptarë në lidhje më çështje sociale

Çështja themelore, me të cilën duhej të përballej demokracia shqiptare ishte shërimi shpirtëror i njerëzve. Shqipëria u bë vendi ku hynin sekte e besime fetare të ndryshme. Edhe pse në periudhën parakomuniste mbi 70% e popullsisë ishin myslimanë (duke përfshirë këtu edhe bektashinjtë), ndërsa pjesa tjetër i përkisnin besimit katolik dhe ortodoks. Pas viteve ’90 panorama fetare ndryshoi disi, ku veç feve tradicionale që përmendëm më sipër, filluan të mbijnë edhe sekte të tjera fetare, që nuk kishin asnjë lidhje me historinë e besimeve në vend.

Qysh në fillimet e pluralizmit, shtypi i kohës (gazetat “Zëri i popullit”, “Koha jonë”, “Alternativa social-demokrate” etj.) filluan të shkruajnë për një dukuri të islamit, që sipas tyre, nuk ishte ai tradicionali, por një ndërthurje e re rrymash të orientuara drejt fondamentalizmit. Më një sy kritik shihej nga shtypi edhe pjesëmarrja e vendit në konferencën islamike.

Ndërsa pas sulmeve të 11 shtatorit 2011 në SHBA, etiketimi “terrorist” gjeti shtrirje të gjerë në median shqiptare dhe ashtu sikundër ndodhi edhe në shumë vende të tjera, çdo mysliman shihej si person potencial i inkriminuar në rrjete terroriste. Propaganda e padrejtë dhe qëllimkeqe mediatike e identifikimit të islamit me grupet terroriste e ka rrënuar imazhin e këtij besimi. Kohët e fundit është fashitur kjo lloj propagande, por grimca të saj vijojnë ende të gjallojnë në disa televizione, që përzgjedhin për transmetim lajme që e rëndojnë imazhin e islamit.

___________________

*Gazetar

 

Advertisements