Fondamentalizmi fetar shfaqet si përgjigje ndaj globalizmit

Nga Dr. Arjan Çuri *

  1. Hyrje

Si fillim, është mirë të theksojmë, se fondamentalizmi është tipar që shfaqet në të gjitha fetë e mëdha monoteiste, kjo sa për të shmangur një keqkuptim me karakter folkloristik, që ky fenomen, i përket vetëm njërit apo tjetrit besim. Sigurisht që në histori, fondamentalizmi është vënë re edhe në besimet politeiste, por meqë ato në ditët e sotme, kanë një numër shumë të vogël ithtarësh, nuk janë shumë të ndjekura dhe të marra si objekt hulumtimi, nga studiuesit e religjionit. Më shumë, sesa me shpjegimin e fenomenit të fondamentalizmit, në tre besimet e mëdha monoteiste, ku ai dukshëm shfaqet, ky shkrim do të përpiqet të bëjë një lidhje mes fondamentalizmit dhe globalizmit, si koncepte që do të përbëjnë edhe variablat e këtij punimi. çfarë është globalizmi dhe si ndikon ai mbi zhvillimet ndërkombëtare, dhe si përdoret globalizmi nga fondamentalistët për të arritur qëllimet e tyre? A përbën globalizmi shkak apo është thjesht një mjet i fuqishëm, në duart e fondamentalistëve? Sigurisht, në epokën e sotme, fondamentalizmi është shumë i lidhur edhe me terrorizmin që ai shkakton, që përbën një rrezik real për sigurinë në botën ku jetojmë të gjithë, pavarësisht nëse kemi apo jo përkatësi dhe bindje fetare. Terrorizmi është parë si konseguencë e një fanatizmi fetar, që shfaqet si devijim në interpretim dhe zbatim, të dogmave të caktuara fetare, që pretendojnë të jenë revelata të pagabueshme, me burim, Zotin krijues. A është Islami, ashtu siç në mënyrë populiste dhe folkloristike akuzohet, si burimi i të gjitha të këqijave, apo bëhet fjalë për një keqkuptim të madh të burimeve të tij doktrinore? Gjithashtu, në përfundim të këtij shkrimi, do të mundohemi të japim disa rekomandime, bazuar edhe në studimet tona mbi religjionin mbi mënyrat se si mund të përballohet fenomeni i fondamentalizmit, si dhe terrorizmi, që mbështetet mbi ideologji ekstremiste fetare.

  1. Shpjegim termash

Fondamentalizëm fetar do të quajmë qasjen absolute dhe literale, në dogmat bazë të një besimi, dhe interpretimin e tyre të drejtpërdrejtë, apo fjalë për fjalë, siç ato shkruhen në tekstet e shenjta.  Fondamentalistët besojnë se fjalët që gjenden në librin e shenjtë fetar përfaqësojnë të vërtetën absolute dhe duhen interpretuar vetëm literalisht, pra në kuptimin e parë.

Me modernitet, do të kuptojmë tre periudha themelore të historisë njerëzore. Do të fillojmë me promodernitetin, që përbën periudhën që mbaron me fillimin e revolucionit francez (1789), ngjarje që ndikoi thellë në zhvillimet filozofike, politike dhe shoqërore, me kulm të saj, iluminizmin. Ky hap, do të shënonte fillimin e modernitetit, që vihet re së pari në Europën veriperëndimore, e cila kulmon me rilindjen, pra periudha që historikisht, pason revolucionin francez dhe iluminizmin. Kjo periudhë shënohet nga revolucion i rëndësishëm shkencor, zhvillimin e shkencave të natyrës, revolucionin ekonomik që solli ngritja e kapitalizmit, revolucionin politik që shkaktoi liberalizmi dhe nacionalizmi, dhe sigurisht edhe revolucionin fetar që shkaktoi Protestantizmi. Njeriu nga skllav bëhet individ, pajiset me të drejta ligjore. Duke vënë në qendër logjikën dhe shkencën, njeriu i modernitetit, shkëputet njëherë e përgjithmonë nga mesjeta obskurantiste dhe fetariste. Dhe në fund, takojmë periudhën e postmodernitetit, e cila mund të thuhet se fillon kronikisht, mbas vitit 1960, apo mbas rënies së socializmit majtist, që sjell edhe ngjarjen e madhe të rënies së murit të Berlinit. Njeriu postmodern kërkon një model të ri të një shoqërie globaliste, e cila do ta shpëtojë nga ankthet ekzistenciale që e karakterizojnë, të cilat shkaktohen nga humanizmi, antropocentrizmi dhe konsumizmi materialist. Ekziston edhe një mendim tjetër, ku studiues të ndryshëm mendojnë, se postmoderniteti nuk ka nisur asnjëherë dhe thjesht ne ndodhemi në një periudhë zhvillimi të vetë modernitetit. Por kjo përbën edhe një debat që mund të zhvillohet filozofikisht, pasi esenca qëndron tek fakti se ky realitet shoqëror, postmodern ose jo, e ka çuar njeriun drejt një dekadence morale dhe shpirtërore, dhe si zgjidhje të këtij problemi, fondamentalistët e të gjithë botës dhe të të gjitha feve, shohin kthimin tek rrënjët fetare dhe tek parimet tradicionale që rrjedhin prej tyre. Pra, pa më të voglin dyshim, ata shpallin shpëtimin, tek rikthimi ciklik, në periudhën e premodernitetit.

Globalizmi, si term do të na japë idenë e krijimit të një zone ekonomike mbarëbotërore tashmë, apo të një tregu global, ku të mirat dhe idetë do të qarkullojnë lirshëm. Globalizmi shpall se bota është kthyer tashmë në një zonë unike ekonomike, politike dhe kulturore. Ky globalizëm, sot është kthyer në një fenomen kompleks apo më mirë, në një sërë fenomenesh dhe relatash komplekse, ku dallohen anë të ndryshme të tij, si: globalizmi industrial, ai financiar, politik, informacioni dhe kulturor. Tregues kryesorë se globalizmi po mbizotëron epokën ku jetojmë, është fakti se mënyra e jetesës dhe format e mendimit janë homogjenizuar dhe racionalizuar njëtrajtshmërisht në kultura, dikur të ndryshme, por gjithnjë e më shumë të njëjta. Sot njerëzit mendojnë njësoj, vishen dhe sillen njësoj, argëtohen njësoj, dëgjojnë të njëjtat këngë dhe shohin të njëjtët filma, edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për librat, pasi vihet re një ulje drastike e fenomenit të leximit dhe thellimit në tekstet e shkruara.

Dhe vijmë tek terrorizmi, që nuk është aspak i thjeshtë për t’u shpjeguar si term, pasi përbën një nocion delikat dhe fort të keqkuptuar, sikundër edhe të keqpërdorur. Së pari, termi është tragjikisht i përdorur për qëllime propagandistike, dhe së dyti, dhuna që nënkupton përdorimi i termit, është e një sfere të gjerë kuptimore, jo homogjene dhe aspak fetarogjene, edhe pse në dukje si e tillë. Për pasojë, ka një shumësi përkufizimesh mbi terrorizmin, të cilat, mbulojnë forma të ndryshme të fenomenit, por që pengojnë studimin sferik dhe shterues të tij. Bashkimi Europian, nëpërmjet TREVI-t (Terrorizm, Radicalism, Extremism and Political Violence), e cila tashmë është zëvendësuar nga Marrëveshja e Schengen-it, ka dhënë këtë përkufizim: “Terrorizëm quhet përdorimi, ose kërcënimi për përdorim i dhunës, nga grupe të caktuara individësh, për arritjen e qëllimeve politike”. Ndërsa NATO, e pranon mungesën e një përkufizimi të pranuar ndërkombëtarisht, dhe jep një përcaktim të sajin, në një udhëzim të veçantë: “Terrorizmi është përdorimi i dhunës, si pasojë e një përllogaritje dhe zakonisht konsiderohet si krim në nivel legjislativ kombëtar dhe ndërkombëtar dhe drejtohet kundër individëve apo pasurive të tyre, me qëllim shpërbërjen e shoqërisë, ose tronditjen e qeverisë, për arritjen e një qëllimi politik, ideologjik ose fetar”.

  1. Fondamentalizmi fetar

Fondamentalizmi fetar u shfaq kohë pas kohe brenda feve kryesore monoteiste, si reagim kundrejt tendencave hermeneutike liberale, që solli moderniteti. Termi fondamentalizëm është hasur për herë të parë, në 1920 në tekstet e gazetarit dhe predikuesit baptist amerikan, Curtis Lee Laws, me titull Fundamentals of the faith, të cilat botoheshin prej 10 vjetësh, nga presbiterianët e Prinstonit. Autori i dha një popullaritet të fortë termit, dhe e quajti veten dhe pasuesit e tij, si fondamentalistë, të cilët ai i karakterizonte si njerëz që “akoma besojnë në dogmat fondamentale të krishtërimit dhe ishin gati të luftonin deri në fund”, për të mbrojtur besimin e tyre. Sigurisht që fondamentalizmi është fenomen, siç theksuam më lartë, edhe i feve të tjera, dhe takohet kryesisht në ditët e sotme, në disa grupime fetaro-politike, të cilat pretendojnë se i përkasin Islamit. Këto grupime, në përballje me interpretime liberale dhe përdorime politike të qytetërimeve jo lindore, u rikthyen në nevojë për interpretimin literal, edhe sipas konceptit të tyre, që teksti është i përsosur dhe i pagabueshëm. Sigurisht, që një nga kërcënimet moderne, sot, kundër vetë feve, është fakti i karakterit global të shoqërisë. Duhet theksuar se fondamentalizmi nuk përbën kthimin tek qytetërimi premodernist, por përkundrazi, ai është përgjigja e ashpër ndaj modernitetit që imponon globaliteti i realitetit shoqëror. Me fjalë të tjera, fondamentalizmi, sipas nesh, nuk do të ekzistonte, pa epokën e modernitetit.

Ekzistojnë dy teori kryesore të cilat mundohen të shpjegojnë fenomenit e fondamentalizmit fetaro-politik: teoria premoderniste dhe ajo antimoderniste. Sipas versionit të parë, fondamentalizmi haset në shoqëritë, të cilat nuk kanë kaluar në epokën e modernitetit, dhe ngelen të ngecura në një realitet premodernist, i cili nuk lejon asnjë ndryshim të traditave fetare. Këto lloj shoqërish, e kanë të pamundur të krijojnë koncepsione mondane, jofetare, si dhe institucione laike, për të rregulluar jetesën e tyre. Sipas orientalistit, Bernard Lewis, kryesisht tek Islami, ideja e laicitetit dhe liberalizmit, mbetet e huaj dhe e papranueshme. Por teoria më e famshme dhe më e pranueshme brenda komunitetit shkencor, mbetet versioni i dytë, sipas të cilës, me termin fondamentalizëm, nënkuptohet si fillim, kërkesa për t’u kthyer në një traditë të lashtë, dhe kjo ndodh kur kjo traditë është e sulmuar, ose ndodhet në dekadencë, si pasojë e ndryshimeve shoqërore dhe konceptuale që sjell moderniteti dhe modernizimi, që pavarësisht ngjashmërisë mes fjalëve, nuk janë i njëjti koncept. Ndjenja e krizës dhe e rrezikut ndaj zhdukjes, sjell dëshirën për rilindje dhe rezistencë, tendencë kjo, që lind fondamentalizmin politiko-fetar, i cili nga ana e tij shpie në politizimin e pashmangshëm të feve monoteiste.

  1. Forma të fondamentalizmit

Qysh prej dhjetëvjeçarit të 1970-s, u vunë re lëvizje ekstremiste fetare në botën hebraike, kristiane dhe myslimane, të cilat u quajtën si fondamentaliste nga studiuesit e fushës dhe këto lëvizje u bënë të ndjeshme, jo vetëm në rrafshin fetar, por edhe atë politik. Këto zhvillime erdhën si reagim ndaj përpjekjes së shoqërive perëndimore për imponimin e globalizmit, të cilat shënuan fillimin e tyre në të njëjtën periudhë që përmendëm më lart. Pas dështimit të lëvizjeve marksiste në vendet arabe që kishin si synim largimin e kolonizimit perëndimor, e vetmja armë ideologjike, që mbeti në duart e popullsive myslimane të ndodhura nën shtypje dhe shfrytëzim, ishte Islami dhe ruajtja rigoroze e udhëzimeve kuranore dhe zbatimi i ligjit islamik, sheriatit. Tendenca të të njëjtit lloj u vunë re dhe në qarqet e nacionalistëve hebrenj në Izrael, sikundër edhe shfaqja e një partie të hinduistëve fanatikë në Indi. Po fenomene të ngjashme, u shfaqën edhe në shoqëritë perëndimore me zhvillimin e përpjekjeve të rikuperimit të rolit institucional të kishës katolike përkundrejt shtetit. Ndërsa Amerika protestante, është edhe sot e kësaj dite duke përshkruar një rrugë të rigjallërimit të rrymave ungjillore konservatore, të cilat gjithmonë kanë shënuar elementin thelbësor të kulturës dhe fetarisë së shoqërisë amerikane.

a)Fondamentalizmi kristian tek Protestantizmi

Shekulli i xx-të shënoi, sidomos në dy dhjetëvjeçarët e parë të tij, një zhvillim të jashtëzakonshëm të tendencave liberale dhe reformiste, brenda gjirit të krishtërimit perëndimor. Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve moderniste dhe neoteriste, u shfaq një grup i madh teologësh dhe klerikësh, nëpër qendra të ndryshme protestante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si presbiterianë, ungjillorë, metodistë dhe luterianë, të cilët vendosën njëzëri që të rikthenin fuqishëm dogmat themelore të krishtërimit, si një përpjekje për t’u shkëputur nga modernizmi. Këta teologë i paraqitën Dhiatën e Vjetër dhe të Re, si korpus libror të frymëzuar nga Hyji në çdo germë të tyre, dhe si rrjedhim të pagabueshme, me kuptimin literal të fjalës. Duke mbajtur si armë në dorë, Biblën, fondamentalistët i shpallën luftë teorisë së evolucionit të Darvinit, e cila ishte pranuar gjerësisht në atë periudhë në komunitetin shkencor. Me kalimin e viteve, lëvizjes fondamentaliste protestante, iu bashkuan edhe forcat konservatore, si në nivel fetar, ashtu edhe në atë politik. Ata shpallën platformën e kthimit tek “vlerat e vjetra dhe të mira, amerikane”, duke theksuar superioritetin madje të racës së bardhë, duke minimizuar rolin e gruas, vetëm brenda familjes, dhe ushtruan përndjekje ndaj minorancave racore dhe sociale. Rasti ekstrem ishte shfaqja e organizatës Ku Kluks Klan, në 1915, e cila përveç thirrjeve ekstremiste politike, kishte referenca të rëndësishme edhe përkundrejt elementëve fetarë.

b)Fondamentalizmi në Katolicizëm dhe në Ortodoksi

Jemi duke folur për të njëjtën periudhë kohore, për fillimin e shekullit të xx-të, dhe ndërsa shohim hapësirën brenda kishës katolike dhe asaj ortodokse, vëmë re edhe aty elementë të fondamentalizmit, që janë shfaqur në të kaluarën. Në këtë rast, tej diskutimit për autenticitetin dhe pagabueshmërinë e Biblës, do të takojmë një qasje mbizotëruese teologjike, që thekson saktësinë e traditës së lashtë kishtare, si dhe vënien në dyshim të çdo risie apo dogme, të cilat tentojnë të ulin autoritetin e padiskutueshëm të traditës. Disa teologë të perëndimit dhe mes tyre Jean-Pierre Moisset, mbështesin idenë se krizat më të mëdha të shfaqjes së fondamentalizmit në kishën katolike lidhen me protestën e Luterit, më vonë me ndarjen e paleokatolikëve, të cilët u shkëputën në vitin 1870, për arsye se nuk i besonin dogmës së pagabueshmërisë së Papës, të shpallur nga Koncili i Parë i Vatikanit. Dhe së fundi, një tjetër tendencë ashpërsie është shfaqur pas Sinodit të Vatikanit të Dytë, me shkishërimin dhe largimin e peshkopit Lefebvre, në vitin 1988.

Në të njëjtën mënyrë, edhe në kishën ortodokse, kemi shkëputje të ndryshme, nga trungu i kishave autoqefale kombëtare, të grupeve fanatike ose zelltare, apo zelotëve, siç quhen ndryshe në këto vende, si reagim ndaj adoptimit nga ana e kishës zyrtare të kalendarit të ri gregorian, pasi kisha lindore ortodokse, përdorte më përpara, kalendarin e vjetër julian. Në këto raste, pjesët e shkëputura, do të marrin emërtimin si paleoimerologjitë, pra ndjekësit e kalendarit të vjetër. Në Rusi, do të kemi një rast tjetër skizme, të një grupi të madh individësh të quajtur “Besimtarët e Vjetër”, të cilët reaguan ndaj reformave të Patrikut Nikon. Në të gjitha rastet, janë hasur edhe përplasje të ashpra mes grupeve të ndara, cenim të paqes dhe ekuilibrave kishtarë, por edhe përfshirje të interesave gjeopolitikë, në mes të debateve fetare, në dukje të parë, me natyrë doktrinore.

c)Fondamentalizmi në Islam

Kuptimi më i ngushtë i fondamentalizmit në Islam, mund të jepet nëse huazojmë termin e zelotizmit, pra të të paturit e një zelli të brendshëm për kthimin tek rrënjët dhe zbatim të rreptë të ligjeve fetare, në studimin e Kuranit dhe të Haditheve. Nëse Kurani konsiderohet nga myslimanët si fjala e zbritur e Zotit, Hadithet besohet të jenë fjalët dhe veprimet e profetit Muhamed, të cilat edhe pse pas Kuranit, në hierarki të burimeve doktrinore, kanë një rëndësi të madhe për myslimanët, pasi i ndihmojnë ata të kuptojnë dhe të interpretojnë më thellësisht, Kuranin. Kështu, pjesa fondamentaliste e besimit islam, e interpretojnë sipas germës, Kuranin dhe duan të imponojnë ligjin e tij, Sheriatin, tek shoqëritë islamike. Këto grupe i konsiderojnë të huaja dhe të papranueshme disa zakone që u futën në Islam, përgjatë periudhës së mesjetës. Ashtu si fondamentalistët e krishterë, edhe ata myslimanë dëshirojnë të kthehen tek forma autentike e besimit të tyre, tek ajo formë pra, që kishte feja e tyre, në momentin që lindi dhe u themelua prej profetit Muhamed.

Por kjo s’do të thotë, që mes fondamentalistëve islamikë, nuk ka edhe dallime dhe mosmarrëveshje. Disa prej tyre besojnë në bashkimin e të gjithë popujve myslimanë, në një komunitet mbarëbotëror (umma) dhe në rithemelimin e kalifatit, që do të thotë krijimin e atij sistemi politiko-fetar, që do të përqendrojë të gjithë komunitetin mysliman botëror, nën pushtetin e një udhëheqjeje qendrore. Por ka edhe mendime të tjera, që theksojnë themelimin e shumë shteteve islamike, në territore të banuara prej shumicave myslimane, sigurisht brenda një mentaliteti demokratik të sundimit të shumicës, por gjithsesi, nën sundimin e ligjit islam, dhe jo atij laik. Një element tjetër karakteristik i këtyre grupeve është urrejtja për korrupsionin dhe dekadencën morale, që ata besojnë se u vjen prej qafirëve (të pabesëve), të cilët kryesisht banojnë në perëndim, dhe kundër të cilëve, duhet të angazhohen edhe në konflikte të armatosura, kur vihet re, ndërhyrje apo futje me dhunë e kulturave të tyre, në shoqëritë myslimane të lindjes.

d)Fondamentalizmi në Judaizëm

Siç është e njohur prej historisë, për shumë shekuj, hebrenjtë nuk kishin atdhe, dhe jetonin të endur nëpër të gjithë botën, në komunitete të vogla, por shumë të mirorganizuara. Në shekullin e xvi-të dhe të xvii-të, u shfaqën pararendës të ndryshëm të lëvizjes së sionizmit, i cili synonte që hebrenjtë të mund të kërkonin nga arabët, tokat që kishin stërgjyshërit e tyre, sipas tregimeve dhe dëshmive biblike. Në shekullin e xix-të dhe të xx-të, sionizmi u zhvillua në një lëvizje politike dhe fetare, që synonte themelimin e një shteti kombëtar hebraik. Dhe këtë qëllim e arritën me shpalljen e deklaratës së pavarësisë, në 14 maj 1948, një pavarësi e arritur dhe e ruajtur me konflikte të shumta të armatosura, deri në ditët e sotme.

Pas krijimit të shtetit të Izraelit, shumica e fondamentalistëve hebrenj, e panë vendin e tyre, si një realitet vetëm fetar. Ata ëndërruan “tokën e Izraelit” që do të qeveriset sipas Halaka-së, që është ligji i tyre judaik. Si themel për lëvizjen e tyre fondamentaliste, ata përdorën tekstin e shenjtë të Torah-ut, brenda të cilit ekziston urdhri i Zotit për t’u kthyer në tokën e shenjtë të Izraelit. Për judenjtë, kjo tokë u takon atyre, pasi e kishin patur dikur, para se ta humbnin dhe ishte detyrim hyjnor, marrja dhe ripushtimi i saj.

Në dallim me myslimanët dhe të krishterët, hebrenjtë e konsiderojnë veten e tyre, si popull më i lartë dhe superior dhe kështu ata e zhvillojnë prozelitizmin (predikimin për të afruar anëtarë të rinj), vetëm brenda anëtarëve të të njëjtit komunitet, pra hebrenjve të tjerë që jetojnë si diasporë nëpër botë. Lëvizjet e tyre fondamentaliste besojnë se bota është krijuar posaçërisht si dhuratë e Zotit vetëm për hebrenjtë dhe se ata që nuk janë hebrenj kanë shpirtra të ligj dhe inferiorë. Rabini Kuk Plaku, ati i sionizmit fetar kishte thënë dikur: “Distanca mes një shpirti hebraik dhe shpirtrave të jo hebrenjve, pra të të gjithë njerëzve të çdo niveli, është më e madhe se distanca e një shpirti njerëzor nga shpirtrat e kafshëve”.

Sigurisht që lëvizje fondamentaliste janë regjistruar edhe mes feve politeiste, si hinduizmit, budizmit, sikizmit, etj, por që këto nuk janë marrë në objekt të trajtimit në këtë shkrim, i cili është i fokusuar tek tre fetë kryesore monoteiste.

  1. Fenomeni i globalizmit

Termi globalizëm, ka hyrë në gjuhën shqipe, si edhe në shumë gjuhë të tjera, si përkthim i fjalës angleze globalization. Me këtë koncept nënkuptohet fenomeni i krijimit të një komuniteti global, ose mbarëbotëror në sferën e shkëmbimeve ekonomike, por që kjo sjell si pasojë të pashmangshme, ndikimet në dimensionin politik, por edhe në ndikimet kulturore, kryesisht me shkrirjen e tyre, dhe gllabërimin e kulturave të vogla, nga qytetërimet mbizotëruese. Globalizmi konsiderohet si një vazhdim i natyrshëm i iluminizmit, ku synohet që me progresin e njohjes dhe shkencës, njeriu do të bëhet zotërues dhe padron i natyrës. Kështu, individi njerëzor, përgjatë iluminizmit dhe më vonë, humanizmit, si formë të menduari, bëri lidhjen mes njohjes dhe prodhimit, duke arritur në konkluzionin se ajo që ekziston, por që nuk është e dobishme dhe e domosdoshme, nuk ka pse të jetë e rëndësishme, dhe si e tillë, do braktisur në mosekzistencë. Ky lloj mentaliteti, që ka pushtuar botën e sotme moderniste apo postmoderniste, sipas disave, i ka dhënë prioritet ekonomisë së tregut dhe prodhimit, përmbi kulturën dhe qytetërimin. Në këtë mënyrë, merr një rëndësi të jashtëzakonshme, edhe përdorimi i teknologjisë, përmbi komunikimin e drejtpërdrejtë, duke prodhuar kështu një shoqëri globaliste, ku barrierat e kohës dhe të hapësirës, janë thyer përfundimisht.

Globalizmi mund të konsiderohet si një shpikje e njeriut modern perëndimor, me synim, krijimin e një shoqërie globale individësh, duke patur si qëllim, arritjen e mirëqenies individuale. Por kjo nuk përjashton krijimin e një kundërshtie. Nga një anë, me përafrimin dhe bashkimin e popujve, ai synon forcimin e demokracive dhe të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale, ai shkakton një rritje të interesave të individit, pangopësisë së tij për të përqendruar pushtet dhe pasuri, rritje drastike të dëshirave konsumiste dhe krenarive individualiste, si dhe përplasje të kulturave agresive për të arritur dominimin global. Kështu frika që kanë disa popuj se globalizmi kërcënon me rrafshimin e kulturave të tyre, besimeve dhe vlerave të tyre, të mbartura prej shekujsh, duke imponuar një formë kulturore në shkallë botërore, na duket më se e drejtë dhe e bazuar. Dhe prandaj ka raste, që kjo frikë manifestohet me dëshirën për të reaguar me kthimin në fondamentet, apo rrënjët e kulturave të tyre, dhe për fat të keq, në disa raste, këto reagime shkojnë deri në ekstrem, me shfaqjen e konflikteve të dhunshme dhe të armatosura. Globalizmi, mund të përdorë si gjuhë justifikuese, multikulturalizmin, por nuk kërcënohet aspak prej tij, madje e përdor atë si frymëzim dhe slogan për të bërë të mundur shpërndarjen dhe pranimin e tij, prej kulturave të ndryshme. Kështu, nëpërmjet kësaj analize, mund të kuptojmë se globalizmi nuk kërcënon kultura të cilat arrijnë të prodhojnë dhe të eksportojnë produkte të cilat kërkohen në shkallë globale. Ajo që është e rrezikuar me zhdukje, është ajo kulturë, apo ai qytetërim, që nuk prodhon asgjë, dhe si i tillë, nuk ka vlerë, dhe nuk ka pse të ruhet dhe të shpëtojë. Për këtë arsye, sot, mentaliteti se një monument kulture, që shet bileta dhe tërheq turistë, dhe prandaj duhet ruajtur në këmbë dhe ia vlen të restaurohet, nuk krijon për fat të keq, asnjë reagim. Nuk mund të imagjinohet nga shoqëria e sotme, edhe pse është në kufijtë e papranueshmërisë logjike, sa çfarë mund t’i ndodhte një objekti të trashëgimisë kulturore, nëse nuk do të prodhonte parà. Shembulli është tipik, nëse duam të kuptojmë frymën e njeriut modern, nën ndriçimin e dobisë së përfitimit dhe vetëm, që prodhon globalizmi.

  1. Globalizmi dhe fondamentalizmi

Siç është e njohur, një nga elementë kryesorë, që formëson identitetin kulturor të një populli, apo të një qytetërimi, është edhe feja. Pikëpyetja që ngrihet sot, është nëse a vazhdon edhe sot ta ketë feja të njëjtën mundësi, nën kushtet edhe të shfaqjes së globalizmit? Nuk është aspak sekret, dhe është gjerësisht e njohur, se feja në të kaluarën është përdorur nga qendrat e pushtetit, për të përçarë dhe shtypur njerëzit, në vend që të bëjë atë që është në natyrën e saj të vërtetë, pra të shërojë plagët e individit dhe të shoqërisë. Por, çfarë mund të bëjë feja tek shoqëria njerëzore, krahas asaj çfarë mund të bëjë globalizmi? Pasi ajo, feja pra, nuk mund të bëjë sikur nuk e shikon fenomenin e globalizmit, që po ndryshon kulturën e popujve dhe rrjedhimisht po rrezikon të ndryshojë edhe vetë fenë. Një prej përgjigjeve që është vënë re, është ajo e krishtërimit, i cili gjithmonë e më shumë po flet për një besim, që nuk i trembet hapjes së popujve dhe për një lloj ekumeniciteti, pra një lloj globaliteti, edhe për faktin se krishtërimi, ka lindur dhe është zhvilluar në botën romake, e cila ishte goxha globale, në kohën kur kishte pushtetin mbi një shumicë kombesh të qytetëruar.  Edhe pse disa degë të tij, i frikësohen globalizmit, nuk është vënë re një lloj reagimi agresiv, kundër risive kulturore që ka sjellë moderniteti.

Kurse për botën islame, rezistenca ndaj globalizmit, identifikohet me rezistencën ndaj imperializmit perëndimor, i cili kohë pas kohe, ka shtypur dhe ka plagosur seriozisht dhe në mënyrë të panjerëzishme, ëndrrat kombëtare të popujve arabë, por edhe vetë dinjitetin dhe ekzistencën e tyre. Megjithatë, tej të gjitha këtyre vëzhgimeve, fondamentalizmi është gjithmonë fryt i shprehjes së frikës, është shfaqja e pasigurisë dhe ngërçit përballë të resë dhe të ndryshmes që ndodhet para derës, gati-gati është mohimi i dëshirës për të dialoguar. Ashtu siç është theksuar edhe më lart, fondamentalizmi si mentalitet, qëndrim dhe vendosje përballë historisë dhe progresit, si një tendencë për kthim drejt të shkuarës dhe mohimi të vendosur i të tashmes dhe të ardhmes, është parë të jetë prezent tek të gjitha fetë, ndërsa reagimi ndaj globalizmit, si një pranim i një realiteti të ri, gjithëpërfshirës dhe përzierës të ekonomive dhe kulturave të gjithë globit, po përballet prej feve në mënyra të ndryshme. Pra, edhe pse fondamentalizmi është element i të gjithë feve, mënyra se si reagon ai, ndryshon sipas rastit, diku shfaqet më pak agresiv, e diku më shumë i dhunshëm, i rrezikshëm dhe vrastar.

  1. Rrugët e përballimit të fondamentalizmit fetar

Sigurisht, që nuk mund të mohohet fakti se aktet terroriste që vijnë nga skuadra të caktuara ekstremiste, sot kanë edhe një referencë të feve të ndryshme. Por, në ndryshim nga e kaluara, ku vendin kryesor të këtyre akteve të dhunshme, e zinin edhe grupet fetare me prejardhje të krishterë, ose të paktën, që e pretendonin dhe e rreshtonin veten tek denominacionet kristiane, në të tashmen, janë shënuar akte ekstremist të dhunshme, me autorësi të marrë përsipër nga grupe që pretendojnë dhe e quajnë veten islamike. Duhet të theksojmë që në këtë moment, se këto grupe të vogla, konsiderohen të gabuara, dhe që nuk i përkasin islamit të vërtetë dhe origjinal, nga bashkësitë myslimane zyrtare, më të mëdhatë sot në botë, të cilat në mënyrë të përsëritur, i dënojnë me forcë këto akte. Këto grupe të vetëquajtura islamike, i kanë shpallur luftë të shenjtë, jobesimtarëve, apo qafirëve të perëndimit. Edhe pse natyrisht, këto grupime janë të vogla, dhe numri i tyre është i parëndësishëm, krahasuar me numrin e të gjithë myslimanëve në botë, që mund të shkojë deri tek një e pesta e popullsisë së planetit, sërish nuk mund të themi, se ekzistenca e tyre nuk përbën një rrezik real për sigurinë ndërkombëtare, por edhe për atë rajonale apo lokale. Për këtë arsye, bota perëndimore, por edhe ajo lindore, ku këto grupe kanë qendrat e tyre të veprimit, duhet të kthejnë sytë nga ky problem dhe të marrin masat e duhura për t’u përballur dhe për ta minimizuar, në mos edhe zhdukur këtë valë dhune, që po merr jetë njerëzish të pafajshëm.

Si fillim, perëndimi duhet të kuptojë, se nuk mund të lërë myslimanët të jetojnë brenda konflikteve të vazhdueshme, por duhet të bëjë ç‘është e mundur që t’i zgjidhë përfundimisht këto përplasje, dhe të heqë dyshimin e popullsive lindore, që perëndimi, mund të jetë edhe shkaktar apo fryrës zjarri në këtë drejtim. Kështu problemet në Lindjen e Mesme, Kashmir, Çeçeni, Afganistan, Irak dhe kudo ku ato shfaqen duhet të zgjidhen, pasi lënë pas insinuata politike dhe morale, që mund të përdoren nga individët për të justifikuar reagimet e tyre të dhunshme. Nuk është aspak i fshehtë fakti, që ekziston një lidhje kauzale, pra shkak-pasojë, mes këtyre konflikteve dhe pakënaqësisë në rritje, brenda radhëve të myslimanëve të lindjes. Mundet që myslimanët e këtyre anëve të ëndërrojnë themelimin e një kalifati islamik, dhe të përdorin si shkak veprimtarinë perëndimore në çështjen e Palestinës, për shembull, apo të ndonjë konflikti tjetër, por nga ana tjetër duhet thënë, se nëse nuk ushtrohej trysni shumëvjeçare mbi Palestinën, atëherë do të ishte shumë e vështirë, për të mos thënë gati e pamundur, shfaqja e njerëzve-bombë, që të dëshpëruar, ndërmarrin akte homicidale dhe suicidale. Fakti që këta individë të shtypur dhe të pashpresë, përbëjnë një minorancë brenda Islamit, nuk duhet ta vërë perëndimin në gjumë, madje as qarqet e moderuara të vetë Islamit, pasi çdo shumicë mbizotëruese e sotme, ka lindur nga një pakicë gati e parëndësishme e dikurshme.

Sot, pikërisht për shkak të globalizmit dhe të udhëtimit të lirë, të individëve, mallrave dhe kulturave, vetë Islami ka një prezencë të konsiderueshme, që sa vjen e rritet, në gjirin e civilizimit perëndimor. Në Europë ka rreth 25 milionë myslimanë, me prejardhje aziatike, afrikane, arabe, turke dhe të tjerë.  Këta individë u përkasin tendencave fetare të ndryshme që variojnë, që nga indiferenca absolute, deri tek fanatizmi absolut, shkallë implikimi, të cilën, e gjejmë edhe në grupimet e tjera fetare. Këto tendenca, ushqehen si nga brenda grupeve të ndikimit të të njëjtit lloj, po ashtu edhe nga trajtimi që u bëhet nga popullsia pritëse, diskriminimi, subjektiviteti, paragjykimet apo çdo lloj ndasie tjetër me bazë racore dhe fetare. Myslimanët që jetojnë në perëndim, kanë sfidën e tyre kryesore, faktin e të mundurit të të integruarit brenda rregullave shoqërore, ligjeve dhe zakoneve të komuniteteve ku jetojnë, por kjo jo gjithmonë është e lehtë, pasi shumë nga këto ligje e doke, bien në kundërshtim me ligjin islamik, apo me fondamentet bazë të besimit mysliman, gjë e cila, merret shumë seriozisht nga ndjekësit e kësaj feje. Por nga ana tjetër, e njëjta sfidë qëndron edhe për komunitetet perëndimore, të cilat shpesh herë, kanë dështuar t’i kuptojmë dhe t’i mirëpresin myslimanët në gjirin e tyre, duke qenë paragjykues apo përjashtues përkundrejt tyre.

Ka ardhur koha që të pranohet pa frikë se ekziston korrelacioni mes mënyrës sesi priten këta myslimanë në shoqëritë perëndimore dhe formës së reagimit të tyre, në mënyrë analoge. Dështimi i perëndimit për të integruar, pra për t’i dhënë një përmbajtje ekzistenciale, prezencës së myslimanëve dhe qenies së miliona njerëzve të mënjanuar dhe të lënë në izolim, lind natyrshëm pakënaqësira të thella dhe përçan shoqërinë, duke sjellë edhe reagime të papritura dhe surprizuese. Kjo nuk do të thotë se të gjithë myslimanët e pakënaqur kthehen në fanatikë, të gatshëm për të vrarë dhe për t’u vrarë, por sigurisht që do të thotë, se në këtë mënyrë krijohen kushtet e duhura, që disa prej tyre, të kthehen në të tillë. Në të kundërt, edhe një përpjekje për integrimin harmonik të tyre, nuk garanton përfundimisht mungesën e tendencave fondamentaliste dhe fanatike, por duhet thënë se mundësitë që një gjë e tillë të ndodhë, pakësohen në mënyrë drastike. Është logjike të deklarosh, se integrimi harmonik kërkon një dakordësi nga të dyja anët, si nga komuniteti pritës, ashtu edhe nga ai i ardhur. Nevojitet pranimi i dyanshëm dhe i natyrshëm, i parimeve dhe rregullave të ndërsjellta, si dhe respektimi maksimal i tyre, duke mos u përpjekur asnjëra palë, të prevalojë mbi tjetrën, me mënyra jokonvencionale. Sigurisht që kulturat, kur takohen edhe përplasen, por ndodh që më kalimin e kohës, njëra mund ta pushtojë tjetrën, si e epërme në parime dhe virtyte, dhe jo në numra, kapital apo edhe armatime. Është provuar nga historia, që forma e dytë, mund të ketë sukses afatshkurtër, por është e dështuar në plan afatgjatë. Asnjë qytetërim nuk erdhi si lindje nga virgjëria, apo asgjëja, por nga takimi, shkrirja, përplasja dhe në fund mbizotërimi i kulturave më të fuqishme dhe gjerësisht dominante dhe të pranueshme nga shumica e shoqërisë. Por, duke mësuar nga historia e shekujve, e vetmja mënyrë për të shmangur përplasjen e dhunshme të dy kulturave, kur ato jetojnë bashkë, është të pranohet mundësia dhe kultivimi i bashkëjetesës paqësore mes tyre, apo pranimi i konceptit të multikulturalitetit.

Nuk mund të shmangim përmendjen e dy tendencave kryesore, që pretendojnë se e zgjidhin këtë problem. Së pari, grupi konservator që mendon se Europa duhet të përballë me dhunë, ardhjen e myslimanëve dhe deportimin e tyre me forcë në vendet e origjinës, dhe një qasje më liberale që kërkon respektimin e të drejtave të njeriut, si mënyra më e mirë për përballjen e kësaj përplasjeje kulturore, duke shpresuar se myslimanët e moderuar do të jenë më të shumtë sesa ata të ekstremizuar. Është i njohur fakti se myslimanët respektojnë ligjet e shoqërive pritëse, sikundër respektojnë edhe ligjin e Zotit, që e kanë të zbritur në Kuran, si në periudhë paqeje, ashtu edhe në periudhë lufte. Të njëjtin respekt absolut kanë edhe për drejtësinë, por gjithashtu janë të ndjeshëm dhe reagojnë ndaj padrejtësisë apo diskriminimit, apo kur u preken dhe fyhen simbolet e shenjta ku ata besojnë, libri i tyre, profeti i tyre dhe parimet e tyre. Në bindjen tonë, nuk ekziston asnjë përplasje apo kundërshti mes këtyre parimeve dhe atyre të shoqërive perëndimore. Myslimanët duhen lënë të lirë të jetojnë fenë, bindjet dhe kulturën e tyre, përderisa ekzistenca e tyre paqësore, nuk fyen askënd në perëndim, dhe përderisa rregullat e tyre nuk rrezikojnë askënd që nuk ndan të njëjtat bindje me ta.

Si përfundim mund të themi, bazuar dhe në refleksionet e mësipërme se përballimi strategjik dhe i mençur i tendencave fanatike dhe ekstremiste, kur ato shfaqen brenda çdo religjioni, duhet të jetë i dyfishtë, dhe i dykahshëm dhe paralelisht i zbatueshëm. Së pari, aktivitet praktik vendimtar kundër çdo forme fondamentalizmi dhe fanatizmi, sidomos kur ato prodhojnë akte terroriste, pavarësisht nga origjina e tyre, dhe së dyti, lëvizje reaguese në sferën politike dhe ideologjike, për t’iu përgjigjur sinqerisht dhe me bazë të vërtetën, kundrejt çdo lloj argumenti justifikues që përdorin fondamentalistët.

Vetëm me bashkëpunim mes dy kulturave kryesore, që tashmë po takohen, por që nuk kanë guximin e duhur të prezantohen, pra perëndimit laiko-kristian dhe lindjes myslimane, dhe me një veprim shumënivelësh dhe të njëkohshëm, mund të shmangen keqkuptimet, paragjykimet, urrejtjet që krijohen si pasojë e tyre, dhe të flitet për një kuptim të drejtë e të ndërsjelltë, dhe bashkëjetesë harmonike, në vendet që dikur ishin homogjene, sepse premoderniste, por sot, si pasojë e atij globalizmi që erdhi pa na pyetur, tërësisht heterogjene dhe komplekse. Dhe kjo gjë duhet bërë me vendosmëri dhe shpejtësi, përpara se dyshimet të kthehen në paranoja masive, sepse atëherë do të jetë tepër vonë, dhe përplasja e pashmangshme.

 

Bibliografia:

Gilles Kepel, «Jihad, The Trail of Political Islam», Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts 2003.

Mark Juergensmeyer, «Terror in the mind of God», University of California Press, Los Angeles 2003.

Karen Armstrong, «The Battle for God, a History of Fundamentalism», Ballantine Books, New York 2000.

John L. Esposito, «The Islamic Threat, Myth or Reality», Oxford University Press, New York 1999.

Colonel Brian M. Drinkwine, «THE SERPENT IN OUR GARDEN: AL-QA’IDA

AND THE LONG WAR», U.S. ARMY WAR COLLEGE, 2009.

Charles W. Kegley, Jr. «The New Global Terrorism, Characteristics, Causes, Controls», Prentice Hall, New Jersey 2003

Paul Szuscikiewicz, «Terror in ancient Greece and the Roman Republic, Encyclopedia of World Terrorism», Sharpe Reference, USA 1997.

Wael B. Hallaq, «Was the Gate of Ijtihad Closed?», International Journal of

Middle East Studies, Mar. 1984.

Daniel J. Jahn, «RELIGION AND TERRORISM, Violence and the Sacred in

the 21st Century», The Pacem Foundation, 2006.

Ekkart Zimmermann, «Globalization and Terrorism», Dresden University of

Technology, 2009.

Riaz Hassan,«Globalization’s Challenge to Islam, How to Create One Islamic

Community in a Diverse World», Yale Global, 17 April 2003.

Stephen C. Pelletiere, «THEORY OF FUNDAMENTALISM: AN INQUIRY INTO THE ORIGIN AND DEVELOPMENT OF THE MOVEMENT», U.S. ARMY WAR COLLEGE, 1995.

——————–

* Lektor Universiteti Europian i Tiranës

 

Advertisements