Bashkëjetesa fetare mes harresës së mediave “të vjetra” dhe delirit të mediave të reja

Nga Ramadan Çipuri *

Diku aty nga gjysma e dytë të shekullit XIX, Mark Twain shprehej se kur lind një media e re, njerëzit vihen përballë dy zgjedhjeve. E para është që mund ta injorojnë atë dhe të mos informohen. E dyta, t’i kushtojnë asaj vëmendje dhe të keqinfomohen. Edhe sot e kësaj dite duket e vlefshme motoja që Twain la për gazetarët: Së pari mblidh faktet. Pastaj, mund t’i shtrembërosh ata më vonë.

Fillimi i shekullit të 21-të solli pikërisht këtë mënyrë të re komunikimi, ku hierarkia e dikurshme e përcjelljes dhe shkëmbimit të informacionit u zëvendësua nga një e re, krejt ndryshe nga ç’ishim mësuar. Verifikimi dhe saktësia e fakteve nisi të humbasë vlerë. Media, përtej zgjerimit të kufijve të saj për mbulim audiencash, deri diku humbi edhe epërsinë që kishte mbi audiencat. Pse jo, kjo e fundit u kthye jo vetëm në një diktuese të përmbajtjeve mediatike, por edhe në gjeneruese të tyre.

Pikërisht, ky trend i ri nxiti edhe debate të shumta etike, duke përfshirë këtu trajtimin dhe hulumtimin e impaktit të pasojave që ka kjo formë e re komunikimi. Mediat e reja, gjuha e urrejtjes, fake news, etj., janë terma që janë kthyer në rutinë të diskutimeve jo vetëm mes studiuesve, por edhe mes qytetarëve të thjeshtë. Përballë këtyre zhvillimeve, rolit e funksionit të medias, si dhe ndikimit që ajo ka ndaj publikëve të shumtë, mbase ka ardhur momenti i një ripërcaktimi të të gjithë këtyre koncepteve. Janë pikërisht audiencat ato të cilat në hapësirat e tyre “mediatike” (kryesisht virtuale) gjerojnë mesazhe e përmbajtje mediatike, që nuk kalojnë më përmes asnjë hierarkie redaksionale.

Nëse do të analizonim pozicionimin e medias shqiptare ndaj raportimit rreth dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare, që shumëkush, për qëllime nga më të ndryshmet, e quan si pasuri kombëtare, këtu vlen të theksohen disa aspekte të rëndësishme. Për këtë gjë, mbase duhet të vlerësojmë tre eksponentë të rëndësishëm të medias; qasjet redaksionale të mediave tradicionale dhe atyre të reja, përgatitjen profesionale të gazetarëve që raportojnë mbi çështjet fetare, si edhe komentet e lexuesve, të cilët rishtazi zënë një vend të rëndësishëm në kontentin mediatik që u serviret publikëve.

Mbështetur në censusin e fundit të vitit 2011, por edhe në shumë fakte të njohura gjerësisht, rezulton se popullsia shqiptare është me shumicë myslimane, e ndarë kjo në Suni dhe Bektashi. Ndërkohë, në mjediset virtuale shpesh here vihemi përballë thirrjeve dhe qasjeve për konvertim të shqiptarëve myslimanë në të krishterë, si një ndër të vetmet mënyra kjo për integrimin e vendit në bashkësinë evropiane. Përveç kësaj, ka edhe debate nga më të ndryshmet që gëlojnë në këtë hapësirë të pakufishme, të cilat zhvillohen brenda hapësirës mediatike, por që përgjithësisht nuk përfaqësojnë logon e një redaksie të caktuar. Këto qëndrime individuale, por që në një mënyrë gjejnë hapësirë mediatike, përballen me reagimet e po të njëjtave “mini-redaksi” qytetarësh të tjerë, të cilët dashje pa dashje nxisin një frymë konfliktuale mes lexuesve. Përballë këtij realiteti, pozicionimi i medias fiton një rëndësi të veçantë dhe këtu nis edhe nevoja e analizës rreth qasjes së medias në lidhje me këtë çështje.

Po t’i kthehemi medias konvencionale, nga aspekti redaksional vihet re se ka një tendencë për të mos diskutuar mbi çështje të tilla. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet dhe mbase kjo kërkon një analizë tjetër. Ajo ka preferuar të jetë e ftohtë ndaj çështjeve fetare, duke iu dhënë atyre hapësirë vetëm për raste festash, apo akteve të ndryshme terroriste, që për hir të së vërtetës, gjatë viteve të fundit kanë qenë jo të pakta në numër. Është pothuajse e pamundur që në edicionet informative apo në emisione televizive me karakter social të gjesh trajtesa fetare, që mund t’u vijnë në ndihmë qytetarëve në problemet me të cilat hasen në përditshmërinë e tyre. Ndërsa mediat e reja, kryesisht portalet informative, shpesh herë ballafaqojnë komentet e lexuesve të tyre, duke i servirur si artikuj gazetareskë, me burime të dykahshme, por që në fakt, për hir të rritjes së klikimeve, ato vetëm sa nxisin më tej tensionin midis palëve.

Nga ana tjetër, ka një të vërtetë të padiskutueshme se duke vijuar me një qasje të tillë, media shqiptare edhe sot e kësaj dite vijon të mos ketë gazetarë të specializuar për raportimin mbi çështjet fetare. Raportimi mbi këto tema, sidomos kur bëhet fjalë për disa vlera të pa gjindshme diku tjetër, mbi traditën e bashkëjetesës që ekziston në Shqipëri për shekuj me radhë, mbi zhvillime dhe mesazhe që i flasin anës shpirtërore të qytetarit, është një nga detyrat e rëndësishme që media duhet të realizojë. Gazetarët e kësaj fushe, duhen të jenë të pajisur me informacione rreth besimeve të ndryshme, rreth çështjeve që paraqesin nivel të lartë sensitiviteti etj., si edhe ndaj nivelit të lartë të ndjeshmërisë që mbartin këto tema. Në situata të ndryshme, këta gazetarë duhet të dinë të jenë më shumë të tillë, se sa myslimanë apo të krishterë, apo çfarëdo besimi qoftë, gjë që në fakt në median shqiptare mungon. Edhe në disa emisione “Talk show” që ndonjëherë mund të trajtojnë tema të tilla, vihet re mungesa e njohurive të drejtuesve dhe të të ftuarve në studio rreth këtyre temave, gjë që i bën ato të jenë shumë sipërfaqësore dhe të mos kenë ndikimin e duhur. Në këto kushte, media tradicionale ka lënë të paprekur një sferë sociale shumë të rëndësishme për qytetarët, duke e braktisur atë në dorën e lirë të fanatikëve të besimeve të ndryshme, apo edhe të atyre që nuk besojnë në asgjë, të cilët në kushte anonimati arrijnë deri në kufijtë e paparashikueshërisë.

Përveç shumë të tjerësh, rreziku në hapësirën virtuale duket se vjen nga dy drejtime kryesore; ai që mund të burojë nga rrjetet sociale dhe ai që mund të burojë nga komentet nëpër portale. Edhe pse edhe në rastin e parë ekzistojnë hapësirat e çeljes se profileve të rreme, përgjithësisht poseduesit e këtyre profileve janë individë të identifikuar. Duke qenë të tillë, ata janë më të frenuar në përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Ndërsa në portale, ku një komentues mund të shfaqet me identitete nga më të ndryshmet, kjo atmosferë duke me një nivel më të lartë rrezikshmërie. Kjo e dyta lë më shumë hapësira fyerjesh, denigrimesh, etiketimesh etj., duke rritur valën e stereotipave ndaj individëve, feve, besimeve a çfarëdo qoftë. Por, është i rëndësishëm të theksohet fakti, se edhe aty ku identifikimi është i lehtë për t’u bërë, sidomos në disa profile publike të predikuesve fetarë, jo në pak raste vihen re qasje shumë ekstremiste edhe të individëve të identifikuar. Varësisht një mesazhi publik të njerëzve të njohur të fesë, këta besimtarë komentojnë dhe margjinalizojnë qytetarët e tjerë, ndaj të cilëve pse jo sugjerojnë edhe dënime nga më ekstremet e mundshme, deri në atë pikë se si duhet të vriten apo se si duhet të digjen. Është tipike dhe karakteristike sjellja e atyre që kanë nivele të ulëta arsimimi e botëkuptimi, që besojnë në Zot dhe që jetën e tyre e mbështesin në dogma dhe tradita fetare, që të mos vendosin siç duhet ekuilibrin midis vendimmarrjeve me ndjeshmëri shpirtërore dhe atyre që kërkojnë më shumë mendje të hapur. Përgjithësisht, tek ata ka përparësi gjithnjë “zemra” mbi “mendjen” dhe aty ku preket ajo, konfliktet janë më të lehta për t’u përshkallëzuar.

Rreziku i këtij debati virtual është se e gjithë vala e urrejtjes ndaj një individi, grupi apo besimi të caktuar fetar mund të nxisë kundër reagim të palës tjetër, të cilët duke qenë të lirë për t’u shprehur, mund t’ua kthejnë me të njëjtën monedhë, apo edhe me shtrenjtë. Gjithashtu, në një kohë kur përdorimi i internetit po zëvendëson pothuajse çdo medie tjetër, këto lloj konfliktesh mund të përhapen gjerësisht në shoqëri, duke i kategorizuar individë, grupe apo besime të caktuar si pjesë të disa stereotipave, të cilët janë më të thjeshtë për t’u ngritur, se sa për t’u zhbërë. Një valë e tillë shoqërore mund të ndikojë në izolimin e këtyre personave nga shoqëria, gjë që mund të çojë po ashtu në një lloj vetë-izolimi të tyre. Ky vetë izolim do t’i shtyjë këta njerëz që të zhvillojnë brenda tyre disa forma vetëmbrojtjeje, të cilat në momente të caktuara mund të shfaqen me nota ekstremiste. Për sa kohë që ata do të demonizohen nga media dhe nga shoqëria, reagimi i tyre do të jetë gjithnjë e më i madh, gjë që siç e përmendëm më sipër, vihet re edhe në komentet me nota të larta fanatizmi dhe ekstremizmi të shumë besimtarëve në postimet publike të predikuesve fetarë.

Për t’i paraprirë këtij rreziku shoqëror, është detyrë e medieve të reja dhe konvencionale, por veçanërisht e këtyre të fundit, që të marrin përsipër këtë detyrë të rëndësishme për mbarë shoqërinë. Mediat konvencionale akoma vijojnë të jenë një burim i rëndësishëm informacioni për mediet e reja, gjë që do të ndihmonte sadopak në rregullimin e kontentit virtual.

I së njëjtës rëndësi është angazhimi i shkollave të gazetarisë dhe komunikimit, por edhe atyre që kanë fokus shkencat sociale, të cilat ndoshta duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi komunikimit ndërkulturor dhe ndër personal.

Së fundi, rregullimi ligjor i hapësirës virtuale është një domosdoshmëri. Ligji për tregtinë elektronike duhet të përditësohet varësisht dinamikave të këtij sektori dhe të përcaktojë kushtet në të cilat kjo industri mund të shkojë përpara.
———————-
* Pedagog, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, Universiteti i Tiranës

Advertisements