Stabiliteti fetar në Shqipëri!

Nga Hysni Gurra *

Myslimanë që kremtojnë Pashke dhe të krishterë që kremtojnë Bajram, nuk besoj se tregon tolerancë fetare, një stabilitet fetar, po, do të thosha.
Ngase vjen ky stabilitet fetar?

Vjen nga besimi si dukje dhe jo si mënyrë jetese. Kremtimi i festave fetare nga “besimtarët” e feve të ndryshme, festimi “1Maji” kolektiv që pati zëvendësuar dikur festat fetare. Është konsumi, se janë po këta “besimtarë” të cilët festojnë festa pagane pafund. Urojnë me rastin e tyre për mbarësi, begati, tolerancë etj. Të njëjtat urime me festat fetare që kanë burim hyjnor.

Toleranca fetare ekziston midis besimtarëve që kryejnë ritualet e besimeve të tyre në mënyrë të përditshme, dhe respektojnë “tjetrin” për atë që është. Kjo ekziston vërtet në Shqipëri, ama nuk është ajo “toleranca fetare” për të cilën flitet lart e poshtë.

Përdoret shumë termi “tolerance fetarë” përdoret politikisht si mall eksporti, kjo ndodh ngaqë ne si vend nuk prodhojmë asgjë, diçka duhet të eksportojë politika, dhe përdor kësi fenomenesh.

A ka Shqipëria radikalizëm fetar?

Sigurisht që ka! Dhe radikalizmi fetar në Shqipëri nuk i përket vetëm një komuniteti fetar, sikurse paraqitet shpesh në media, atij islam. Ka radikalizëm edhe nga të krishterët apo fe të tjera, secila fe ka prirje të ketë brenda saj grupe radikale, të cilat keqpërdoren dhe përdoren herë pas here për qëllime mirëfilli politike. Rrjetet sociale janë një pasqyrë e mirë për ta identifikuar këtë.

Qëllimi i këtij artikulli nuk është të zhbëjë “tolerancën fetare” në Shqipëri, por as ta mitizojë një gjë të tille.

Ne kemi tolerancë fetarë sepse askujt nuk intereson dhe nuk e ka besimin si mënyrë jetese. Toleranca fetare është dialogu dhe respekti reciprok midis dy ose më shumë besimeve të ndryshme.

A kemi radikalizëm fetar?

Po, kemi! Por, edhe radikalizmin për këto shkaqe e kemi. Një individ që e ka fenë fasadë dhe jo mënyrë jetese, me një grusht para është i gatshëm të radikalizohet.

Nuk ka shqiptar që radikalizohet për shkak të qëllimeve ideologjike, as vehabi nuk bëhet kush për ideologji as jezuit.

Bëhet për para. Shteti shqiptar ka mekanizmat e duhur, në bashkëpunim edhe me partnerët të marrë masa kundër grupeve radikale, t’u ndërpresë burimet financiare, ndërprerja e burimeve financiare është një nga mënyrat më efikase për kontrollin dhe frenimin e radikalizmit fetar në rritje.

Unë përdora termin shteti, sepse shteti është koncept më i gjerë se politika për një vend.

Kjo e fundit, politika, duhet të heqë dorë, dhe kjo është urgjente, nga përdorimi politik i grupeve dukshëm të radikalizuara fetare në vend.

Përdorimi politik i fesë është rritur dukshëm në Shqipëri vitet e fundit. Politika të respektojë kushtetutën e shtetit shqiptare, e cila e ndan qartë këtë punë. Feja dhe politika në Shqipëri janë të ndara. Sa herë këto dyja t’i shohim krah njëra-tjetrës (fe-politikë) jemi duke parë shkeljen e “librit të shenjtë” të shtetit, kushtetutës.

Politika shqiptare duhet një herë e mirë t’i japë fund odisesë së çështjes së pronave të komuniteteve fetare në Shqipëri. Gangrena e kësaj çështje të pazgjidhur është një shkak tjetër i radikalizmit fetar në Shqipëri. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë më shumë pavarësi ekonomike për komunitetet fetare në vend, do të thotë më pak varësi nga donatorë të jashtëm. Donatorë të cilët mund të jenë shtete që sponsorizojnë terrorizmin apo grupe të caktuara që sponsorizojnë përhapjen e radikalizmit fetar nëpër bote, të kujtdo feje qofshin.

Feja dhe politika bashkë janë modele të provuara. Europa ka derdhur gjak për t’i vënë secilën në vendin e vet, Lindja po ashtu e ka provuar dhe po e provon edhe aktualisht një model të tillë.

Shqipëria duhet të ndjekë modelin europian në këtë aspekt.

Për ta kuptuar më qartë se radikalizmi fetar në Shqipëri është çështje sponsorizimi ekonomik, mjafton të hedhësh një sy në trajektoren dhe diskursin e individëve që përhapin këto ide.

Diskursi i tyre ka një kurbë të çuditshme, në fillim janë shumë radikalë, pastaj vijnë duke e zbutur qëndrimin e tyre, pastaj bëhen puritan fare. Kjo trajektore ndryshon vazhdimisht dhe është treguesi më i qartë se nuk është çështje ideologjike, tek shqiptarët, nuk po flas nëpër vende që janë burimi i radikalizmit fetar, është thjesht çështje paraje.

Masa të radikalizuara nuk ka, ka masa injorante të cilat ndjekin një rrugë të caktuar për shkak të informacioneve të cunguara, arsimit të pamjaftueshëm si edhe për dy para më shumë.
————–
* studiues

Advertisements