Gjendja e mohimit dhe përfshirja e besimtarëve ekologjikë

Nga Ani Bajrami *  

Në një të ardhme të afërt, klima do të vazhdojë të pësojë ndryshime të pakthyeshme dhe moti do të përkeqësohet. Ndryshimet do të shoqërohen me përmbytje të zonave bregdetare, thatësira dhe zvogëlim të tokave të mbjella, shkrirje të akullnajave, rritje të nivelit të detit, stuhi të rrëmbyeshme, zhdukje të florës dhe të faunës në Tokë. Më e keqja, këto ndryshime do të ndikojnë në destabilizimin e qeverive dhe me shumë gjasë, do të përshkallëzojnë konfliktet sociale që sjellin valë të mëdha migrimi. Faktori kryesor që cenon sigurinë dhe vazhdimësinë tonë si lloj në të ardhmen janë ndryshimet mjedisore të shkaktuara prej njeriut.

Pasojat e aktivitetit njerëzor, që lidhen me mënyrat e jetesës, më së shumti, mendësia konsumiste dhe mbishfrytëzimi i resurseve natyrore, dhe botëkuptimi i gjithsecilit, përkthehen në qëndrimet dhe sjelljet karshi mjedisit. Ky botëkuptim, formësohet kryesisht prej bindjeve politike dhe atyre fetare. Të dhënat prej sondazheve flasin qartë. Sot për sot, ekziston një mospërputhje mes publikut dhe shkencëtarëve lidhur me ndryshimet klimatike dhe evolucionin. Gjendja e mohimit të publikut përballë fakteve është shqetësuese.

Kështu, prej një sondazhi të realizuar nga Gallup në vitin 2018, rezultoi se 64 për qind e publikut amerikan mendojnë se ngrohja globale i detyrohet aktivitetit njerëzor kundrejt 97 për qind të shkencëtarëve që mendojnë se ngrohja globale i detyrohet aktivitetit njerëzor. Këto të dhëna bëjnë kuptim. Kjo pasi më shumë se gjysma e amerikanëve mendojnë se ndryshimet klimatike nuk ndikojnë jetesën e tyre dhe se pasojat e këtyre ndryshimeve, mund të ndodhin në një të ardhme të largët. Mbase diku në vitin 2050 deri në vitin 2100. Opinioni i amerikanëve lidhur me ndryshimet klimatike shfaq nuanca të theksuara politike. Republikanët janë më pak të prirur të mendojnë se ngrohja globale duhet marrë në konsideratë dhe se do të ndikojë të ardhmen tonë si lloj.

Në mënyrë të ngjashme, prej një sondazhi të realizuar nga Pew Research Center në vitin 2009, rreth 61 për qind e publikut amerikan pranojnë pohimin se “organizmat e gjallë, përfshirë njeriun, kanë evoluar në kohë” kundrejt 97 për qind të shkencëtarëve që e pranojnë këtë pohim. Gjithashtu, vetëm 32 për qind e publikut amerikan mendojnë se evolucioni i detyrohet ndodhjes së proceseve natyrore të tilla si përzgjedhja natyrore, kundrejt 87 për qind të shkencëtarëve që e pranojnë këtë fakt. Ndërkaq, prej një studimi të realizuar në Shqipëri në vitin 2016, rezultoi se 64 për qind e tyre pothuajse e pranojnë se ndodh evolucioni. Mospërputhja mes publikut dhe shkencëtarëve është domethënëse. Çfarë i thotë mendja besimtarëve?

Fetë e mëdha monoteiste, kanë komponentë mjedisorë. Për hindutë, koncepti i mbrojtjes së mjedisit nuk ndahet prej mësimeve fetare. Hindutë recitojnë mantrat ditë për ditë për të nderuar lumenjtë, malet dhe kafshët. Mendimi se besimtarët, nuk mund të kuptojnë dhe të interpretojnë ndryshimet mjedisore nuk vlen. Secila fe pëson ndryshime, të përputhshme me zhvillimet shoqërore dhe roli i besimtarëve si agjentë ndryshimorë ka shumë rëndësi. Dikur, me shfaqjen në media dhe propagandimin e problemeve mjedisore, të krishterët mendonin se këto probleme, thelbësisht shkencorë, nuk i përkisnin atyre.

Në fakt, kanë të drejtë. Fundja, ndryshimet mjedisore kanë shpjegim shkencor dhe janë objekt studimor i shkencës. Por distancimi i tyre nga shpjegimi shkencor nuk vlen për të ardhmen. Rasti e do, që si agnostikët, si ateistët ashtu dhe besimtarët, jetojnë në Tokë dhe të gjithë do të përballen me rreziqet e shkaktuara prej ndryshimeve klimatike. Por fatmirësisht, përpjekjet e udhëheqësve fetarë dhe besimtarëve nuk mungojnë.

Kështu, në qershor të vitit 2015, Papa Françesku i bëri thirrje katolikëve t’i kushtonin më shumë vëmendje ndotjes, ndryshimeve klimatike dhe ruajtjes së larmisë së botës së gjallë. Ky është një mesazh i vlefshëm dhe rrezatues për besimtarët katolikë. Nga ana tjetër, prej një kohe të gjatë, themeluesi dhe drejtuesi i Fondacionit Islamik për Ekologjinë dhe Shkencat Mjedisore, Fazlun Khalid, ka vite që i është përkushtuar ndërgjegjësimit dhe edukimit mjedisor të myslimanëve.

Në Shqipëri, përveç studiuesve dhe aktivistëve mjedisorë, në dijeninë time, udhëheqësit fetarë, nuk e kanë ngritur zërin publikisht për problemet mjedisore në përgjithësi, dhe në veçanti, për ato vendase. Nuk i njoh arsyet e mospërfshirjes së tyre për ndërgjegjësimin e besimtarëve mbi problemet mjedisore me të cilat përballemi. Dhe nuk kemi pak probleme mjedisore. Pas viteve ’90, shpyllëzimi dhe humbja e biodiversitetit kanë njohur rritje. Ndotja e ujit dhe ajrit si dhe përmbytjet në zonat bregdetare prekin shëndetin dhe ekonominë tonë.

Përballë rreziqeve që na kërcënojnë, zgjidhja e vetme është përfshirja e gjithsecilit. Shkencëtarët, liderët fetarë, aktivistët, besimtarët dhe kushdo tjetër duhet ta ushtrojnë të drejtën e tyre si qytetarë. Vendimmarrjet e duhura mjedisore sot do i shërbejnë të nesërmes: jetesës së përbashkët në një mjedis të shëndetshëm. Mospërfshirja është mendjelehtësi. Dhe përzgjedhja, favorizon vetëm ata që i zgjidhin si duhet problemet e mbijetesës. Pjesa tjetër, duhet të bëjë llogaritë me kostot e larta që shoqërojnë ndryshimet mjedisore. Në mos, zhdukjen për fare tonën dhe të organizmave të tjerë të gjallë.

————————-

* Antropologe, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT

 

 

Advertisements