Figura jashtë kontekstit e klerikut nacionalist

Nga Emirjon Senja *

Koncepti i populizmit është trajtuar gjerësisht nga studiues të ndryshëm të shkencave sociale. Ata janë fokusuar kryesisht në aspektin politik dhe ekonomik të tijin, përmes të cilave gjen kryesisht terren.

Në librin e tyre “Populizmi: Një hyrje shumë e shkurtër”, Cas Mude dhe Cristobal Rovira Caltwasser e shpjegojnë këtë fenomen si në një përplasje mes “masave popullore të pastra” dhe “elitave të korruptuara” duke mbjellë idenë se në fund, do të jetë “vullneti i popullit” ai që do të triumfojë.

Një përplasje e ngjashme mes dy grupimeve vërehet edhe sa i përket populizmit religjioz, vetëm se kësaj radhe ndarja është mes “nesh” dhe “atyre” dhe në fund, do të triumfojë “vullneti i Zotit”, i cili sigurisht që është gjithmonë me “ne”.

Për fat të mirë, në Shqipëri nuk vërehen tensione që rrjedhin prej populizmit religjioz, megjithatë nuk mund të mohojmë që në foltoret e kishave dhe xhamive ka filluar të shfaqet një lloj tjetër populizmi, i cili merr jetë përmes figurës së “klerikut nacionalist”.

Në jo pak raste, fjalimet që përçohen prej aty karakterizohen nga një nivel i ulët i përmbajtjes mbi besimin dhe shpjegimin e tij duke u mbushur kryesisht me fjali klishe mbi tematika të tjera edhe pse, objektet e kultit janë pikërisht vendi ku më shumë së gjithkund tjetër, besimtarët duhet të mësojnë mbi besimin e tyre.

Ndryshe nga populistët klasikë, të cilët përdorin mesazhin për të ndikuar masat kryesisht për qëllimet e tyre politike, kësaj radhe raporti është invers. Në këtë mënyrë, kleriku përdor besimtarët që ka përballë si një shkak për të dhënë mesazhet, përmes të cilave formëson imazhin e një predikuesi patriot, një “kostum”, të cilin mund ta përdorë lehtësisht më pas në shërbim të projekteve të tjera personale në të ardhmen ose si mburojë ndaj paragjykimeve mbi identitetin kombëtar.

Edhe pse besimet që ata predikojnë bashkëjetojnë prej shekujsh në këto troje, me vetëdije ose jo, ka klerikë që sugjestionohen shpesh nga pyetje që kërkojnë të nxjerrin në pah nëse kanë të parin identitetin fetar apo atë kombëtar. Është një pyetje kurth në të cilën shumë syresh bien në të duke tentuar më pas që të dalin në forma të ndryshme, ku më klasikja është të bërit të nacionalistit.

Duket krejt i panevojshëm kalimi në sforcime të tilla të tyre për të vërtetuar se janë patriotë, pasi shembujt profetik, të cilët ata predikojnë kanë përforcuar dashurinë për vendlindjen, e cila as nuk mbivendoset, por as nuk e zëvendëson besimin dhe anasjelltas.

Përballë këtij presioni të perceptuar, si edhe nevojës për t’u vetofruar si predikues gjithëpërfshirës, shpesh gjendet si zgjidhje bërja sa më shumë “light” e referateve të tyre duke i zhveshur jo pak nga përmbajtja mbi fenë, vendin e së cilës e zënë më shumë tematikat që zëvendësojnë predikimin dhe devijojnë nga qëllimi i tubimit të besimtarëve.

Në shumicën e rasteve, shembujt merren nga priftërinjtë dhe imamët që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në formësimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, por fatmirësisht konteksti i sotëm nuk është ai i para një shekulli.

At Gjergj Fishta, Hafiz Ibrahim Dalliu apo Hafiz Ali Korça janë referencat kryesore të një artikulimi të tillë, i cili në raste të tilla del kryesisht nga rrafshi religjioz duke shfrytëzuar kështu një kontekst të një periudhe tjetër.

Të trija figurat e mësipërme, kanë jetuar dhe ushtruar aktivitetin e tyre në një periudhë kur rrezikohej uniteti kombëtar i shqiptarëve. Kështu, nëse më shumë se një shekull më parë nevojitej bashkimi i shqiptarëve përballë rrezikut të copëtimit dhe asimilimit, sot nevojitet një shoqëri, e cila në prizmin e religjionit ka nevojë për vlera dhe besim ku nxitet vetëdija dhe përgjegjshmëria qytetare.

Dje ishte kombi në rrezik, kurse sot është institucioni i familjes ai që rrezikon të shpërbëhet. Shembujt botërore kanë treguar se në kushte normale dashurinë për atdheun e mësojnë familja dhe shkolla, kurse hoxha dhe prifti mësojnë besimin, moralin dhe predikojnë mbi drejtësinë hyjnore.

Klerikët i kanë borxh shoqërisë shpjegimin e pastër të fesë dhe besimit larg influencave jo të natyrshme, të cilat ndërhyjnë dhunshëm duke shkatërruar traditën e gdhendur prej shekujsh të bashkëjetesës.

Problemet më të mëdha shoqërive u kanë ardhur nga injoranca. Injoranca në lidhje me besimin duket të jetë edhe shkaku kryesor i problemeve që kanë sot shoqëritë edhe me ekstremizmin e dhunshëm, i cili nxjerr krye pikërisht me flamurin e fesë.

Jo më kot, studime të ndryshme kanë nxjerrë në pah faktin se ata që janë të gatshëm të bëjnë veprime të dhunshme në emër të fesë, janë në fakt njohës në nivele të cekëta të besimit të tyre. Nisur nga rrethanat e reja të krijuara, duket se shërbimi më i madh që një klerik mund bëjë atdheut është pikërisht kontributi në formimin e një qytetari të përgjegjshëm, të vetëdijshëm dhe me njohuri të qarta në lidhje me besimin e tij.

Në një profilizim që Zyra Kundër Terrorizmit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara i bëjnë personave që luftojnë në emër të IS në Siri, rezulton se ata kanë në mënyrë të përciptë njohuri sa i përket besimit Islam. “Shumica e tyre e percepton fenë në termat e vendosjes së drejtësisë ndaj padrejtësive që u ndodhin myslimanëve në botë më shumë se sa në aspektin mëshirës dhe spiritualitetit”, citohet në studim.

Prandaj, sfida më e madhe mbetet shpjegimi i besimit në dimensionin e tij të vërtetë, larg shtrembërimeve dhe populizmave, prej të cilave shoqëritë e sotme janë duke përjetuar turbullira të mëdha.

——————

*Gazetar

Advertisements