Toleranca fetare, ekstremizmi i dhunshëm dhe roli i medias

Nga Lutfi Dervishi *

“BE ka shumë për të mësuar për “tolerancën fetare” tuajën”. Kjo frazë është artikuluar shpesh nga të huaj dhe togfjalëshi “tolerancë fetare” është cilësuar si malli më i çmuar që eksportojmë drejt BE-së. Por miti i tolerancës fetare, një realitet që nuk mund të mohohet, është ngritur aq lart sa janë lënë pas dore probleme serioze dhe pyetje të rëndësishme kanë mbetur pa marrë përgjigje.

Vend i tolerancës dhe fetare (!) dhe toleranca mungon në politikë, në jetën e përditshme dhe sidomos në jetën virtuale?

Globalizmi, interneti, mediat sociale, radikalizmi, ekstremizmi dhunshëm, dhe lufta e viteve të fundit në Siri ka risjellë në qendër të debatit raportin e medias me ekstremizmin dhe nevojën për të folur më pak dhe për t’u kujdesur më shumë për tolerancën fetare. Monopoli  i medias tradicionale në kushtet e përhapjes dhe shumëfishimit të mesazhit përmes rrjeteve sociale nuk ekziston më. Individë që bëhen vetë media janë lojtarët e rinj në fushë dhe beteja për vëmendje dhe ndikim është më e ashpër dhe më e sofistikuar se kurrë ndonjë herë tjetër në historinë e njerëzimit.

“E vetmja gjë e re në këtë botë është historia që nuk na e kanë treguar. Njerëzit priren të bëjnë të njëjtat proçka, dhe të njëjtin budallallëk, sepse ne harrojmë”- thoshte Harry Truman ish Presidenti SHBA-së.

Roli i medias dhe klerit në fillim të shekullit kaluar shfaqen qartë në botimet e kohës.

“Zani i naltë” dhe “Hylli Dritës” – dy botime me ndikim të madh në elitën shqiptare në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar – kanë plot artikuj që i mëshojnë nevojës së kultivimit të tolerancës fetare në një vend si Shqipëria me tre fe. Pothuaj 100 vjet më parë këto revista prestigjioze me shkrimet e tyre kërkonin të ndikonin, por në vathën e tyre.

“Dikush  vojt nji ditë para Pejkamberit të dashunit të Zotit dhe ju lut qi t’i mësonte ndonjë dijenie të çuditshme. Ai prej gojës së vet derdhi këto fjalë: vene dorën në zemër e ushqe të njajtin mejtim për të gjithë vëllazënt e tue. Çka e mirë a e keqe të duket për vedi, kështu të duket edhe për tjetrit.

Asht për t’u përmend këtu, se ai parim i nevojshëm për themelim të jetës shoqnore, nuk na urdhnohet qi të ndiqet vetëm në mes të myslimanëvet. Jo, përfshijnë njerzët tjerë që s’janë të njajtës fe; me i dashtë e me pas dhimunie për ata” (Zani Naltë, 1923)

Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave të brishtë fetarë, lajtmotivin “feja e shqiptarit është shqiptaria”

Në një replikë me Hyllin e Dritës: mos qisim ngatërresa. Ca ma tepër duhet me i vu mendimin kësaj copës Atdhe qi na fali Zoti. Përndryshe mëkatin e pastë shkatrrimtari.”

Pothuaj 100 vjet më pas në qershor të 2018- liderët e 5 komuniteteve fetare bënë një letër të përbashkët për BE-në ku kërkojnë që Shqipëria të hapë negociatat.

Një klerik katolik në Shkodër, në fillim të shtatorit 2018, foli kundër dhunës që po merr jetë njerëzish: “Ju mund t’i fshiheni, policisë, ju mund t’i ikni ndëshkimit të gjykatës, por nuk mund t’i ikni ndëshkimit të Zotit”.

“Kush vret një të pafajshëm është njëlloj sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin”- thuhet në Kuran.

Toleranca fetare tradicionalisht në Shqipëri është injektuar, ruajtur dhe kultivuar nga kleri. Por nëse në fillim të shekullit të kaluar fjala e klerit ishte ligji, sot, në kushtet e shoqërisë moderne, në kushtet e cunamit teknologjik, roli, hapësira dhe pesha e klerit është zvogëluar. Po kështu edhe roli, hapësira dhe ndikimi i medias tradicionale nuk është më ai që ka qenë.

Festat fetare janë pasqyruar shabllon me kronika ku protagonistë vijojnë të bëhen liderë politikë. Rastet kur vetë liderët politikë ngatërrojnë datat, kuptimin dhe mesazhin nuk kanë munguar. Por ajo që bie në sy është mungesa e reporterëve të specializuar. Nëse kemi reporterë shumë të mirë për kronikën e zezë, politikën, sportin, kulturën, ekonominë, teknologjinë, por mungojnë gazetarë që të mbulojnë me profesionalizëm çështjet fetare.

Rikthimi gjuhës së urrejtjes në internet dhe median sociale është një tjetër sfidë: në kushtet e reja nuk është më vetëm familja, shkolla dhe shoqëria e ngushtë që ndikon tek individi, radikalizimi dhe ekstremizmi ushqehen përmes rrjeteve sociale.

Sfida e medias në përballjen me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm mbetet besueshmëria, njohja e problemit dhe rrënjëve të tij dhe përballja me argumente dhe fakte. Baza e radikalizmit mbetet injoranca dhe antidoti më i mirë është informacioni i plotë dhe i verifikuar.

Rolin e medias, efikasitetin e kanaleve të komunikimit dhe ndikimin e mesazhit duket se e ka kapur më mirë “pala tjetër”.

Narrativa e tyre është e thjeshtë dhe e “kuptueshme”: po vjen fundi botës. Ata që luftojnë për një botë të pastër do të shpërblehen në parajsë”. Gjuha që përdorin është e thjeshtë, tregimi me gisht i “fajtorit” akoma më i thjeshtë. Në epokën post truth, ekstremistët më shumë se fakteve dhe argumenteve i mëshojnë emocionit. Ata janë në kërkim të zgjidhjeve të thjeshta: “dhunë ndaj djallit/armikut”.

Synimi tyre është indiferenca e publikut, identifikimi i simpatizantëve dhe kthimi i tyre në aktivistë.

Është fakt se përdorimi i rrjeteve sociale nga ekstremistët ka qenë më efikas se vetë media tradicionale që ka mbetur pas.

Përballja online dhe me median tradicionale me ekstremistët nuk është betejë e lehtë, por është një betejë që nuk është vetëm e medias. Gjithsesi medias i mbetet një prej roleve kryesorë: informimi dhe përballja me të vërtetën.

——————

* Gazetar

Advertisements