Radikalizmi fetar dhe siguria kombëtare

Nga Albert Rakipi *

Si pjesë e  një reflektimi në nivelin teorik dhe praktik të kërcënimit që paraqet ekstremizmi fetar për sigurinë kombëtare dhe globale, debati në Shqipëri fillimisht është përqendruar pothuajse rreth një çështjeje: A janë shqiptarët tolerantë kur bëhet fjalë për besimet fetare, a ka vërtet bashkëjetesë midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. Konkluzionet ishin gjithashtu kategorike dhe ekstreme: Bashkëjetesa dhe harmonia janë një mit. Arsyeja përse shqiptarët bashkëjetojnë ndërsa kanë fe të ndryshme, është se ata thjesht në përgjithësi nuk janë besimtarë.

Ky artikull nuk analizon shkaqet apo faktorët që e kanë bërë të mundur një bashkëjetesë paqësore midis komuniteteve që kanë besime të ndryshme fetare, madje e merr të mirëqenë tezën e bashkëjetesës dhe të harmonisë fetare në Shqipëri. Në fakt, edhe ata që e arsyetojnë bashkëjetesën fetare me argumentin se shqiptarët nuk janë besimtarë, edhe ata që pretendojnë se bashkëjetesa /harmonia fetare është një mit, nuk e kundërshtojnë faktin se kjo bashkëjetesë/ harmoni ekziston, përderisa nuk mund të sillet asnjë episod i një konflikti fetar, të urrejtjes fetare, të përçarjes fetare, të mobilizimit politik apo social mbi baza fetare, as gjatë 30 vjetëve të fundit dhe as gjatë periudhës së regjimit komunist, e madje edhe më herët.

Ky artikull nuk synon të shqyrtojë përse feja në Shqipëri nuk ka qenë historikisht një ideologji përmes së cilës organizohet shoqëria, aq më pak shteti, dhe sidomos të identifikohet dhe organizohet kombi.

Këtu argumentohet se ekstremizmi fetar, që aktualisht shfaqet me radikalizmin e një islamizmi politik, ndonëse nuk është një fenomen shqiptar, përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Artikulli gjithashtu argumenton se, ndërsa bashkëjetesa apo harmonia fetare, pavarësisht nga faktorët që i kanë bërë të mundur, nuk mund të merren të mirëqena të përhershme dhe të garantuara. Rritja e grupeve xhihadiste dhe zgjerimi i influencës së tyre jo vetëm përbën në vetvete një kërcënim në rritje jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe sigurinë ndërkombëtare, por përmban edhe rrezikun e cenimit të bashkëjetesës/harmoninë fetare, çka do të ishte me pasoja fatale për sigurinë, stabilitetin e madje edhe për të ardhmen e vendit.

Ringjallja e Shqipërisë fetare në Shqipërinë paskomuniste

Rënia e regjimit komunist më 1990-n zbuloi një trashëgimi ekstreme në çështjet e lirisë fetare në Shqipëri. Në përpjekje për të konsoliduar pushtetin e tyre, komunistët qysh në fillim ndërmorën një fushatë persekutimesh të ashpra ndaj klerikëve shqiptarë, kryesisht katolikë, duke i shpallur ata tradhtarë, si bashkëpunëtorë të fashizmit. Si në asnjë vend tjetër të Lindjes komuniste, në Shqipëri besimet fetare u nxorën jashtë ligjit, ndërsa institucionet fetare, në frymën e revolucionit kulturor kinez ose u shkatërruan, ose u shndërruan në qendra të propagandës të regjimit të ri. Regjimi arriti në një kohë relativisht të shpejtë të eliminonte besimin fetar dhe institucionet përkatëse si një qendër potenciale rivalizuese pushteti. Ndryshimet demokratike të vitit 1990 krijuan shanset dhe kushtet për rikthimin e lirisë fetare, zhvillimin e feve dhe të institucioneve përkatëse, por gjithashtu dhe daljen në skenë të sekteve fetare, shpeshherë radikale dhe daljen jashtë kontrollit të autoriteteve përkatëse, që deri më sot kanë qenë një nga garancitë për të siguruar bashkëjetesën fetare në vend.

Gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit, qysh nga rënia e regjimit komunist, liritë dhe institucionet fetare janë zhvilluar në një kontekst shumë dinamik të transformimit politik, ekonomik dhe të shoqërisë me rindërtimin e shtetit, dhe rindërtimin e marrëdhënieve të reja midis shoqërisë dhe shtetit. Zhvillimi i lirive fetare dhe institucioneve përkatëse është influencuar thellësisht nga procesi politiko-ekonomik dhe social i tranzicionit paskomunist.

Nga ana tjetër, procesi i zhvillimit të lirive fetare dhe institucioneve fetare në Shqipëri ka qenë gjithashtu nën influencën e faktorëve të jashtëm (institucione fetare, shtete, organizata, si dhe zhvillimet ndërkombëtare ekstreme që lidhen me radikalizmin fetar, fundamentalizmin islamik dhe angazhimin e këtij të fundit në objektiva politike duke përdorur dhunën dhe në mënyrë të veçantë aktet terroriste) që burojnë nga fakti që pas vitit 1990, Shqipëria ishte një vend i hapur.

Në ringjalljen e besimeve fetare në Shqipëri e në mënyrë të veçantë të besimit islamik, kanë ndikuar ndjeshëm të paktën dy faktorë:

Së pari, varfëria ekstreme e Shqipërisë paskomuniste dhe pamundësia e shtetit për të mbështetur procesin e rindërtimit të institucioneve fetare dhe funksionimin e tyre. Kisha dhe Xhamia shqiptare si institucione nuk ishin shkatërruar vetëm fizikisht, por ishin zhveshur nga çdo lloj pronësie dhe ringjallja e tyre fillonte nga niveli zero. Në këtë kontekst, një numër fondacionesh dhe organizatash, kryesisht nga Lindja e Mesme, por jo vetëm, e mbushën këtë vakum duke ndihmuar materialisht rindërtimin dhe funksionimin e institucioneve fetare, duke imponuar në shumicën e rasteve një kulturë fetare të ndryshme ose shumë të ndryshme nga kultura tradicionale fetare në Shqipëri.

Së dyti, ringjallja e Shqipërisë religjioze, në mënyrë të veçantë për sa i takon besimit islam, ballafaqohej me një vështirësi tjetër. Kjo ishte mungesa e theksuar e klerikëve myslimanë dhe mungesa apo pamundësia e institucioneve arsimore për të përgatitur klerikët e ardhshëm.

Kjo situatë nxiti një numër të madh studentësh shqiptarë t’u drejtoheshin universiteteve teologjike, përveç Turqisë, kryesisht në Lindjen e Mesme por edhe deri në Malajzi etj. Shkalla e ndikimit të këtyre dy faktorëve në deformimin e islamizmit tradicional shqiptar është sigurisht e debatueshme, por është jashtë çdo dyshimi se ato kanë ndihmuar në imponimin e një kulture tjetër fetare në Shqipëri, që nuk përputhet me atë tradicionale.

Ndalimi i besimeve fetare dhe shkatërrimi i institucioneve fetare ishte një proces që shkoi paralel me izolimin e vendit. Ndërkaq, ringjallja dhe rikthimi i lirive fetare gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit ndodhi njëkohësisht me thyerjen e izolimit dhe hapjen e shpejtë të Shqipërisë drejt Perëndimit, me të cilin regjimi i mëparshëm kishte krijuar një armiqësi të posaçme.

Pavarësisht nga rilindja e lirisë fetare, komunitetet fetare në Shqipëri nuk patën asnjëherë ndonjë ndikim në vendimmarrjen dhe politikën e shtetit shqiptar.

Ringjallja fetare në Shqipërinë paskomuniste ka ruajtur, pohuar dhe zhvilluar një karakteristikë themelore unike: bashkëjetesën e shkëlqyer dhe harmoninë midis besimeve fetare. Kjo bashkëjetesë midis feve të ndryshme nuk ka qenë e imponuar apo një produkt i Shqipërisë komuniste, ku regjimi ndaloi me ligj praktikimin e besimit.

Zhvillimi i lirive fetare, rindërtimi i institucionit të besimit, institucioneve dhe kulturës së praktikimit të fesë është ende një proces që vijon ashtu sikundër i gjithë procesi i transformimit politiko-ekonomik dhe ai i modernizimit të shoqërisë shqiptare.

Historikisht, feja në Shqipëri nuk ka shërbyer si një ideologji organizuese as për shtetin dhe as për kombin dhe për shoqërinëReligjioni nuk është një komponent që mund të përcaktojë identitetin shqiptar. Megjithatë shoqëritë shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi shfaqen të jenë më religjioze , ku komponenti fetar është më i theksuar. Kjo manifestohet herë pas here me një tendencë për ta pohuar përkatësinë fetare, por pa shkuar te shndërrimi apo konceptimi i fesë si një ideologji përmes së cilës duhet të ndërtohet kombi, shteti apo duhet të organizohet shoqëria. Duke pasur parasysh ndarjet etnike midis shqiptarëve dhe popullsisë sllave (serbe, maqedonase, etj) në Kosovë dhe Maqedoni, identiteti fetar ka qenë element identifikues që i ka bërë shqiptarët e këtyre vendeve më religjiozë sesa shqiptarët brenda kufijve të shtetit shqiptar.**

Zhvillimi i lirive dhe institucioneve fetare për të tre besimet kryesore në Shqipëri: mysliman, katolik dhe ortodoks ka pasur dinamikat e veta, dhe ato janë ndikuar gjerësisht nga zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë, për shkak të një sërë kontekstesh të zhvillimeve lokale dhe ndërkombëtare, përpjekjet për ringritjen e islamizmit tradicional shqiptar, përpjekjet për zhvillimin dhe modernizimin e tij kanë qenë disa herë kontroversale dhe problematike. Një arsye ndoshta duhet kërkuar te fakti që vetë islamizmi në një rrafsh ndërkombëtar është në një proces tranzicioni, reformimi dhe modernizimi, përballë një tendence dhe realiteti të radikalizmit ekstrem. Në Shqipëri, ringjallja e besimit islamik dhe rikrijimi i institucioneve përkatëse, pavarësisht se është mbështetur te një veçori themelore dhe aspak e papërfillshme, siç është bashkëjetesa me besimet e tjera, nuk ka qenë i imunizuar nga tendencat radikale ekstreme.

Faktorët e rinj të re-securitization të besimit fetar

Qysh nga rënia e regjimit komunist njëzet e pesë vjet më parë, rreziku i securitization-it të besimit fetar, i shndërrimit të një besimi fetar në një problem sigurie, pra në një kërcënim, ka qenë gjithmonë e më i pranishëm.

Deformimi i islamizmit në doktrinë dhe në praktikë për shkaqe dhe faktorë që i shpjeguam më sipër (kultura dhe praktika e importuar nga institucionet teologjike të Lindjes së Mesme, influenca e organizatave, fondacioneve, por në njëfarë mase edhe e shteteve përkatëse të këtyre institucioneve) ka përbërë një kërcënim real për securitization-in e besimit fetar dhe posaçërisht të atij islam.

Lufta për pushtet brenda përbrenda komunitetit islam ka qenë një faktor tjetër që ka ndikuar në procesin e re-securitization të besimit fetar.

Shteti dhe politika ndonëse përgjithësisht kanë qenë neutralë në marrëdhëniet me besimin dhe institucionet fetare, hera-herës kanë nxitur securitization e besimit fetar të paktën për tri arsye: Shteti ka qenë i varfër për të mundësuar pavarësinë e ringjalljes fetare, ndërtimin e institucioneve fetare dhe zhvillimin e lirive dhe besimeve fetare jashtë ndikimeve të jashtme, në mënyrë të veçantë atyre ndikimeve që preknin thelbin e çdo besimi fetar në Shqipëri: jo konkurrencën dhe bashkëjetesën.

Së dyti, shteti dhe politika në përgjithësi kanë qenë të pavëmendshëm apo dhe jo aq të gatshëm për të ndihmuar konkretisht ringjalljen e besimeve fetare në Shqipëri përmes, për shembull, kthimit apo kompensimit të pronave dhe pasurive të tjera të besimeve fetare, të sekuestruara nga regjimi komunist; krijimit të infrastrukturës së nevojshme për përgatitjen dhe arsimimin gjeneratës së re të klerikëve, që do të merrte përsipër tranzicionin. Në vend të kësaj mbretëroi spontaniteti dhe shteti shqiptar krijoi një vakum që u mbush me shpejtësi nga aktorë të tjerë, qofshin shtete apo organizata/fondacione të cilat ndikuan jo pak në deformimin e islamizmit në Shqipëri.

Së treti, ndonëse shteti dhe partitë në Shqipërinë politike të paskomunizmit kanë qenë përgjithësisht neutralë ndaj besimeve fetare dhe institucioneve të tyre përkatëse në kushtet e një konflikti të ashpër politik, që ka dominuar tranzicionin shqiptar, partitë politike janë përpjekur të ndërtojnë aleanca me besimet fetare në mënyrë të tillë që të krijonin avantazhe në garën politike gjithmonë të kontestuar.

Deri në shfaqjen e xhihadistëve shqiptarë që shkojnë “vullnetarë” për të luftuar për shtetin islamik në Siri dhe Irak, rreziku i securitization të besimeve fetare dhe posaçërisht atij islamik në Shqipëri, lidhej me zhvillimet brenda Shqipërisë. Dhe kërcënimi themelor ishte cenimi dhe minimi i bashkëjetesës/harmonisë fetare në Shqipëri, që është themelore për sigurinë kombëtare.

Ndonëse rreziku i ‘securitization-it të fesë’ (shndërrimi i fesë në një çështje dhe problem sigurie) e në mënyrë të posaçme asaj islame, ka ekzistuar gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve të hapjes së Shqipërisë, që përkojnë edhe me ringjalljen e besimeve fetare, është hera e parë që vërehen me shqetësim përpjekje dhe sjellje radikale ekstreme, të kriminalizimit të fesë, që shfaqet përmes fenomenit të “mercenarizmit religjioz”.

Prania e shtetasve shqiptarë ose me kombësi shqiptare në radhët e xhihadistëve nga Ballkani, që luftojnë në Siri apo Irak, ka zbuluar një realitet pothuaj të pabesueshëm dhe për fat të keq të neglizhuar: ekzistencën e individëve apo grupeve ekstremiste radikale në një vend ku islamizmi shfaqet dhe funksionon në frymën më të moderuar të mundshme, në një shoqëri ku besimet fetare janë tërësisht periferike në përcaktimin e identiteteve dhe ku si në asnjë vend tjetër midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve ka një bashkëjetesë të shkëlqyer deri në harmoni.

Kjo është një dukuri e re në Shqipëri që muajt e fundit ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar. Kjo gjithashtu është dhe një dukuri botërore që ka përfshirë shtetas nga vende të Lindjes dhe Perëndimit, të cilat kanë dinamika të ndryshme kulturore dhe shoqërore në lidhje me fenë. Edhe pse shifrat janë ende të pakonfirmuara për Shqipërinë, mendohet të jenë mbi rreth 100 shtetas shqiptarë që i janë bashkuar thirrjes se ISIS për të luftuar për xhihad.

Ky problem që është në fillimet e veta, në qoftë se nuk studiohet dhe në qoftë se neglizhohet, atëherë përmasat e tij do të zmadhohen. Ndaj është me rëndësi që të ketë një diskutim të hapur e të mirinformuar për masat që duhet të marrin shteti shqiptar dhe komunitetet fetare për të parandaluar nxitjen e mëtejshme të frymës radikale në Shqipëri dhe rajon.

Po cilat janë shkaqet dhe faktorët që arrijnë të mobilizojnë “vullnetarë xhihadistë nga Shqipëria “për të luftuar për shtetin islamik”.

Të paktën tre janë faktorët me të cilët mund të kuptojmë dhe shpjegojmë fenomenin e xhihadizmit në Shqipëri.

Së pari, mungesa e shtetit dhe dështimi i tij për t’u siguruar qytetarëve shërbimet bazë. Përgjithësisht, shteti i paskomunizmit ka qenë dhe vijon të jetë i dobët për nga shkalla e funksionimit dhe shërbimeve që duhet t’u ofrojë qytetarëve. Shumica e xhihadistëve shqiptarë vijnë nga zona rurale të varfra ose shumë të varfra. Në disa zona malore dhe të varfra në rrethet Dibër, Elbasan dhe Pogradec, shteti pothuajse nuk është i pranishëm, duke krijuar kështu një vakum që duket se është mbushur nga aktorë të tjerë. Këta aktorë jo në mënyrë të domosdoshme janë organizata kriminale. Në rastin e varfërisë ekstreme dhe pamundësisë për të mbijetuar, mercenarizmi religjioz i xhihadistëve është një komponent i krimit të organizuar. Kjo nuk e shmang komponentin politik të problemit, sepse rekrutimi i xhihadistëve duke përfituar nga varfëria, në fund të fundit, ka një qëllim për islamizmin politik. Por çështja është se, nëse shteti apo aktorë të tjerë do të ishin të pranishëm, atëherë rekrutimi duke shfrytëzuar varfërinë do të ishte shumë i vështirë, në mos i pamundur.

Një faktor tjetër që mund të shpjegojë ushtrinë tonë të vogël të xhihadistëve mund të jetë thjesht mercenarizmi. Xhihadistët nuk udhëhiqen nga një ideologji fetare e deformuar, por janë thjesht mercenarë. Lufta është një mundësi e shkëlqyer për profesionin e hershëm të vjetër sa njeriu të mercenarizmit.

Së treti, vullnetarët që shkojnë për të luftuar për shtetin islamik mund të jenë të manipuluar apo të indoktrinuar. Disa prej deklaratave dhe komenteve publike të disa prej vullnetarëve shqiptarë të xhihadit e konfirmojnë këtë tezë.

Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, xhihadistët nuk janë as të varfër, as idealistë, as të indoktrinuar, as mercenarë si profesion, por ata thjesht kërkojnë një kuptim për jetën e tyre për të ardhmen.

Është paradoksale të shikosh se, nga njëra anë, qeveria shqiptare ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme luftën kundër terrorizmit, duke kontribuar përveç me materiale dhe armë edhe me ushtarë, kurse nga ana tjetër, nga Shqipëria nisen ushtarë vullnetarë “të vendosur për xhihad në emër të kalifatit të ri”. Një zhvillim i mëtejshëm i prezencës dhe aktivitetit të frymës radikale të këtij lloji mund të shkaktojë kundërpërgjigje të rrezikshme ndaj iniciativave ushtarake të ndërmarra nga shteti shqiptar si pjesëtar i NATO-s dhe koalicioneve ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit.

Ky zhvillim bëhet edhe më dramatik dhe më kërcënues po të mbajmë parasysh se shumica e xhihadistëve të Ballkanit i bashkon përkatësia etnike. Shumica janë shqiptarë, kryesisht nga Maqedonia, Kosova, por edhe Shqipëria. Episode të tmerrshme kriminale të aksioneve dhe veprimeve të xhihadistëve shqiptarë janë të pranishme në mediat ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale

 Radikalizmi fetar, çfarë rrezikohet?

Vala e tretë e xhihadizmit, me të cilën janë bashkuar edhe qytetarë nga Shqipëria, po frymëzon edhe qytetarë të vendeve perëndimore.

Mirëpo në asnjë vend tjetër, më shumë se në Shqipëri, fenomeni i radikalizmit fetar nuk mund të jetë me pasoja fatale për sigurinë kombëtare.

Nëse me ISIS janë bashkuar 300 qytetarë me nënshtetësi gjermane ky është sigurisht një problem sigurie, por në asnjë rast nuk ka gjasa të cenojë themelin e shoqërisë gjermane dhe të funksionimit të saj, siç do të ishte rasti i Shqipërisë me një balancë fetare mjaft funksionuese.

Në rastin e Shqipërisë kjo shkallë rreziku nga ekstremizmi fetar përbën potencialisht një kërcënim për sigurinë kombëtare. Kontrollimi dhe neutralizimi i këtij kërcënimi ka një rëndësi të veçantë. Dhe ajo që rrezikohet është bashkëjetesa/harmonia fetare. Debatet publike në Tiranë, pas sulmeve në Paris, në disa raste përfundonin në konkluzione të gabuara duke fajësuar islamizmin si besim dhe jo deformimin e tij.

Bashkëjetesa fetare në Shqipëri nuk mund të jetë e garantuar e përgjithmonë dhe e pa rrezikuar.

Në Raka, që është sot kryeqyteti i të ashtuquajturit shtet islamik, banorët as nuk luteshin. Por pa shkuar shumë larg, Sarajeva është ndoshta rasti unik në botë për të argumentuar se bashkëjetesa e komuniteteve që kishin besime të ndryshme fetare nuk mund të merret e mirëqenë dhe e paprekshme.

Nga ana tjetër, radikalizmi dhe ekstremizmi fetar, prezenca dhe përgatitja e xhihadistëve në Shqipëri, e shndërron vendin në një territor të ekstremizmit fetar duke e shndërruar në një shënjestër potenciale të veprimtarisë terroriste. Radikalizmi islamik përbën një kërcënim për imazhin dhe perceptimin mbi Shqipërinë si një shtet islamik, në një kohë kur edhe perceptimi apo imazhi si një vend mysliman nuk përkon me realitetin.

Ky kërcënim për imazhin e Shqipërisë, që e paraqet atë si vend radikal, përkthehet në efekte negative te investitorët dhe biznesmenët e huaj që konsiderojnë Shqipërinë në planet e tyre të investimeve, por ka efekte mjaft negative edhe për turizmin shqiptar.

Tendencat radikale, fryma ekstremiste, prania e elementëve ekstremë myslimanë, sado në formë embrionale, ka potencialin të tërheqë vëmendjen e elitave dhe të shoqërisë, duke shpërqendruar vëmendjen dhe debatin për çështje themelore të ndërtimit të demokracisë.

Procesi i modernizimit të shoqërisë shqiptare me praninë e frymës së grupeve ekstreme islame mund të ndalet në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq të marrë një kthesë të rrezikshme.

Shqipëria ka qenë konsekuente në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar duke kontribuar me burime njerëzore dhe materiale. Por Shqipëria, pra, qeveria e shoqëria shqiptare duhet të jenë të afta të menaxhojnë kërcënimet që nisen nga territori i saj përpara se të mendojë për të kontribuar jashtë kufijve të saj.

Fakti që ushtria e xhihadistëve nga Ballkani sado e vogël, aktualisht përbëhet nga shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Shqipërisë, i projekton shqiptarët si ekstremistë islamikë duke e minuar pozitën ndërkombëtare në një rajon si Ballkani apo dhe në një shkallë më globale.

Me strukturat e xhihadistëve dhe nën petkun e frymën e islamizmit duket se nuk ka vetëm një përpjekje për kriminalizimin e islamizmit në Shqipëri. Por brenda strukturave të tyre duket se operojnë struktura të krimit të organizuar, të cilat përbëjnë një rrezik edhe më të madh se sa strukturat e krimit të organizuar tradicionale, që nuk kanë përqafuar ndonjë ideologji fetare.

Ekziston edhe rreziku i instrumentalizimit dhe amplifikimit përmes medias lokale apo ndërkombëtare, duke hiperbolizuar dhe krijuar një situatë imagjinare, çka do të ishte brumi për të krijuar një problem real, si dhe krijimin e mjedisit që do të favorizonte një konflikt fetar.

Ekziston po ashtu rreziku i një armiqësimi dhe agresiviteti të shoqërisë ndaj nëngrupeve të saj, që praktikojnë besimin fetar nën trysninë e mbulimit mediatik dhe kërcënimit të perceptuar të radikalizmit fetar.

E gjithë kjo ka potencialin të dëmtojë seriozisht perspektivën e së ardhmes evropiane të vendit.

———————-

* studiues

Advertisements