Sekreti i bashkëjetesës fetare është të mbrojmë Islamin e Traditës

Nga Mustafa Nano

Me censusin e realizuar në vitin 2011 ne humbëm një rast të mirë. Ishte bërë kohë që raporti i besimtarëve të feve të ndryshme në Shqipëri kishte mbetur në shifrat e ngrira 70/20/10, të cilat janë një e dhënë e mbetur prej kohëve osmane. Është realizuar, në fakt, një census në vitin 1923 (i fundit para këtij të vitit 2011), por asnjë ndryshim: u konfirmuan të njëjtat shifra. Konkretisht, nga 814 mijë banorë që u regjistruan në vitin 1923 në Shqipëri, 558 mijë, ose 68.5 për qind, rezultuan myslimanë, 171 mijë ose 20.5 për qind rezultuan ortodoksë dhe afro 85 mijë vetë, ose 10.5 për qind, rezultuan katolikë. Me ca rrumbullakosje të vogla, jemi sërish në kohët osmane.

Dhe kështu, gjatë gjithë kohës, kushdo, të cilit i është dashur të bëjë një nënvizim të natyrës fetare mbi Shqipërinë, apo të bëjë analiza e studime të rëndësishme mbi të njëjtin argument, nuk ka mundur të mos i referohet “kodit” 70/20/10. Gjithçka ndryshonte në Shqipëri me kalimin e kohës, por ato shifra askush nuk guxonte t’i prekte apo t’i vinte në dyshim. Ndonjëherë të krijohej përshtypja se ato ishin më të paprekshme sesa pohime të rëndësishme të Librave të Shenjtë. Të ngjanin me një lloj urdhërese të shtuar papritur në listën e urdhëresave. Me fjalë të tjera, pas urdhëresës së dhjetë “mos lakmo gjënë e tjetrit”, vinte e njëmbëdhjeta: 70% e shqiptarëve janë myslimanë, 20% të krishterë ortodoksë e 10% të krishterë katolikë (qyqët bektashinj që nuk i fuste njeri në llogari, në një kohë që diferencat doktrinore mes tyre e myslimanëve sunitë janë më të mëdha sesa ato midis ortodoksëve e katolikëve ndër të krishterët).

Ishte kjo arsyeja që e bënte shumë të rëndësishëm censusin e vitit 2011. Ishte një census që bëhej pas pothuaj 100 vitesh, në harkun e të cilave Shqipëria kishte përjetuar luftëra, ndryshime të forta regjimesh politike, lëvizje të forta demografike, përzierje popullsish, shfaqjen e gruas në skenën publike, ngjarje të mëdha për botën shqiptare, siç është pavarësia e Kosovës, përmbysje e rishtresime sociale, fushata edukimi me ndjenja jo fetare, shekullare, kombëtare, e më pas sërish rikthim tek edukimi i fortë fetar, e kështu me radhë. Por kishte edhe një arsye të dytë. Në një kontekst planetar të ballafaqimit fetar, i cili na është bartur në një mënyrë a në një tjetër edhe në Shqipëri, ne të gjithëve na nevojitej të kishim një panoramë të përpiktë fetare, mbi bazën e të cilës të mund të ndërtonim një debat publik që do të synonte forcimin e bashkëjetesës fetare, e për rrjedhojë edhe të unitetit kombëtar. Shkurt, ky census ishte shumë i rëndësishëm, dhe ishte për të ardhur keq që vëmendja e atyre që e organizuan censusin (qeveria, administrata), apo edhe e medias u fokusua më shumë te dinamikat demografike e pasuria kombëtare. Të dhënat fetare kaluan pa ndonjë debat kushedi se çfarë. Madje, ato u rrethuan me dyshim. Nuk u pa, as u supozua nga ndokush, të kishte njerëz të interesuar për trukimin e këtyre të dhënave, por vonesa në publikimin e tyre, tok me një thashethemnajë urbane që e shoqëroi këtë vonesë, krijuan një klimë mosbesimi. Ishte edhe pështjellimi që bëhej në mendjen e personave që u përgjigjën midis besimit të tyre individual dhe besimit të trashëguar prej familjes. Me shumë gjasë, shumë njerëz që ishin besimtarë nominalë (vetëm në emër e në traditë) u deklaruan besimtarë praktikantë. Kjo rrethanë duhet të ketë rritur artificialisht numrin e besimtarëve, e për rrjedhojë peshën e feve në Shqipëri. Sidoqoftë, pakkush i mori seriozisht ato shifra. Madje, një pjesë personazhesh publikë, por edhe diplomatë të huaj, vijojnë të përsëritin si në gjumë shifrat e moçme (70/20/10). Pakkush i ka të regjistruara në kujtesë shifrat e reja. Po ua risjell unë: myslimanët janë 56,7%, ortodoksët 6,7% e katolikët 10%, bektashinjtë 2,1% (më në fund janë përfshirë edhe bektashinjtë), ateistë 2,5%. Çfarë mbeten, ose nuk janë përgjigjur, ose nuk janë deklaruar për asnjë fe, sidoqë janë deklaruar besimtarë, ose janë deklaruar për fe të tjera me peshë minore.

Përqindja e myslimanëve ka rëndësi në këtë mes më shumë sesa zvogëlimi drastik i ortodoksëve. Dhe kjo përqindje na çon në dy përfundime: 1. Numri i tyre në Shqipëri ka rënë gjatë shekullit të fundit me gati 15%; dhe 2. Pavarësisht kësaj rënieje, myslimanët janë shumicë e qartë në Shqipëri. Me këto shifra, nëse i marrim për të besueshme, ne dalim gjithsesi si vendi më mysliman në Europë. Sa për krahasim, myslimanët në Bosnjë janë pak më shumë se 50%.

Por myslimanët si shumicë në Shqipëri nuk përbëjnë një problem. Ata shumicë kanë qenë gjithnjë, dhe nuk e kanë interpretuar asnjëherë këtë fakt si një bazë për të pretenduar më shumë voce in capitolo. Të qenit pjesë e një shumice/pakice fetare në Shqipëri nuk para ka shërbyer si një motiv për legjitimuar favore/diskriminime, dhe kjo ka ardhur edhe falë përunjësisë, apo skrupujve kombëtarë, të myslimanëve. Dhe kjo nuk është dukuri e sotme. Është e hershme.

Shumë vetë në Shqipëri shprehin një lloj shqetësimi, sidoqoftë, pavarësisht uljes së numrit të besimtarëve myslimanë. Dhe ky shqetësim ka të bëjë edhe me ortodoksët e katolikët që janë shndërruar në pakica të parëndësishme në terma numerikë, por mbi të gjitha me peshën që po merr Islami radikal, gjë që duket te numri i grave të mbuluara, te ndikimi i të huajve në punët e Islamit shqiptar, dhe te disa intelektualë a dijetarë myslimanë që po kërkojnë një distancim nga versioni “i butë” i Islamit tradicional shqiptar e që po kërkojnë një islamizim të kombit shqiptar. Këto të fundit janë dukuri të rrezikshme, por nuk duket se përbëjnë arsye për t’u shqetësuar. Në ditët e sotme myslimanët joatdhetarë janë një pakicë brenda bashkësisë së myslimanëve shqiptarë. Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra mbajti fjalën e rastit në sheshin Skënderbej me rastin e festës së Bajramit më datë 21 gusht, dhe duke shpalosur flamurin kombëtar, tha: “Ky flamur i ka bashkuar shqiptarët nga veriu në jug, nga lindja në perëndim; na ka bashkuar myslimanë e të krishterë për të jetuar në paqe në një atdhe të përbashkët, ku secili gjen Zotin në mënyrën më të drejtë; historia e këtij vendi është shkruar me gjakun e djersën e Haxhi Vehbi Dibrës e të Gjergj Fishtës”.

Shumë vende të Europës, ndonëse atje myslimanët janë një pakicë, janë shumë më të rrezikuara sesa ne prej fërkimeve të natyrës fetare. Sepse në këto vende mungon një traditë bashkëjetese, apo një traditë përpjekjesh të përbashkëta për qëllime të njëjta. Në Francë, Britani, Gjermani, vendet skandinave, etj, nuk kanë si ta gjejnë një imam që në fund të Ramazanit t’u bëjë homazh e nderim figurave e ngjarjeve të së shkuarës që i bëjnë bashkë komunitetet fetare. Sepse nuk kanë në historinë e tyre figura e ngjarje të përbashkëta. E shumta, janë duke i krijuar këto kohë (fjala vjen, Sadik Khan në Londër). Përveç kësaj, vendet e Europës kanë për të vuajtur gjatë faktin që myslimanët e tyre janë më së pari myslimanë, e që nuk para i njohin vetes një identitet kombëtar europian. Madje, shpesh herë nuk bëhen kurrë britanikë, gjermanë, francezë, etj. Ndonjëherë edhe nuk duan të bëhen. Mërgim Mavraj është mysliman, por himnin shqiptar e këndon me të njëjtin emocion që e këndon edhe i krishteri Thomas Strakosha, gjë që nuk ndodh me Mesut Ozil-in, etj, në skuadrën gjermane, apo me futbollistët myslimanë belgë. Dhe kjo është shenjë e faktit që në shoqëritë perëndimore ka një mur midis myslimanëve e pjesës tjetër të shoqërisë, që manifestohet në mënyrën më të bujshme me getot e myslimanëve që të japin idenë e një shoqërie paralele. Në Shqipëri nuk ka geto. Myslimanë e të krishterë janë të përzierë, janë të martuar, janë fqinjë, kanë biznese të përbashkët, celebrojnë bashkë, madje edhe festat e njëri-tjetrit. “Gëzuar Bajramin!”, urojnë shpesh një numër të krishterësh. “Gëzuar Kërshëndellat!”, urojnë edhe një pjesë e madhe myslimanësh.

Në perëndim kanë vetëm disa dekada që merren me këtë sfidë, ndërsa ne kemi shekuj të tërë që jemi mësuar me tjetrin e ndryshëm brenda të tërës së njëjtë. Dhe ky edukim shekullor me diversitetin është jo vetëm një antidot i fortë kundër çdo përpjekjeje përçarëse, por edhe një deterrent ndaj të gjithë atyre që synojnë të radikalizojnë fetë. Radikalizimi i feve është një gjë që po synohet në Shqipëri, por rezultatet janë minimale. Është Islami ynë i traditës, që është bërë gjak e mish i ethosit tonë kombëtar, që u bëhet ledh synimeve të tilla. Gjë që nuk ndodh në perëndim. Sepse nuk ka një Islam britanik apo francez. Po bëjnë çmos ta krijojnë në këto kohë, por nuk është e lehtë. Duhet kohë. Ne e kemi pasur atë kohë. Dhe prandaj e kemi një Islam shqiptar, që është laik, properëndimor, atdhetar, i moderuar, jo përjashtues, tolerant, të cilin duhet ta mbrojmë, pavarësisht nga shifrat që dalin prej censuseve që organizohen.

Advertisements