Feja si çështje individuale dhe shteti si hapësirë publike. Vështrim historik

Nga Agron Gjekmarkaj *

Qysh në vitin e largët 1912 eterit themelues të shtetit shqiptar kishin mbërritur në kryeqytetin gjysmë fshat  të shtetit të pavarur me vetëdijen se diversiteti fetar mund të shndërrohej në burim konfliktesh të cilat mund të vinin në diskutim ekzistencën e kombit. Në fakt një gjë e tillë ndodhi pas një viti e pak, kur në emër të identitetit mysliman dhe të instrumentalizuar nga ata që e donin Shqipërinë në kaos shumë shqiptarë ndoqën hoxhallarët radikalë dhe vetë Haxhi Qamilin famëkeq, si instrument të tyre këtë kalorës të “Babës Kalif” dhe flamurit me gjysmë hëne. Gjithsesi Ismail Qemali, Imzot Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Lef Nosi, Mehdi Frashëri në themelet e shtetit ngjizën formulën “besime të lira në një shtet të lirë” duke e konsideruar shtetin mikpritës të tyre, garantues e kontrollor. Ata tentuan të ndërtojnë një laicitet bazuar mbi përfaqësimin e komuniteteve. Përbërja e qeverisë së parë ta le këtë shije. Viti 1920, menjëherë pas kongresit të Lushnjës, i kthehet këtij parimi. Në ligjërimin e kohës vihen re elementët përbashkues gjuha, traditat, betejat e përbashkëta në një dhe për një atdhe të përbashkët duke ruajtur përfaqësimin në Regjencë dhe qeveri.

Por janë vitet e Ahmet Zogut si President dhe si Mbret që e forcuan natyrën laike të shtetit shqiptar. Propaganda e kohës karakterizohet nga tonet e forta patriotike me referencë Skënderbeun dhe vetë Zogun si “pasardhës”! Nga pikëpamja legale, Qeveria Mbretërore rregulloi me ligj pozitën e Komuniteteve duke e vënë Shtetin dukshëm nga pikëpamja formale në pozita të baraslarguara prej tyre. Ato (komunitetet) konsideroheshin të barabarta pa marrë në konsideratë numrat.
Në fillim të viteve ’30, Zogu u orvat të ndërmerrte një sërë reformash që preknin më së shumti popullsinë myslimane. Ai ndaloi me ligj faljen tipike islame duke argumentuar që Kanuni shqiptar nuk ia lejon askujt të ulë kokën mbi tokë si dhe mbajtjen e ferexhesë dhe fesit të kuq. Nisma e parë u sabotua nga komunistët, të cilët menjëherë e shfuqizuan dekretin mbretëror kinse në emër të lirisë fetare, e cila siç do të dukej më vonë ishte retorikë e gënjeshtër, sepse në vitin 1967 ata i mbyllën të gjitha objektet e kultit me dhunë e terror.

Gjatë luftës së dytë botërore, nisur nga arsye utilitare të trupave pushtuese, u thye kjo “pax albanica” por pa ndonjë sukses të madh. Tek shqiptaret kishte filluar te mbillej fara e dy koncepteve ajo e atdheut te përbashkët me emrin Shqipëri dhe e Zotit që në Kishë, Xhami apo Teqe thirrej Krisht apo  Muhamed. Pas vitit 1944, shteti u bë jo vetëm zot i hapësirës publike por edhe dhunuesi i saj më i madh. Në këtë kontekst formula besime të lira në një shtet të lirë nuk kishte me kuptim. Shteti ishte i pavarur por jo i lirë. Besimet, kleri për 23 vjet, vit pas viti u degraduan, u vunë nën kontroll, u denatyruan derisa në fjalimin e famshëm të 6 shkurtit 1967, Enver Hoxha doli mbi kushtetutën që kishte shkruar vetë duke deklaruar se “ligjet tona nuk do na pengojnë të shkallmojmë zakonet prapanike dhe opiumin e popujve – fenë”.

Rezultatet qenë katastrofike në rrafshin shpirtëror e në atë të trashëgimisë kulturore ku vlera shekullore u rrënuan. Një paradoks i madh shqiptar është se shumë prej atyre që në vitin 1967 ishin në ballë të “aksionit të rinisë” për shembjen e kishave dhe të xhamive” sot janë politikanë që flasin për vlerën e besimit në Zot. Një paradoks i madh etik ky i shoqërisë sonë. Vitet që pasuan ’67-tën ishin nën shenjën e ateizmit, i cili u sanksionua edhe në kushtetutën e vitit 1976. Me krenari thuhej “Shqipëria i vetmi vend ateist në botë”! Ngjante sikur ideologjia që kontrollonte shtetin dhe individin e kishin mundur Zotin dhe besimtarët duke realizuar njeriun e ri shqiptar i cili nuk ishte me katolik, mysliman, ortodoks apo bektashi. Ato vite dukej sikur ishte shpikur një patriotizëm i ri. Shqipëria dhe shqiptarët mund të ishin të sigurt pa përkatësitë e tyre fetare. Gjithësia ishte një konkluzion arbitrar bazuar te forca dhe represioni politik. Ky ishte një kompaktësim me karakter ideologjik i sforcuar dhe i përkohshëm.

Një fenomen ka ndodhur gjatë asaj kohe që nuk mund të vlerësohet negativisht. Një përzierje e popullsisë duke prishur lagjet tradicionale me ndarje fetare. U ndërtuan pallate ku bashkëjetesa nuk vihej në diskutim. U shtuan shumë martesat e përziera që më parë ishin tabu, duke krijuar një model të ri të familjes shqiptare, që u paraqitën si një vlerë emancipuese. Në administratë, në shkolla dhe Universitete, në ambientet e punës u realizua një njohje më e thellë mes qytetarëve duke rrëzuar një sërë paragjykimesh. Mbetet dilemë nëse ky ishte produkt i ateizmit të përbashkët apo i një formati shpirtëror shqiptar.

Bashkë me liritë politike që solli dhjetori i vitit 1990 mbërritën edhe liritë fetare. Në fillim shoqëria dukej e topitur dhe pa vëmendje të madhe fetare. Klerikët me veshjet e tyre shiheshin me kërshëri asokohe. Prania e tyre dukej e një lloji të veçantë. Pas zgjedhjeve të vitit 1992, Presidenti që zgjidhej nga parlamenti i parë i dalë nga votimet e lira e pluraliste do t’u drejtohej të parëve klerikëve të pranishëm në lozhën e Kuvendit. Kjo ishte shenjë e ndryshimit të madh që kishte ndodhur. Dispozitat kushtetuese dhe më vonë kushtetuta e vendit u kthye te parimi i laicitetit dhe barazisë së komuniteteve para ligjit. Në ligjërimin e përditshëm është ruajtur një gjuhë e kujdesshme për të ruajtur këto parime.

Por nuk kanë munguar rastet kur feja dhe politika janë përzier. Vit pas viti, për arsye elektorale, ka patur një zbythje të shtetit përballë komuniteteve fetare të cilat gjithnjë e më tepër kërkojnë të dalin në rrugë dhe shesh duke tejkaluar sinorin e institucioneve të kultit. Jo pak herë gjuha e ndërsjellë është skuqur nga retorikat agresive siç ka qenë rasti i kishës-xhami në kalanë e Shkodrës, ku shteti është shfaqur i tulatur përballë saj. Një rast i debatueshëm ishte festimi i Bajramit në Sheshin Skënderbej vitin e kaluar ku monumenti i heroit kombëtar sipas shumë pretendimesh u mbulua me lede. Po vetë përdorimi i shesheve për këto rite a procesione, si dhe vendosja e simboleve fetare anash rrugëve apo në maja malesh shfaqen si dhunim i hapësirës së përbashkët. Aksesi mediatik që u jepet klerikëve të ndryshëm për të promovuar tezat e tyre radikaliste fetare, koncepte këto që vënë në diskutim standardet e përbashkëta të lirisë sa vijnë e shtohen. Në zgjedhje politike shpesh vota merret duke u betuar mbi bibël apo kuran, duke vënë në pah përkatësinë fetare të kandidatit si kauri kundër myslimanit apo anasjelltas. Gjithnjë e më tepër besimi në Shqipëri po “vishet” në mënyrë të sforcuar të sponsorizuar nga faktorë të jashtëm.

Nëse besimet në vendin tonë shfaqen të shpeshta në hapësirën publike ato rrezikojnë shtetin laik dhe aktivitetin e tyre qe në çdo doktrinë predikon paqen. Ajo (paqja) garantohet duke respektuar edhe ata që nuk besojnë të njëjtën gjë si ti. Këtë nuk e garanton kurrë harmonia apo vullneti i mirë. Këtë e garanton ligji dhe forcimi i hapësirës publike. Në vitin 1932 Ahmet Zogu do të mbante një fjalim mbresëlënës duke thënë “nëse besimet dalin nga kisha e xhamia dhe futen në zyrat e shtetit unë do të jem armiku më i madh i tyre nëse ato mbeten brenda këtyre institucioneve si çështje të komuniteteve që ndajnë të njëjtat vlera, unë do të jem miku dhe mbrojtësi më i madh i tyre”. Mbetet aktuale dhe moderne kjo thënie po kaq sa ajo e Pashko Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria” si një çati e përbashkët dhe krejt e mundur duke e lënë çështjen e Zotit si çështje private brenda ndërgjegjes dhe shtëpisë së gjithsecilit. Edhe për disa dekada, shteti shqiptar e ka me detyrim, i kushtëzuar nga formimi kulturor i shoqërisë që të jetë laik e përfaqësues si zgjidhja më e mirë.

———————

*publicist

Advertisements