Reflektime mbi radikalizmin fetar dhe politik

Nga Ebi Spahiu * 

Në korrikun që sapo kaloi, gazeta prestigjioze The Guardian botoi një intervistë me ish-Sekretaren e Shtetit Amerikan gjatë presidencës së Bill Clinton, Madeline Albright, mbi gjendjen e demokracisë krahas ngritjes së frymës populiste e cila po sfidon stabilitetin politik të shumë vendeve përgjatë kontinentit europian. Në këtë intervistë, Albright flet për fëmijërinë e saj të kaluar në ish-Çekosllovakinë e pushtuar gjatë regjimit nazist dhe kalimin në Londër me familjen e saj si refugjatë lufte. Për të, shumë prej fenomeneve politike që po shfaqen në teatrin ndërkombëtar nuk janë të huaja. Rritja e populizmit politik është duke sfiduar ndjeshëm jetëzgjatjen e demokracisë dhe sipas Albright, një nga arsyet është kjo:

“Demokracia nuk është forma më e lehtë e qeverisjes. Ajo kërkon vëmendje, pjesëmarrje dhe realizimin e kontratës sociale. Dhe nuk del menjëherë. Ajo që ne duhet të mësojmë është se si demokracia të japë më shumë rezultate, sepse njerëzit dëshirojnë të votojnë dhe të ushqehen. Por i gjithë ky shpjegim më hëngri pothuajse 10 minuta për ta përshkruar dhe ky është problemi.

Edhe ndoshta ky është problemi me krizën globale që tashmë po sfidon legjitimitetin e shteteve demokratike që kanë një histori dhe tradite të konsoliduar të pavarësisë institucionale dhe respektimit të ligjit. Njerëzit tashmë kanë një besueshmëri të thyer ndaj demokracisë si forma me efikase qeverisëse që mund të japë rezultate për një shoqëri më të shëndetshme, por gjithashtu mundësi zhvillimi për popullsinë e gjerë dhe për grupet e margjinalizuara për nga përkatësia e tyre etnike ose identitete të tjera që janë të përjashtuar në vendimmarrje. Ky lloj zhgënjimi kolektiv dhe deluzionimi me globalizmin dhe vlerat që përfaqëson, ka sjellë një valë të fortë lëvizjesh politike të cilat, përveç ideve konservatore, kanë për bazë shpeshherë gjuhën e urrejtjes dhe frikën ndaj valës së ndryshimeve kulturore që sjell modernizmi dhe globalizmi si rrjedhojë e hapësirave që i jepen zhvillimit të demokracisë.

Shqipëria nuk mund të përjashtohet nga këto ndryshime të cilat ndikojnë vendin dhe rajonin e Ballkanit ende të tensionuar nga një e kaluar me konflikte. Që nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri, mbështetja popullore për zhvillimin e demokracisë ka qenë pothuajse në shumicë favorizuese që elita politike e vendit të ndjekë orientime politike nga partnerë ndërkombëtarë, si BE dhe SHBA. Ëndrrat dhe shpresat janë ende të mëdha që një proces i favorshëm demokratik do t’i japë Shqipërisë e shqiptarëve shansin për të arritur standardet ekonomike dhe shoqërore të vendeve europiane që synojmë.

Por realiteti i sotëm dhe niveli i perceptimit ndaj demokracisë në Shqipëri është ende i paqartë për analistë dhe media të politikës vendase. Vitet e fundit janë ndjerë luhatje ndaj besueshmërisë jo vetëm ndaj demokracisë por dhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët vazhdojnë të punojnë që të promovojnë vlera universale të të drejtave të njeriut dhe inkurajojnë qeverinë shqiptare të ndërmarrë reformat e nevojshme për integrimin në BE. Këto luhatje vihen re në diskutime mediatike por dhe në diskutime më pak formale në rrjetet sociale ku qytetarët ballafaqojnë idetë e tyre politike.

Nuk ka ende një analizë të thellë mbi pasojat që një ndryshim i mëtejshëm i perceptimit popullor mund të ketë në politikat e brendshme dhe të jashtme të vendit. Në shumë aspekte ende merret e mirëqenë që terroret e përjetuara gjatë regjimit komunist do të vazhdojnë të frymëzojnë qytetarët shqiptarë dhe gjeneratat e të ardhmes të shohin drejt perëndimit dhe demokracisë si forma më e mirë e qeverisjes. Por për mendimin tim, si një analiste e përulur ndaj interpretimeve të çështjeve ndërkombëtare, një mungesë vëmendje ndaj aspiratave të komuniteteve që duan të përfaqësohen në qeverisje dhe mosdhënia e disa rezultateve themelore për një popullsi më të gjerë që mund të garantojë një sistem i hapur demokratik, mund të shkaktojnë pasoja të rënda, që shpesh edhe mund të përbejnë rreziqe të sigurisë kombëtare dhe kohezionit shoqëror.

Prej rreth katër vitesh ndjek ­çështjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Shqipëri dhe Ballkan, duke studiuar retorikat dhe rekrutimet te qytetarëve të rajonit për të udhëtuar në vatra lufte në Lindjen e Mesme dhe për t’u bërë pjesë e grupimeve të dhunshme terroriste si ISIS apo grupe aleate të Al-Qaidas, si Al-Nusra në Siri. Për shumë kohë janë debatuar shkaqet që kanë çuar bashkëqytetarët tanë t’i bashkohen këtyre lëvizjeve politike, shpeshherë duke përfshirë gra dhe fëmijë si pjesë e procesit të rekrutimeve. Shpeshherë këto debate janë shoqëruar me diskutime delikate mbi rolin e fesë në shoqëri dhe vazhdimësisë së bashkëjetesës fetare që e veçon Shqipërinë prej vendeve të tjera të ndara thellësisht nga ndryshime sektare.

Por as Shqipëria, me traditat e saj të bashkëjetesës, të praktikimit të fesë pa cenuar laicitetin shtetëror, nuk ka qenë imune ndaj ndryshimeve të retorikave fetare në sferën publike. Nuk është aspak jashtë normave që tashmë të dëgjosh ligjërata të liderëve fetarë të cilët vënë në pikëpyetje traditat e harmonisë fetare dhe i akuzojnë ato si një fabrikim i historisë ose respekt reciprok midis komuniteteve fetare që asnjëherë në fakt nuk ka ekzistuar. Gjithashtu nuk është aspak jashtë normales të qasesh me debate të forumeve online të cilat përgojojnë dhe mohojnë vlerën historike të Shqipërisë gjatë pushtimit osman dhe faktin që Shqipëria ka një histori të gjerë me kulturën dhe historinë islame, edhe pse orientimi ynë politik dhe kulturor është thellësisht i drejtuar drejt perëndimit. Shpesh këto debate shoqërohen me debate të tjera mbi ndryshime gjeopolitike të aleancave euro-atlantike dhe që vende si Shqipëria – të vogla dhe të pazonja të mbrojnë interesat e tyre kombëtare përballe influencave të mëdha – rrezikon të vihet përballë zgjedhjeve të stilit të vjetër realist që vazhdon të sundojë diskurset diplomatike ndërkombëtare.

Ikja e shtetasve shqiptarë përkrah grupeve terroriste në Lindjen e Mesme është mbuluar nga mediat për një kohë të gjatë. Shpeshherë është përfolur për financime të majme të cilat kanë shtyrë bashkëkombësit tanë t’i bashkohen luftës në Siri dhe Irak, por hulumtime të thelluara në këtë fushë prej shumë vitesh tashmë kanë treguar që shkaqet janë dhe kanë qenë përtej premtimeve financiare. Indoktrinimi fetar, besimi i verbër për krijimin e një shteti të bazuar në parime fetare dominon përsa i përket motivimeve të luftëtarëve te huaj dhe familjet e tyre që i ndoqën në Lindjen e Mesme. Kjo është shumë domethënëse.

Premtimet për ata qe ikën në vatra lufte dhe mbështetësit e tyre ishin ideologjike, përveçse financiare. Përfytyrimi i një jete jashtë një sistemi demokratik të vrazhdë shtyu shumë prej tyre të kërkonin alternativa të tjera. Realiteti gjithashtu qe i hidhur për shumë që u vranë gjatë luftës ose që nuk munden të ktheheshin në Shqipëri duke patur parasysh fushatat ushtarake që e mposhtën Shtetin Islamik dhe territorin që uzurpoi deri në shtator 2017. Ky është një realitet i hidhur për këdo, por gjithashtu është një realitet që duhet ta shohim në sy dhe ta pranojmë që vjen si rrjedhojë e dështimeve të njëpasnjëshme të demokracisë sonë të brishtë e cila nuk ka mundur t’i përgjigjet nevojave dhe aspiratave të një popullsie që ende ëndërron për një të ardhme drejt Europës, pas rrëzimit të regjimit komunist në vitet ’90.

Këto janë dilema të vërteta dhe shumë reale të cilat kanosin stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë dhe shumë vendeve të rajonit. Këto janë debate të cilat kanë hyrë në faza delikate pasi politizohen me tepri dhe krijojnë terren të gjerë për të vënë në pikëpyetje vlerat demokratike dhe legjitimitetin e një të ardhmeje përkrah Bashkimit Europian dhe institucioneve euro-atlantike. Për më tepër, mungesa e theksuar e debateve konstruktive sfidon vlera, si harmonia fetare dhe bashkëjetesa pa kushte midis komuniteteve të ndryshme në Shqipëri. Ne disa rrethe, një vlerë e tillë tashme shitet si hipokrizi – paçka se kushdo që është rritur në Shqipëri dhe ka festuar festat fetare të Krishtlindjeve dhe Bajramit e ka përjetuar si të vërtetë dhe pa asnjë lloj hileje këtë formë të bashkëjetuari. Mirëpo kjo është një vlerë që nuk duhet të merret e mirëqenë dhe që duhet kultivuar.

Pas katër vitesh që merrem me studimin e luftëtarëve të huaj dhe ngritjen e radikalizmit fetar dhe politik, nuk kam ndonjë formulë të veçantë se si mund të luftohet një fenomen i tillë. Nuk kam ndonjë këshillë apo udhëzim se çfarë funksionon dhe çfarë çalon. Por diçka që mund të funksionojë është të kemi një shoqëri më të matur, më vizionare dhe që është në gjendje të dëgjojë dhe jo vetëm te reagojë ndaj të menduarit “ndryshe”. Kemi shumë punë për të bërë. Luftëtarët e huaj, krimi i organizuar dhe pjesëmarrja e të rinjve shqiptare në veprimtari kriminale si rrugëdalja më e thjeshtë janë simptomë e një sërë problemesh më të thella sesa një numër statistikor. Është mungesa e mundësive, mungesa e përfytyrimit të një të ardhmeje në Shqipëri, mungesa e aspiratave, mungesa e një sistemi arsimor që funksionon dhe jo që dëmton talentet e panumërta që ka tek të rinjtë shqiptarë; është mungesa e shpresës dhe e besimit që një sistem demokratik në fakt mund të funksionojë. Por për më tepër, është mungesa e durimit për të ndërtuar një demokraci që i shërben të gjithëve. Mungesa e durimit për të ndërtuar rolin që ka gjithsecili në të. Liderët tanë (jo vetëm ata politikë) duhet të bëjnë një punë më të mirë për të frymëzuar role të reja tek të rinjtë.

* Studiuese e çështjeve të ekstremizmit fetar

 

Advertisements