Të drejtat e njeriut dhe ekstremizmi i dhunshëm

Nga Sofiana Veliu *

Hyrje

Të drejtat dhe liritë e njeriut janë kryesisht kriter thelbësor që shërbejnë në ngritjen dhe avancimin e statusit dhe rolit të njeriut në shoqëri dhe në konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ato burojnë nga e drejta natyrore, dhe jo nga vullneti i pushtetit shtetëror, kështu që, garantimi i lirive dhe të drejtave të njeriut është një detyrim ligjor për institucionet qeverisëse, por edhe për organizata të ndryshme joqeveritare që angazhohen seriozisht në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut nga diskriminimet e mundshme.  Institucionet kanë më shumë hapësirë për t’i trajtuar e mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut, pasi u japin më tepër mundësi  integrimi, në pjesëmarrje të ndryshme politike e shoqërore.

Artikulli në fjalë ka për qëllim të evidentojë disa nga problematikat kryesore që ekzistojnë sot në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, jo vetëm si një fenomen global por edhe në kuadrin e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në kontekstin shqiptar. A ka forma të tjera të ekstremizmit të dhunshëm në vendin tonë përveç atij me ndikim fetar? Cilat janë garancitë ligjore që shtetit shqiptar ofron në këtë rast dhe a ka strategji dhe ura bashkëpunimi me vendet e rajonit dhe më gjerë? Në përfundim të analizës disa rekomandime dhe alternativa konkrete në mbështetje të parandalimit dhe trajtimit të ekstremizmit të dhunshëm në kontekstin shqiptar.

Ekstremizmi i dhunshëm si një fenomen global

Nuk ka asnjë profil të vetëm, i cili do të përfshinte të gjithë radikalistët apo ekstremistët e dhunshëm, sikundër nuk ekziston asnjë rrugë “e vetme“, e cila i çon individë të tillë, në rrugën drejt terrorizmit. Shtysat e mundshme të “radikalizmit terrorist” janë të ndryshme dhe komplekse, duke u ndërthurur në mënyrë unike për çdo rast specifik. Profilet që ndërtohen mbi bazën e supozimeve dhe  stereotipeve, mbi bazën e përkatësisë fetare, racore, etnike, gjinore, statusit shoqëror dhe ekonomike etj, jo vetëm që janë diskriminuese por gjithashtu  janë edhe të paefektshme.

Ekstremizmi i dhunshëm nuk mund të konsiderohet si një fenomen  shqiptar. Debatet në Shqipëri kanë qenë më shumë të natyrës teologjike, të cilat në vendin tonë janë risi e viteve të para të tranzicionit përmes fondacioneve islamike, ndërsa është përhapur sidomos gjatë pas viteve 2000 përmes debateve  të aktorëve fetarë që përgjithësisht kanë qenë jashtë kontrollit të institucioneve zyrtare fetare.[1]

Koncepti i ekstremizmit të dhunshëm

Ekstremizmi i dhunshëm është një koncept apo një terminologji që ka lindur vitet e fundit, pra mund të flasim për epokën “post 11 Shtator”, pavarësisht se ka patur edhe më përpara fenomene të ekstremizmit apo të atij që quhet terrorizëm. Por, terminologjia “ekstremizëm i dhunshëm” është një përpjekje për të gjetur një frymë zbutëse dhe për të mos quajtur çdo akt terrorist që ndodh në botë, terrorizëm islamik. Kjo ka ndodhur për arsye se për një periudhë të caktuar kohe, mediat ndërkombëtare i trajtonin të gjitha aktet ekstremiste, si terrorizëm islamik. Ekstremizmi i dhunshëm nuk është i frymëzuar vetëm prej religjionit, por ai përfshin të gjitha llojet e ekstremizmave me të cilat përballet bota dhe shoqëria njerëzore sot. Ekstremizëm i dhunshëm mund të konsiderohet tërësia e aktiviteteve të dhunshme apo ekstremiste apo terroriste të cilat cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë sigurinë e njerëzve dhe qetësinë e tyre në emër të një kauze të caktuar, sipas tyre të drejtë apo të shenjtë. Kauza mund të jetë me frymëzim politik, religjioz, kulturor, etnik, ekonomik etj. Pra nëse do t’i referoheshim një përkufizimi më specifik, ekstremizëm i dhunshëm është ai proces i adoptimit të pikëpamjeve radikale (politike, ideologjike ose fetare) dhe kthimit të tyre në veprime të dhunshme.

Në përgjithësi ekstremizmi i dhunshëm ka prirjen të përfshijë të rinj, ndonjëherë edhe fëmijët (nën moshën 18 vjeç), sepse ata mund të jenë më të prekshëm se sa të rriturit në kërkesën për ekstremizmin e dhunshëm për shkak të mungesës së pjekurisë dhe gjykimit[2].  Ekzistojnë edhe faktorë të tjerë shtytës si: si varfëria, zhvendosja si dhe tërheqja ideologjike. Jo në pak raste, janë radikalizuar edhe fëmijë nga familje të qëndrueshme të cilët janë të mirëarsimuar dhe kanë status të lartë ekonomik. Hulumtimi i të rinjve sirian (të moshës midis 12 dhe 24 vjeç) ka identifikuar katër faktorë kryesorë që kanë shtyrë këtë dobësi ndaj ekstremizmit të dhunshëm:

– Mungesa e mundësive ekonomike

– Konteksti përçarës social dhe përvojat e dhunës

-Zhvendosja, trauma dhe humbja

– Degradimi i infrastrukturës së edukimit dhe mundësive për të mësuar.

Në disa kontekste, ata mund të vet-radikalizohen, në raste të tjera ajo është një strategji e qëllimshme për përfshirjen e fëmijëve drejtpërdrejt në akte terroriste. Në përgjithësi aty ku mungojnë përfshirja dhe mobiliteti shoqëror, fëmijët dhe të rriturit mund të ndihen të përjashtuar dhe të izoluar nga strukturat politike, ekonomike dhe sociale. Në kushtet të  tilla, kur ndërlidhen me një ndjenjë të padrejtësisë dhe të viktimizimit, mund të krijohet  një  mjedis i përshtatshëm brenda të cilit mund të lulëzojë ekstremizmi i dhunshëm. Përfshirja e fëmijëve në grupet terroriste është shpesh i pavullnetshëm dhe paraqitet në situatat e konflikteve të armatosura ku ata kanë qenë të rekrutuar si ushtarë fëmijë. Grupet si Boko Haram dhe ISIS i kanë rrëmbyer, kërcënuar dhe detyruar shumë fëmijë t’ju bashkohen atyre.

Ballafaqimi me kërcënimin e ekstremizmit dhe rrezikun e përhapjes së terrorizmit në të gjithë botën, vuri në lëvizje bashkësinë ndërkombëtare e cila ka ndërmarrë një sërë nismash dhe ka miratuar në mënyrë konsensuale një numër instrumentesh që përfshijnë edhe kufizimet dhe monitorimin e përmbajtjes në internet.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, në 29 maj 2015, shprehu shqetësimin e Kombeve të Bashkuara për rritjen e luftëtarëve të huaj që i bashkohen grupeve terroriste, duke theksuar nevojën e “Inkurajimit të kërkimeve mbi lidhjen ndërmjet keqpërdorimit të internetit dhe medias sociale nga ekstremistët e dhunshëm dhe faktorët që çojnë individët në drejtim të ekstremizmit të dhunshëm”. OKB e ka konsideruar parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, një angazhim dhe detyrim, që bazohet në parimet dhe vlerat e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe instrumenteve të tjerë ndërkombëtarë që lidhen me të drejtat e njeriut duke miratuar edhe një plan veprimi [3], duke theksuar që ky parandalim të jetë efektiv dhe i qëndrueshëm dhe në një linjë me detyrimet ndërkombëtare të shtetet anëtare. Plani i Veprimit përcakton se i gjithë legjislacioni, politikat, strategjitë dhe praktikat e miratuara për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, duhet të bazohen fuqimisht në respektimin e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. UNESCO është gjithashtu e angazhuar për zbatimin e Planit të Veprimit të OKB-s për parandalimin e ekstremizmit, me një fokus të veçantë në prioritetet që lidhen direkt me punën e kësaj organizate:

i.edukim, zhvillimin e aftësive dhe lehtësi në punësim

ii.fuqizimi i të rinjve

iii.komunikimet strategjike, internet dhe media sociale dhe

iv.barazia gjinore dhe fuqizimi i grave

v.Në tetor 2015 kjo organizatë ka rënë dakord me këto pikëpamje duke shprehur “shqetësimin për rritjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe sfidën globale të rekrutimit dhe radikalizmit në ekstremizëm të dhunshëm të të rinjve në mediat sociale, në komunitete dhe në shkolla”. Në vijim të saj, shtetet anëtare të UNESCO-s miratuan vendimin nr.197 EX/46, me synim rritjen e kapaciteteve të kësaj Organizate, për të ofruar asistencën e nevojshme në hartimin e strategjive të duhura për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Konteksti shqiptar

Shqipëria, tashmë vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian (BE), po ecën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE duke trajtuar sfidat e zhvillimit dhe forcimit të shtetit ligjor si dhe duke kontribuar në rritjen e bashkëpunimit rajonal në përputhje me vlerat evropiane. Harmonia fetare njihet gjerësisht si një vlerë themelore e shoqërisë, ku pjesëtarët e komunitetit mysliman, katolik, ortodoks dhe komuniteteve të tjera fetare kanë bashkëjetuar në paqe.[4] Po a përbën ekstremizmi i dhunshëm një rrezik për sigurinë e shoqërisë, cenimin e lirive themelore pse jo dhe cenimin e harmonisë fetare?

Një nga elementët që ndikon në përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm është edhe mungesa e lirive civile dhe të drejtave politike. Ekzistenca e një sistemi politik të mbyllur e të papërgjegjshëm mund të ushqejë besimin se, dhuna është mjeti i vetëm që sjell ndryshimin politik. Në këtë këndvështrim liritë civile e të drejtat politike mund të përfaqësojnë një lidhje kritike, por jo përfaqësuese, mes zhvillimit ekonomik dhe cenueshmërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Shqipëria konsiderohet tradicionalisht një vend tolerant, me dialog konstruktiv ndërfetar dhe një radikalizim të kufizuar. Megjithatë edhe pse vendi nuk vuan nga mungesa totale e të drejtave dhe lirive, besimi i publikut tek partitë politike dhe disa institucione shtetërore (p.sh., gjyqësor) është në nivel më të ulët. Zbatimi në praktikë i kuadrit, përgjithësisht të përparuar ligjor në këtë drejtim shpesh konsiderohet si shqetësim. Raporti i Progresit për Shqipërinë (2017) i Komisionit Evropian (KE) sugjeron se “edhe pse Shqipëria ka ratifikuar pjesën më të madhe të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duhet të veprohet më shumë në drejtim të zbatimit të tyre.”

Megjithatë, radikalizimi është një kërcënim global dhe në vitet e fundit, Shqipëria ka qenë gjithashtu e prekur, së bashku me disa shtete anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, nga fenomeni i luftëtarëve të huaj[5]. Që nga viti 2014, rreth 114 shtetas shqiptar, disa prej tyre, së bashku me anëtarët e familjes, janë larguar nga vendi për t’u bashkuar me zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Rreth 40 luftëtarë të huaj janë kthyer në Shqipëri dhe jetojnë në kushte të përjashtimit apo vetë-përjashtimit social.[6] Vetëm në fund të vitit 2013 dhe fillim të 2014 u intensifikua debati publik për këtë çështje ndërkohë që veprimet e autoriteteve shtetërore (më së shumti ato të sigurisë) evoluuan më tej. Në korrik të vitit 2014 Kuvendi i Shqipërisë[7] përfshiu në Kodin Penal, amendamente që kishin të bënin me veprën penale të përfshirjes në veprime ushtarake në një shtet të huaj.[8] Disa shqiptarë të përfshirë në konfliktin sirian u kthyen në vend para hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve për të shmangur pasojat ligjore dhe akuzat e mundshme. Siç shpjegohet edhe në një raport të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, amendamentet kishin si synim të trajtonin këtë shqetësim dhe për të parandaluar zhvillimin e mëtejshëm të këtij fenomeni.[9] Megjithatë, reagimi i shtetit ka qenë i kufizuar më tepër tek agjencitë e zbatimit të ligjit dhe më së shumti me anë të masave prapavepruese e shtrënguese, kujtojmë këtu operacionin e Policisë së Shtetit kur arrestoi në mars 2014 një grup prej nëntë radikalësh islamikë me akuzën e rekrutimit të luftëtarëve për t’iu bashkuar konfliktit sirian dhe nxitjes së terrorizmit. Që prej muajit shkurt 2015 çështja e tyre është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Institucione të tjera që janë përfshirë në masat parandaluese të ekstremizmit të dhunshëm janë edhe organe kushtetuese si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.(KMD)ku gjatë vitit 2014 ka trajtuar 5 çështje diskriminimi (3 ankesa dhe 2 çështje të nisura kryesisht) për shkak të bindjes fetare. Sipas Komisionerit në një çështje është konstatuar diskriminim për shkak të besimit fetar[10]

Duke qenë se ekstremizmi i dhunshëm është një dukuri bashkëkohore globale dhe, aktualisht, përbën një kërcënim serioz ndaj paqes e sigurisë ndërkombëtare, në planin kombëtar, një ndër masat e marra nga qeveria shqiptare, në aspektin ligjor, është edhe miratimi i një vendim për të parandaluar me sukses përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm, përfshi fuqizimin e mëtejshëm të të rinjve, familjes, grave dhe pakicave[11]. Duke i kanalizuar këto përpjekje drejt rrjeteve fetare, kulturore dhe arsimore, Strategjia do të sigurojë përfshirjen e shoqërisë civile, si një e tërë, në miratimin e një qasjeje të përshtatur dhe proaktive për trajtimin e kësaj dukurie.

Konkluzione dhe rekomandime

  1. Duhet të rritet lufta kundër intolerancës dhe diskriminimit, dhe të nxitet respekti i përbashkët,në kuadër të bashkekzistencës, marrëdhënieve harmonike mes grupeve etnike, fetare, gjuhësore etj, në mënyrë të veçantë në rritjen e ndërgjegjësimit publik tek të rinjtë, nëpërmjet përcjelljes së mesazheve të paqes, tolerancës përmes edukimit, bashkëjetesës fetare etj.
  2. Përdorimi i dhunës, dhe keqtrajtimi i qytetarëve nga organet ligjzbatuese provokon ndjenja hakmarrje ndaj tyre dhe lehtëson mundësinë e mbështetjes së grupeve të ekstremizmit të dhunshëm. Prandaj është e nevojshme që personeli i këtyre agjencive të marrë trajnimin e nevojshëm për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe parandalimin e situatave të tilla.
  3. “Luftëtarët e huaj” të kthyer në Shqipëri jetojnë në kushte të përjashtimit apo vetë-përjashtimit social, prandaj duhet të merren masat e nevojshme për riintegrimin social të të kthyerve dhe familjeve të tyre.
  4. Është domosdoshmëri krijimi dhe zbatimi i të gjitha instrumenteve të nevojshëm, në aspektin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare, për të mundësuar zbatimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm si dhe Planit të Veprimit të qeverisë shqiptare.
  5. Individë apo grupe personash, të cilët shfaqen më të rrezikuar për t’u përfshirë në veprimtari të ekstremizmit të dhunshëm, janë ato persona që banojnë në zona të “harruara” nga vëmendja e qeverisë dhe pa mundësi efektive për të ndikuar apo reformuar vendimmarrjen në komunitetin e tyre, prandaj duhen hartuar dhe zbatuar politika sociale në zonat që ndeshen me probleme ekonomike, ku të përfshihen formimi profesional dhe nxitja e punësimit nëpërmjet programeve aktive të përmirësuara të tregut të punës, aksesi në shërbime etj, sidomos i atyre grupeve të disavantazhuar, me qëllim sigurimin e barazisë në dinjitetin dhe të drejtat e tyre.
  6. Në zonat rurale të prekura më së shumti nga fenomeni i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe në zonat të cilat kanë probleme të theksuara sociale dhe ekonomike, duhen të zgjerohen shërbimet e punësimit dhe formimit profesional
  7. Duhet të ndërmerren nisma të përbashkëta me institucione të pavarura (Avokati Popullit, Komisioneri kundër Diskriminimit, etj.) dhe me aktorë jo-shtetërorë për parandalimin e fenomenit, reagimin në kohë ndaj tij, trajtimin e paragjykimeve me baza fetare jo vetëm tek qytetarët por edhe tek përfaqësues të administratës dhe institucioneve shtetërore.

———————

Bibliografia

-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.07.2016. https://www.parlament.al/kuvendi/kushtetuta/

-Republika e Shqipërisë. (2014). Strategjia e Sigurisë Kombëtare. Marrë nga adresa: http://www.mod.gov.al/images/PDF/strategjia_sigurise_kombetare_republikes_ se_shqiperise.pdf/

Instituti Shqiptar për Studime Ligjore dhe Territoriale (A.L.T.R.I) (2017) “Vlerësimi i faktorëve nxitës si dhe rekomandime për adresimin e fenomenit të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë” pare në http://www.altri.al/w-content/uploads/2014/03/Vleresim-Media-sociale-te-rinjte-dhe-rritje-e-ndergjegjesimit-ndaj-fenomeneve-te-radikalizimit-dhe-ekstremizimit-te-dhunshemRadikalizmi-Konsultim-Publik.pdf

-Fëmijët dhe ekstremizmi i dhunshëm (2017) “Standardet dhe përgjigjet ndërkombëtare nga sistemet e drejtësisë penale”parë në https://www.penalreform.org/wp-content/uploads/2017/03/Briefing-Key-Points-Albanian.

-Ligji Nr. 98/2014,  Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”,

Burimi:http://www.parlament.al/web/pub/ligj_nr_98_dt_31_7_2014_18584_1.pdf.i,Fletore Zyrtare,130-139

-OKB (2015). ”Plani i Veprimit për Parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm” pare në: http://www.un.org/en/index.html

-Raport Vjetor (2014 ) Komisionerit Për Mbrojtjen Nga Diskriminimi pare në: http://samesites.org/www/kmd.al

– Vendimit i Këshillit të Ministrave, nr. 930, datë 18.11.2015 “Për miratimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe planit të veprimit”. pare në: http://kryeministria.azurewebsites.net/newsroom/projektligje-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave.

-Gazeta “Mapo” datë 17 mars 2014 parë në http://mapo.al/2014/03/17/kreu-myslimaneve-projekti-per-te-vene-nenkontroll-xhamite-ilegale 

—————–

[1] Në një intervistë në media kreu i KMSH-së (Skënder Bruçaj) sugjeroi se me zgjedhjen e tij si kryetar, (mars 2014) KMSH ka ngritur një grup pune për të identifikuar të gjitha xhamitë e paligjshme. Burimi: Gazeta “Mapo” datë 17 mars 2014 http://mapo.al/2014/03/17/kreu-myslimaneve-projekti-per-te-vene-nenkontroll-xhamite-ilegale/

[2] Fëmijët dhe ekstremizmi i dhunshëm: Standardet dhe përgjigjet ndërkombëtare nga sistemet e drejtësisë penale(2017) parë në https://www.penalreform.org/wp-content/uploads/2017/03/Briefing-Key-Points-Albanian.pdf

[3] Kombet e Bashkuara kanë miratuar më datë 24 dhjetor 2015 “Planin e Veprimit për Parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm” i cili është një thirrje për veprim të përbashkët nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Ai ofron më shumë se 70 rekomandime për shtetet anëtare dhe sistemin e Kombeve të Bashkuara, për të parandaluar, përhapjen e mëtejshme të ekstremizmit të dhunshëm.

[4] Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Neni,3 dhe Neni 10, përcaktojnë se: “bashkëjetesa dhe harmonia fetare respektohen dhe garantohen me ligj”.

[5] Kontigjenti i personave që largohen nga vendet e Europës drejt atyre të Lindjes së Mesme

[6] Vlerësimi i faktorëve nxitës si dhe rekomandime për adresimin e fenomenit të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë, pare në http://wëwëw.altri.al/w-content/uploads/2014/03/Vleresim-Media-sociale-te-rinjte-dhe-rritje-e-ndergjegjesimit-ndaj-fenomeneve-te-radikalizimit-dhe-ekstremizimit-te-dhunshemRadikalizmi-Konsultim-Publik.pdf

[7] Ligji Nr. 98/2014, datë 31.07.2014, amendon Ligjin Nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” (ndryshuar). Burimi: http://www.parlament.al/ web/pub/ligj_nr_98_dt_31_7_2014_18584_1.pdf.i

[8] Neni 232/b i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste* (Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 19) Kanosja serioze për kryerjen e veprave për qëllime terroriste, që i bëhet një autoriteti publik, edhe të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

[9] Republika e Shqipërisë, Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Tiranë, qershor 2014 parë në http://www.mod.gov.al/index.php/politikat-e-sigurise-2/dokumente-strategjike/54-strategjia-kombetare-e-sigurise

[10] Raport Vjetor 2014 i Komisionerit Për Mbrojtjen Nga Diskriminimi, Fq 48.

[11] Vendimit i Këshillit të Ministrave, nr. 930, datë 18.11.2015 “Për miratimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe planit të veprimit”.

———————

*Doktore e Shkencave Juridike, Universiteti Europian i Tiranës

Advertisements