Arkitektura e ndërtimeve të reja të objekteve të kultit

Nga Ilir Aliaj *

Sa herë flitet për religjionin apo besimin fetar, në pamje të parë, tema duket e lehtë për t’u trajtuar, sidomos kur kjo ka të bëjë me Shqipërinë, por në fakt një temë e tillë është e ndërlikuar. Kjo sigurisht bazuar në kompleksitetin e temës, por natyrisht edhe në ndjeshmërinë që ajo ngjall te ndjenjat e njerëzve.

Në Shqipëri, për disa vite, lidhur me religjionin, besimin fetar, është folur pak ose aspak, por kohët e fundit ka një prirje në rritje për të folur më hapur dhe pa komplekse. Në këtë kuadër besoj se edhe projekti i Institutit të Medias, përbën një ndihmesë të çmuar, pasi janë dëgjuar të gjitha palët e interesuara dhe shkëmbimi i ideve ka qenë i dobishëm.

Edhe pse, siç e thashë më sipër, kohët e fundit ka pasur një debat më të gjallë ku janë përfshirë edhe vetë komunitetet fetare, shumë pak është trajtuar një temë që në vështrimin tim është shumë e mprehtë: ajo e arkitekturës së objekteve të kultit që janë ndërtuar dhe do të vazhdojnë të ndërtohen pas viteve ’90 në Shqipëri.

Për arsye të ditura tashmë, pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, nuk janë ndërtuar objekte të reja kulti për asnjërin nga besimet fetare. Rindërtimi apo ndërtimi i objekteve të reja të kultit filloi menjëherë pasi viteve ’90. Kryesisht këto rindërtime dhe ndërtime të reja janë financuar nga donacione të ardhura nga vende të ndryshme, dhe në shumë pak raste nga ndonjë burim i brendshëm financimi apo dhe nga shqiptarë me banim jashtë apo ndonjë biznes. Për arsye të historisë sonë, por besoj edhe për arsyen se si shqiptarët i qasen besimit fetar, arkitektura e objekteve të kultit të tre besimeve fetare ka qenë e përshtatur me traditën tonë. Nuk dua të them që ato kanë arkitekturë shqiptare, një pretendim i tillë do të ishte i tepërt, por që të tre komunitetet kanë marrë dhe kanë përshtatur me traditën tonë dhe mënyrën tonë të urbanizimit ndërtimin e objekteve të kultit. Kështu myslimanët kanë përshtatur dhe kanë ruajtur traditën. Është e qartë që kur them traditën, nuk duhet të kuptohet mirëfilli shqiptare, por atë traditë që ka ardhur në shekuj që nga koha kur shqiptarët përqafuan islamin si besim dhe që ka lidhje të ngushtë me traditën osmane të arkitekturës së objekteve të kultit. Kjo, e gërshetuar me pak elementë shqiptarë, është bërë pjesë e traditës shqiptare në ndërtimin e objekteve të kultit të besimit islam.

Mirëpo, me lejimin e besimit në Shqipëri, pas viteve ’90 depërtuan shumë organizata dhe shumë financues të objekteve të kultit. Kjo e shoqëruar edhe me një kontroll shumë të dobët të territorit, madje në disa raste, të shtyrë edhe nga stepja për të mos u përfshirë në punët e religjioneve, besimeve fetare, shumë punonjës të administratës kanë bërë kompromise. Këto kompromise kanë lejuar ndërtimin e objekteve të kultit të besimit islam që nuk i shkojnë aspak përshtat asaj tradite, siç e shpjeguam edhe më lart ku xhamitë janë me arkitekturë osmane. Si shembull mund të përmendet xhamia e madhe e ndërtuar në qytetin e Fierit, apo edhe ndonjë tjetër në periferi të Tiranës, që kanë një arkitekturë krejt tjetër nga ajo që ne kemi trashëguar. Ajo vjen nga një traditë krejt tjetër, e asaj vahabiste të ardhur nga Arabia Saudite. Sigurisht, që Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka mundësitë financiare për të ndërtuar objekte kulti dhe aq më shumë kaq të mëdha si në rastin e Fierit, por a duhet që medoemos ai të pranojë ndryshimin e traditës shekullore në arkitekturën e ndërtimit të xhamive? Donacioni për ndërtimin e objekteve të kultit nuk duhet të shoqërohet edhe me detyrimin për arkitekturën ndryshe të tyre. A duhet që institucionet miratuese të lejeve të ndërtimit të ndërhyjnë në këtë drejtim, pra në moslejimin e ndryshimit të traditës së ndërtimit të këtyre objekteve të kultit? Këto janë pyetje që shtrohen dhe duhet të marrin përgjigje, pasi janë të një rëndësie shumë të madhe, sidomos në këto momente. Për fat të mirë ndërtimi i Xhamisë së Namasgjasë në Tiranë është vazhdimësi e arkitekturës osmane pasi e ka marrë financimin nga Turqia.

Ndryshime nga pikëpamja e arkitekturës hasen edhe në ndërtimet dhe rindërtimet e kishave ortodokse, shembull është ajo e Korçës, që i përket stilit grek të ndërtimit. Është e vërtetë që stili i arkitekturës së objekteve të kultit ortodoks e ka bazën tek ai bizantin, ku bëjnë pjesë dhe kishat e ndërtuara në Shqipëri deri para Luftës së Dytë Botërore, por duhet thënë se këto ndërtime deri në vitet e ndryshimeve të sistemit kanë ruajtur një tipar që mund të thuhet se ishte kthyer në traditë shqiptare të ndërtimit. Sigurisht, duhet pranuar se Greqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në ringjalljen e kishës ortodokse shqiptare, por kjo nuk do të thotë që Kisha Ortodokse Autoqefale të pranojë ndryshimin e arkitekturës, tashmë të kthyer në traditë te ne.

Përsa i përket kishës katolike, ndërtimet që janë bërë pas viteve ’90 kanë qenë në të njëjtën linjë me atë arkitekturë që janë ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore.

Për shumëkënd, ndoshta arkitektura e objekteve të kultit nuk përbën një element thelbësor, e rëndësishme është ndërtimi i tyre dhe ringjallja e besimit. Megjithatë, komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri, është mirë të ruajnë të paprekur atë që ishte kthyer në një traditë që i lejon besimtarët jo vetëm të kryejnë ritet e tyre, por t’i shikojnë objektet e kultit edhe si pjesë të trashëgimisë.

———————-

*Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve

Advertisements