Islami shqiptar është në shtëpinë e vet, në Evropë

Nga Besnik Mustafaj*

Më ka ndodhur shpesh që nëpër tryeza të rastësishme, me miq apo njerëz që i njoh më pak, të më drejtohet pyetja: Fakti që ne, shqiptarët, jemi në shumicë të besimit mysliman, a është pengesë për integrimin tonë në Bashkimin Evropian? Kjo pyetje më drejtohet pikërisht mua duke patur parasysh përvojën time të gjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kam vënë re se kjo pyetje vjen pa dallim nga njerëz të besimit mysliman, të besimit të krishterë apo edhe pa besim fare, domethënë ateistë. Pavarësisht përgjigjes time, është një pyetje që zakonisht çel në tryezë një debat, i cili rrallë ose kurrë mbyllet me një mendje të përbashkët. Kjo pyetje, megjithatë, nuk shoh të shtrohet ndonjëherë në publik, qoftë si pjesë e debatit politik e qoftë si preokupim serioz i debatit të shoqërisë civile. Pse shmanget? Faktorët që ndikojnë, madje edhe përcaktojnë vetëdijen e opinionit publik ose nuk janë në dijeni që një pyetje e tillë gumëzhin “atje poshtë”, ose e shohin atë si një tabu dhe ecin me shpresën se do të shuhet në heshtje, si një shqetësim i kotë, me kalimin e kohës. Cilido qoftë nga këto dy shpjegime, mua më duket se mishëron një qëndrim të gabuar.

Po cili do të ishte qëndrimi i drejtë?

Së pari duhet thënë se një pyetje e tillë shtrohet më së shumti nga njerëz të sinqertë, të cilët e dëshirojnë me mendje dhe me zemër integrimin evropian të vendit dhe përpiqen të kuptojnë të gjitha arsyet e ngadalësisë së procesit, për t’i ndarë pastaj këto arsye në të kapërcyeshme dhe të pakapërcyeshme. Por ka edhe të tjerë, keqdashës, – unë kam takuar nga ata, – të cilët nuk e duan integrimin evropian të vendit. Faktin e shumicës myslimane të shqiptarëve ata e nxjerrin me ligësi si argument për të nxitur në mjediset e tyre shoqërore ndjenjat antievropiane. Zakonisht, për të mbështetur pikëpamjen se Bashkimi Evropian është në thelb antimysliman, sillet më së shpeshti shembulli i Turqisë, e cila i ka çelur negociatat me BE-në për integrimin qysh në vitin 1964 dhe ende është shumë larg për t’i përmbyllur me sukses.

Një nga detyrat e kërkuara me zë të lartë, në vazhdimësi dhe me përparësi nga Komisioni dhe nga Parlamenti Evropian posaçërisht për klasën politike shqiptare, por edhe për atë pjesë të shoqërisë civile që mbështet procesin e integrimit, thekson nevojën jetike për informimin e opinionit tonë publik lidhur me natyrën dhe me funksionimin e Bashkimit Evropian. Pra, kërkohet një proces i vërtetë, i strukturuar dhe në vazhdimësi informimi dhe edukimi të publikut, proces ky që synon ndërgjegjësimin e qytetarëve të ardhshëm të Bashkimit për çfarë i pret si gjatë rrugës edhe më pas. Ky proces informimi dhe edukimi nuk është bërë dhe vazhdon të mos bëhet, duke u lënë hapësirë të lirë deri edhe paranojave si kjo, lidhur me refuzimin e myslimanëve në familjen evropiane thjesht pse janë myslimanë.

Sikur ky informim të ishte bërë, qoftë edhe përciptazi, shqiptarët do ta dinin pse para pak vitesh u hodh poshtë me referendum i vetmi projekt kushtetute për Bashkimin Evropian i hartuar deri tani: Në preambulën e këtij dokumenti themeltar ishte shkruar se rrënjët e Bashkimit Evropian janë judeo – kristiane. Opinioni publik evropian nuk mund ta pranonte këtë sanksionim për sa kohë realiteti nuk është i tillë. Disa nga vendet më të fuqishme evropiane, duke filluar nga Franca dhe Gjermania, kanë në përbërjen e vet qytetarë të besimit mysliman disa herë më shumë nga ç’ka Shqipëria. Po ashtu, sikur ky informim të ishte bërë, shqiptarët do ta dinin me saktësi se vonesa dhe ngadalësitë e procesit të përafrimit të Turqisë me Bashkimin Evropian në thelb nuk kanë lidhje me përkatësinë myslimane të turqve, por me cilësinë e demokracisë që zbatohet në atë vend.

Një paranojë e tillë përmban një dëm të shumëfishtë për ne. Së pari, ajo deformon në themel perceptimin që duhet të kenë shqiptarët për vlerat, mbi të cilat është i ndërtuar Bashkimi Evropian, vlera këto që duhet të bëhen qysh në këtë periudhë përafrimi pjesë e qenësishme e kulturës politike dhe morale të shoqërisë shqiptare. Përndryshe, kultura politike si edhe ajo morale e shqiptarëve të zakonshëm rrezikojnë të marrin infeksione, të cilat do të jetë shumë e vështirë të shërohen më vonë. Më tej, nëse kjo paranojë thellohet, ka rrezik të cenohet vetë kohezioni i shoqërisë shqiptare, e cila është prej shumë shekujsh, siç dihet, një shoqëri multikonfesionale.

Myslimanët shqiptarë e njohin veten sot, njohin edhe historinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili qysh prej themelimit të vet para afro një shekulli e në vazhdim ka ushqyer me energji të pashtershme aspiratën evropiane të anëtarësive të veta. Megjithatë, të gjendur në rrethanat hipotetike të një “fajësie”, për të cilën nuk janë përgjegjës me veprimet e veta, shumë prej tyre, me të drejtë, do të frustroheshin dhe kompleksoheshin përpara pjesës tjetër të kombit. Me dashje ose pa dashje, një çoroditje e tillë do t’i bënte njerëzit lehtësisht të prekshëm nga fanatikët antievropianë për t’i shtyrë drejt ekstremizmit antiperëndimor, përfshirë këtu edhe ekstremizmin e dhunshëm.

Një rrethanë e tillë hipotetike do të kishte po ashtu pasoja të rënda mbi vështrimin që hedhin të krishterët mbi bashkatdhetarët e tyre myslimanë. Do pohuar pa ndrojtje se edhe midis të krishterëve shqiptarë ka elementë ekstremistë. Sado që deri tani nuk shoh që ata të shfaqen si predikues të dhunës, aktivizmi i tyre qoftë edhe i butë do të ishte i mjaftueshëm për ta helmuar atmosferën e marrëdhënieve tradicionale ndërkonfesionale në vendit tonë. Dhe më të eksituarit në një rrethanë të tillë hipotetike do të ishin pa dyshim ateistët, të cilët, për arsye të njohura historike tashmë, përbëjnë një masë shumë të madhe në shoqërinë tonë.

Nëpër rrjetet sociale shfaqen shpesh thirrje për të ndërmarrë konvertimin e myslimanëve shqiptarë në të krishterë. Këto thirrje përshkohen përgjithësisht nga një frymë fyese dhe denigruese ndaj Islamit, duke e paraqitur atë si një fe të prapambetur, të papajtueshme me qytetërimin perëndimor, një mbeturinë e pushtimit të gjatë osman e, rrjedhimisht, mish i huaj për kulturën shpirtërore të shqiptarit. Sipas tyre, Islami është një pengesë e pakapërcyeshme për integrimin evropian të Shqipërisë. Pasojnë valë internautësh, të cilët i dalin në mbrojtje Islamit dhe që e pohojnë identitetin e tyre fetar si myslimanë. Unë i lexoj me vëmendje kur më bie rasti. Me gjuhën e tyre mbrojtëse, ata nuk qëndrojnë gjithmonë te polemika me “ideatorët” e konvertimit, por sulmojnë me të njëjtin stil vetë besimin e krishterë. Ndërsa ateistët, – gjithnjë në rrjetet sociale, – me arrogancën që është ves i tyre, i shpallin të dyja fetë njësoj pengesë për evropianizimin e Shqipërisë dhe kërkojnë kthim tek ateizmi, duke bërë me qëllim një amalgamë të rrezikshme midis ateizmit dhe laicitetit. Ky qëndrim i ateistëve ngjan shumë me revanshizmin dhe përbën provokim për besimtarët, duke ushqyer ekstremizmin, përfshirë ekstremizmin e dhunshëm. Predikuesit e ekstremizmit të dhunshëm nuk janë më budallenj dhe as më pasivë se aktivistët e konvertimit të myslimanëve në të krishterë apo ateistët, që nxisin armiqësinë ndaj besimtarëve. Përkundrazi. Madje, predikuesit e ekstremizmit të dhunshëm bëjnë gjithashtu spekulimin e tyre të rrezikshëm, duke i identifikuar si ithtarët e konvertimit ashtu edhe ateistët me “armiqësinë që ka Evropa ndaj myslimanëve”.

Ky është një realitet shumë delikat, i cili ekziston duan apo s’duan politikanët tanë dhe që kërkon vëmendjen e të gjithëve. Politikanët kanë mbetur te ligjërimi mbi harmoninë ndërfetare, ilustruar me fotografitë ceremoniale që ata bëjnë me përfaqësuesit e komuniteteve fetare duke i shtrënguar miqësisht dorën njëri-tjetrit. Pa dyshim që kjo harmoni është ende e vërtetë, mbisunduese. Por jo gjithçka është kaq rozë në mendjen e njerëzve, siç edhe zbulohet në shfryrjen e tyre nëpër rrjetet sociale. Ndaj këtij realiteti veprohet vetëm duke e njohur atë në kompleksitetin e tij, pa tabu, pa frikë. Shoqëria jonë është ende në kohë për ta parandaluar të keqen. A së paku për të mos e ndihmuar atë të përhapet nëpërmjet shpërfilljes. Politikanët tanë dhe institucionet e tjera të shtetit, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, intelektualët individualisht dhe shoqëria civile në mënyrë të organizuar duhet të bëjnë të gjithë detyrën e tyre për informimin dhe edukimin e shoqërisë shqiptare lidhur me të vërtetën e konfirmuar se ky Bashkim Evropian nuk është as në letra dhe as në praktikë një klub i mbyllur të krishterësh. Asnjë besim fetar nuk ka përparësi kur është fjala për integrimin evropian. Islami shqiptar duhet të ndjehet i qetë, në shtëpinë e vet, në Evropë. Vetëm kështu Shqipëria përmbush një nga detyrimet e veta madhore për t’u bërë e denjë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku do të përfshihet edhe kontributi i saj për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm.


*Forumi Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve

Advertisements