Është moderniteti shtrati që pjell ekstremizmin, jo feja

Nga Fitim Zekthi *

Përgjatë tre dekadave të fundit është zhvilluar një debat mjaft i gjerë në lidhje me ekstremizmin fetar, lidhjen e fesë me terrorizmin, rolin e botëkuptimeve të ndryshme qytetërimore në lidhje me terrorizmin etj. Në fokus të debateve ka qenë islami ose myslimanët.

Aktet terroriste të kryera herë pas here nga njerëz të besimit islam kanë bërë që debatet, jo ato akademike, të shtyjnë përpara tezën se islami është një fe që e ka brenda tij farën e dhunës, të luftës apo të terrorizmit. Edhe radikalizmi i atyre që kryejnë akte terroriste apo i atyre që janë kandidatë për të kryer akte të tilla është parë i lidhur vetëm me fenë, me marrjen e mësimeve të caktuara fetare, me ndjekjen e interpretimeve të caktuara të islamit, me ndjekjen e “varianteve” të ndryshme të islamit etj.

Kur ndodhën sulmet në kullat binjake në SHBA, më 11 shtator të vitit 2001, shumë amerikanë vrapuan të blejnë apo gjejnë kopje të Kuranit në mënyrë që të kuptonin arsyet e këtyre sulmeve. Për shumë prej tyre, arsyet e sulmeve gjendeshin në Kuran. Njerëz kudo në televizione dhe në gazeta flisnin për terrorizëm islamik apo për terrorizëm me frymëzim fetar. Tërë diskuri i prodhuar në media mbi sulmet terroriste kishte si ide bazë atë të frymëzimit fetar.

E kundërta ndodhte në botën akademike. Ajo ishte e ndarë, madje pjesa më e madhe e studiuesve, sociologëve, antropologëve etj. ishin të mendimit se aktet terroriste nuk qenë të frymëzuara nga islami. Bernard Heykal i Universitetit të Princetonit thoshte se në tekstet fetare, në Kuran, nuk gjendet arsyeja për dhunë apo për akte terroriste. Autorë të tjerë citonin madje edhe sulmin me gaz në metronë e Tokios, disa vite më herët, nga besimtarë budistë për të treguar se tekstet fetare nuk janë arsyeja, pasi një fe aq paqësore sa budizmi nuk mund të shtynte askënd drejt dhunës. Tekstet budiste nuk flasin në asnjë rresht për dhunë. Ai që do të gjejë një shpjegim fetar për dhunë, mund të bëjë leximin që do dhe e gjen shpjegimin.

Prej shumë e shumë kohësh, në perëndim, mendimi mbizotërues e ka parë fenë si një burim dhune. Kjo gjë ka nisur që në periudhën e revolucionit francez dhe të mendimtarëve iluministë. Një traditë e gjerë antiklerike u prodhua në Evropë dhe sidomos në Francë. Kjo frymë ka vijuar prej gati dy shekujsh. Sot, në traditën e të shikuarit të krishterimit si një fe që prodhon dhunë, si  një fe që e ka të brendësuar reaksionin ndaj progresit, diskuri në perëndim e sheh edhe islamin po në këtë mënyrë.

Olivier Roy, një nga sociologët më të rëndësishëm, sot, në studimin e çështjeve të radikalizmit fetar (mysliman) flet për islamizim të radikalizmit dhe jo për radikalizim të islamit. Sipas Olivier Roy-së, në Francë, Belgjikë apo vende të tjera në perëndim të rinjtë që janë kandidatë apo që kanë kryer akte terroriste si myslimanë nuk është se janë myslimanë që kanë zgjedhur një variant ekstremist të islamit. Ata nuk janë myslimanë që janë radikalizuar, ata janë radikalë që janë bërë myslimanë. Ata janë kryesisht të rinj të konvertuar, të rinj të cilët kulturalisht janë perëndimorë. Ata në përgjithësi, thotë Roy, janë të joshur apo të tërhequr nga estetika e dhunës që ata njohin përmes filmave apo videove. Në këtë sens ata janë më shumë të ngjashëm me studentët që sulmuan me armë në shkollën Columbine në SHBA apo me Anders Breivik në Norvegji. Sigurisht që ka një përmasë fetare e gjitha kjo. Ata duke qenë nihilistë e interpretojnë këtë si premtim për në parajsë. Ky brez myslimanësh ka një thyerje me atë që përfaqësojnë prindërit e tyre. Prindërit nuk i kanë mëkuar ata me kulturën islame. Ata, duke iu bashkuar radikalizmit apo xhihadit, besojnë se janë më të mirë se sa prindërit e tyre. Prindërit i kritikojnë apo dënojnë ata për zgjedhje të tilla. Një vajzë 18-vjeçare nga Skocia shkoi në Siri para pak vitesh për t’u bërë gruaja e një luftëtari të ISIS atje. Ajo shprehej se ishte e mërzitur nga jeta monotone dhe pa kuptim në Skoci dhe se kërkonte një motiv, një kuptim të ri për gjërat. Ajo u konvertua dhe iku në Siri. Janë të shumtë rastet e djemve të rinj që i bashkohen “xhihadit”.

Moderniteti është një terren pjellor për radikalizëm ose për ekstremizëm. Idetë politike radikale të komunizmit, të fashizmit, të një bote të re etj. janë produkte të modernitetit. Por edhe aktet terroriste, si veprime të dhunshme me përmasa të gjera për të përçuar mesazh politik, janë produkt i modernitetit. Një studiues i njohur amerikan, Nathan Glazer, thotë se edhe sjellje radikale të jetës së përditshme si garat e çmendura me makina, ngjitja nëpër maja të thepisura, hedhja nga urat me litar, drogimi sidomos mbidoza, rebelimi ndaj prindërve, revoltat ndaj moralit apo autoritetit etj. janë produkte të modernitetit.

Në kushte të tilla, feja (islami) që dikur nuk shërbente si strehë për radikalizmin tashmë kthehet në strehë të mirë për shumë radikalë. Elementët që e ndihmojnë këtë gjë janë të shumtë. Ato nisin nga injoranca e thellë fetare dhe shkojnë deri te rekrutimet e qëllimshme, nisin nga shoqërimi me elementë radikalë dhe shkojnë tek problemet me integrimin, nisin nga pamundësia për të pasur akses ne burimet publike dhe shkojnë deri te leximet në Google, krejt të pakontrolluara dhe të rrezikshme, të mësimeve mbi fenë.

Organizatat terroriste, si ISIS dikur apo të tjera që mund të jenë nesër, janë të interesuara që ky terren pjellor i modernitetit të vaditet në mënyrë që shkalla e radikalizmit që islamizohet të rritet përherë e më shumë. Mënyra më e mirë për ata është që vendet e Evropës, shoqëritë evropiane t’i shohin myslimanët si njerëz që janë kandidatë potencialë për të qenë terroristë. Mënyra më mirë dhe më dëshiruar e këtyre organizatave apo ideologjive është që islami të shihet si një fe që e ka brenda farën e terrorizmit dhe të dhunës, të shihet si një fe që nuk pranon demokracinë, që nuk pranon vlerat e kulturës perëndimore, që nuk pranon pluralizmin.

Dhe këtu diskuri që prodhohet në media është një ndihmës i madh i këtyre organizatave dhe ideologjive. Ky diskur është oksigjeni për të cilin ka nevojë kjo ideologji në mënyrë që radikalizmi të islamizohet, dhe radhët e atyre që duan t’i bashkohen “xhihadit” të rriten. Menjëherë pas sulmeve ndaj gazetës Charlie Hebdo, njerëz të botës akademike si filozofët Thibault Collin,  Michael Foesel, sociologu Emmanuel Todd etj. shkruan në shtypin kryesor se “Franca, ne, nuk do t’i konsiderojmë kurrë myslimanët një popull që janë kandidatë për terroristë, ne nuk do ta konsiderojmë kurrë islamin një fe që nuk përputhet me demokracinë apo bart farën e radikalizmit. Kjo është ajo që synon ISIS, por ne nuk do t’i hedhim myslimanët në krahët e ISIS-it dhe ideologjisë së tij.” Ndërkohë gazetarë apo politikanë islamofobë i mëshuan edhe më fort tezave të tyre mbi islamin si fe që prodhon radikalizëm. Në SHBA gjendet një veprimtare e njohur e cila e quan islamin një fe terroriste, Pamela Geller. Si ajo ka kudo.  Një studiues i njohur thotë se ajo, dhe analistë apo opinionistë që mendojnë si ajo, janë ana tjetër e mullahëve në brigjet e Eufratit që thonë se “irakenët nuk duhet të hanë peshk nga lumi sepse ai peshk është ushqyer me trupat e irakenëve të vrarë nga ushtarët armiq amerikanë”. Për çdo mullah ekziston një Pamela Geller, thotë studiuesi amerikan.

Shqipëria ka një situatë tjetër e cila gjithsesi nuk e bën atë të paekspozuar ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit fetare. Duke qenë se islami në Shqipëri është shekullor dhe pjesa më e madhe e popullsisë është myslimane është më e  vështirë se sa në Evropë që radikalizmi që gjendet tek të rinjtë të islamizohet, për shkak se islami nuk shihet si një strehë aq e rehatshme për radikalizmin. Megjithatë elementët që e shtyjnë radikalizmin të marrë jetë në Shqipëri janë të pranishëm. Edhe në Shqipëri ka patur raste besimtarësh, kryesisht të rinj, që mendonin se janë më të mirë se sa prindërit, që mendonin se ajo që ata kishin mësuar mbi islamin nëpërmjet burimesh të ndryshme, apo njerëzish me pak dije mbi fenë, apo njerëzish të formuar me interpretime radikale, është e duhura.  Injoranca, mësimet nga Google, ideologjitë që përpiqen të gjejnë tek islami shpjegime për veprimet e dhunshme, si kudo edhe këtu, kanë rrugë për të depërtuar. Gjithashtu aksesi në burimet publike për shumë myslimanë mund të jetë më i kufizuar se sa për disa të tjerë, dhe  kjo jo domosdoshmërisht për faktin se janë myslimanë, por për faktin se në Shqipëri ka padrejtësi. Ky kufizim në akses rrit ndjenjën e diskriminimit. Gjuha islamofobe është e pranishme. Në diskutimet në media zëra të zëshëm por edhe të heshtur mbrojnë qëndrimet se islami në Shqipëri është fe e ardhur, është fe e pushtuesit, është fe që e ka farën e dhunës, është fe që disa probleme me demokracinë dhe qytetërimin perëndimor. Më e theksuar kjo gjuhë është në Kosovë, ku debatet janë më të ndezura.

Duhet thënë se askush, asnjë vend nuk është i mbrojtur nga radikalizmi apo ekstremizmi me ngjyrë fetare, dhe sigurisht as Shqipëria apo Kosova. Është në natyrën e epokës së komunikimit masiv të shkatërrojë dijen, t’i krijojë gjithkujt idenë se ka mundësi të kenë dijen e duhur apo se ka dijen e duhur. Është në natyrën e epokës ku jetojmë që radikalizmi të marrë ngjyrim fetar në mënyrë që të përdoret politikisht, është në natyrën e epokës ku jetojmë që islamofobia apo fetarofobia të jenë të pranishme dhe të shërbejnë pa dashje (ose edhe me dashje) si ushqyes të ekstremizmit fetar, dhe e vetmja mënyrë për të patur paqe sociale dhe për të mos lejuar asnjë ekstremizëm të përkufizojë termat e jetës sonë është ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe i një demokracie funksionale.

Demokracia është ideuar, veç të tjerash, edhe si një rend në të cilin njerëzit debatojnë, por nuk i imponojnë askujt mendimin apo atë që besojnë vetë. Sigurisht nuk bëhet fjalë që mendimi apo besimi i dikujt të bëhet objekt kufizimi apo fyerjeje.


*Pedagog në UET

Advertisements