Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm: Ra ky mort dhe u pamë……?

Nga Ermir Gjinishi *

Kronologjia e akteve terroriste nuk shkon më larg se një vit më parë. Në gusht  2017 ndodhi përsëri, në La Rambla, dhe po e njëjta formë reagimi pasoi. Kronika lajmesh dhe fjalime kortezie. Këmbime telefonatash ngushëlluese, solidariteti e mbështetje politike, si të ishte ndonjë fatkeqësi natyrore, ndonjë uragan që shkul ç’të gjejë përpara në pamundësinë e njerëzimit për ta ndalur. Reagimi ndaj ekstremizmit të dhunshëm apo terrorizmit, po kthehet në rutinë. Ne po rrezikojmë të familjarizohemi me fenomenin. E vetmja frazë që përsëritet ‘copy-paste’, kryesisht nga politikëbërësit, është kthyer në një lloj droge që injekton letargji psikologjike në mendësitë e njerëzve të thjeshtë: “Do të mbrojmë pa ngurrim vlerat tona, qytetërimin tonë”. Kjo është më shumë një shfryrje, deri diku e përligjur, sesa qasje për një zgjidhje.

Por cilat vlera, cilin qytetërim dhe nga kush?  Nuk është aspak etike të merresh me të tilla klishe në raste të tilla, por ndoshta ka ardhur koha të kërkojmë përgjigjet e duhura në vend të eulogjive pikëlluese, predikimeve boshe dhe dobësisë së heshtimit. Është fyes, fatal dhe jo vetëm, ky lloj shungullimi proverbial që ndryn realitetin në pritshmëritë utopike të magjisë së harresës. Harta, kohëzgjatja dhe diagrami e  akteve terroriste, do të mjaftonin për të shuar çdo hezitim në ndërgjegjen e gjithkujt. Sa të sinqertë jemi në këtë përballje?

Asgjë nuk ka më shumë vlerë para jetës, dhe këtu mbyllet çdo polemikë. Shenjtëria e saj është e njëjtë kudo që cenohet. Nuk po kërcënohemi nga ndonjë shtet, qytetërim apo fe. Nuk është armiqësia e ndonjë pjese të globit kundër nesh. Një bandë terroristësh frikamanë vret tinëzisht qytetarë të pafajshëm gjithkund ku mundet. Terrorizmi shkatërron gjithçka atje ku mbin, është kundër të gjithëve. Për të kuptuar vlerën reale të këtij egoizmi etnocentrist midis joshjes virtuale pa premisa, zhytur frikshëm në inflacion njohurish, do të mjaftonte Palmira, Tedmuri, Damasku, qyteti më i vjetër në botë i banuar, Halebi apo Aram Zobah siç përmendet në Testamentin e Vjetër, shkrimet sumere të gjuhës më të vjetër në botë, tempujt asirianë, hitidë, akadianë, sinagogat, kishat kaldeane, aramaike, xhamia Umajade… etj. Terrorizmi nuk ka komb, as fe. Rropatja e disa islamofobëve, ksenofobëve, ekstremistëve radikalë politikë, kryesisht pjesë e së djathtës ekstreme, për ta kyçur terrorizmin në minare, apo për të kriminalizuar një besim të tërë, është ana tjetër e së njëjtës monedhë. Fatkeqësisht, janë serumi i mbetur i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Implikimet e mundshme ndërmjet botës religjioze me atё joreligjioze nё rastet e keqpёrdorimit fetar  mund tё konfliktojnё tё gjitha sferat ku religjioni ushtron ndikimin e tij. Qartёsimi mbi hapёsirat reale tё veprimit religjioz, natyrёn dhe tendencat e tij nё strukturat shoqёrore, ёshtё njё proces vazhdimёsie i reformizmit, pikёsёpari nё mendёsi. Përtej kësaj, qëndrimi teologjik i krishterë dhe islam është kategorikisht kundër këtij etnocentrizmi religjiozo-kulturor, si i vetmi kriter përcaktues, por dhe përjashtues i nënkuptuar njëkohësisht. Ai konsiderohet si shkelës e kërcënim i konceptit transhendent, ku njerëzit nuk shihen si krijesa të barabarta, për shkak të fragmentizimit të pafund në nëngrupe të familjes së përbashkët njerëzore. Duket qartë se autoritetet e institucioneve fetare përfaqësuese të dy besimeve të mëdha, përkatësisht Krishterimit dhe Islamit, janë më të kuptueshme dhe solidare ndaj situatës së krijuar, megjithë trysninë, për t’i vënë përballë njëra-tjetrës. “O Zot, na e jep hirin të qajmë mbi indiferencën tonë, mbi mizorinë, që e shohim nëpër botë dhe e ndiejmë edhe në zemrat tona”. Është ky vetëm një ndër mesazhet e Papa Françeskut, një kambanë alarmi, por edhe një zë i sinqertë që rreket të na zgjojë nga gjumi letargjik i indiferencës.

Mёnyra mё e mirё nё pёrballje me fenomenin ёshtё pёrcaktimi i saktё i sindromave. Nuk është hera e parë që radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm kërkon të gjejë strehë në hapёsirёn fetare. Funksioni i justifikimit dhe përligjjes fetare ka qenë gjithnjë pika kyçe e debateve të tilla. Si formë devijante e praktikave fetare, radikalizmi fetar është një proces që shkon deri në ekstremizëm dhe përfundon në përligjjen e dhunës për arsye fetare. Është mendësi që bazohet kryesisht në interpretime fetare të ekzagjeruar, të keqkuptuara apo të keqinterpretuara. Manipulimi fetar është pjesë e këtij procesi gjithashtu. Me kalimin e kohës kjo mendësi kthehet në formë sjelljeje. Te ne radikalizmi është i lindur, ndërsa ekstremizmi i importuar nga jashtë. Kauza që ka krijuar ekstremizmi në Shqipëri nuk ka të bëjë fare me territorin shqiptar dhe zhvillimet brenda tij. Ajo ka rënë dhe atje ku nisi, në Lindjen e Mesme. Problemet reale që shfaqin sot vendet me konflikte janë me karakter social, ekonomik, politik, të drejtat e minoriteteve, të drejtat e njeriut, barazia para ligjit etj. Ato janë tregues të fanatizmave lokalë e nacionalë, të autoritarizmit politik dhe mungesës së demokracisë. Eliminimi i këtyre fanatizmave në kohën që jetojmë është një prej nevojave më të mëdha, citon Toyenbee te ‘Civilization on Tribal’.

Si fenomen, radikalizmi në Shqipëri është shfaqur që në fillim të viteve 1990-të. Ne nuk trashëguam traditë fetare, për shkak të periudhës komuniste. E filluam me emergjencë gjithçka  nga pikënisja pa treguar kujdesin e mjaftueshëm për modelin që po konfigurohej, por edhe mundësinë reale për ta formësuar atë. Elementët kryesorë predikues të fesë, pra elita e klerit mysliman u shkolluan jashtë kryesisht në Egjipt, Jordani, Libi, Siri, Arabi Saudite, Kuvajt, Katar, Turqi. Duhet të jenë rreth 300 teologë të studiuar jashtë, një pjesë e të cilëve bashkë me njohuritë importuan edhe traditat e atyre vendeve. Hapja e Shqipërisë në fillim të viteve ’90 u shoqërua me një etje për gjithçka që vinte nga jashtë. Shteti krijoi një kornizë ligjore anemike dhe nuk i dha ndonjë mbështetje të mirëfilltë institucioneve fetare. Problemi i financave dhe i vështirësive të mëdha që hasën institucionet fetare për të menaxhuar punën e tyre të përditshme i shtrëngoi t’u drejtoheshin burimeve nga jashtë. Fondacionet e huaja që ofruan këto ndihma nuk u morën vetëm me aktivitete bamirëse, por u investuan edhe në çështje doktrinore, duke ndikuar kështu në doktrinën tradicionale. Tranzicioni shqiptar i tejzgjatur, ndihmoi në praninë e fenomenit. Mungesa e klerikëve, infrastrukturës, legjislacionit, prurjet nga jashtë, financimet e pa kontrolluara, ishin disa nga indikatorët që influencuan në shfaqen e tij.

Pak para viteve 2000 shteti ndërhyri dhe depërtoi disa elementë terroristë të strehuar në Shqipëri. Asokohe nuk kishte asnjë informacion dhe as vëmendje minimale ndaj organizatave si Al Kaeda, e cila pas sulmeve në Kenia dhe Tanzani kishte paralajmëruar publikisht hakmarrje për anëtarët e saj të eliminuar në Shqipëri. Në fillim të vitit 2005 kemi një stad të ri të precedentit. Ligjërimet radikale nëpër kulte morën konotacion politik. Përtej hapësirave religjioze, keqpërdorimi i fesë u instrumentalizua për qëllime politike. Keqpërdorimi nga politika i aktiviteteve dhe ceremonive të ndryshme fetare për të sulmuar apo fajësuar politikisht rivalët partiakë mbi moszgjidhjen e problemeve që shqetësojnë besimtarët, përveç shkeljes së parimit të laicitetit, ushqyen radikalizëm dhe militantizëm partiak në komunitetin e besimtarëve. Tendenca e herëpashershme e iniciativave për një parti fetare myslimane nuk është vetëm një imitacion i huazuar nga jashtë vendit, por dhe  një frymëzim nga fjalori religjioz i pavend që përdor politika si një mënyrë e rivalitetit partiak, një përpjekje që ka të bëjë me imazhin e partive pro dhe kundër feve apo të një komuniteti të caktuar.

Pranvera Arabe i gjeti të gjithë të papërgatitur në Shqipëri, përfshirë edhe vetë krerët e klerit islam në vend. Komuniteti Mysliman është treguar i paaftë në menaxhimin e objekteve të kultit dhe burimeve njerëzore të tij. Për më tepër, dominimi i lëvizjes gyleniste brenda KMSH-së, solli  braktisjen e institucionit nga besimtarët. Mungesa e referencës ndaj institucionit përfaqësues krijoi një vakum të madh, por edhe një mundësi depërtimi të ideve ekstremiste. Si formë reagimi në heshtje, një pjesë e objekteve të kultit mbetën jashtë autoritetit të KMSH-së. Deri para Pranverës Arabe ky fenomen ishte i fjetur brenda grupeve të vogla fetare. Tani kemi kaluar nga radikalizmi në ekstremizëm. Janë kapërcyer të gjitha hallkat e procesit dhe nuk patëm asnjë reagim deri kur çështja u bë publike dhe filluan raportimet për një numër shqiptarësh të vrarë në Siri dhe të përfshirë në radhët e grupeve ekstremiste atje. Kjo tregon se shumë gjëra nuk kanë funksionuar. Fenomeni vazhdon të përhapet në Shqipëri, por problemi përgjithësisht mbetet i lokalizuar ende brenda objekteve të kultit.

Ne nuk kemi bërë asgjë për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit. Institucionet fetare, institucionet shtetërore, shoqëria civile, mediat, janë  treguar indiferente. Në këtë anomali, qasja/zgjidhja nuk mund të jetë vetëm e institucioneve fetare por nё bashkёpunim edhe me shoqërinë civile,  institucionet e sigurisё dhe jo vetёm. Kur themi që kjo është një çështje e lidhur me interpretimet fetare, atëherë identifikojmë burimin e saj. Duhet një ndërhyrje e institucioneve fetare aty ku shfaqen devijimet. Mediat, si çdokund, duhet të trajnojnë gazetarë për çështjet fetare. Kemi nevojë për një debat publik të hapur. Institucionet e sigurisë, në nivel lokal dhe qendror, kanë nevojë për ekspertë, pasi radikalizmi dhe ekstremizmi nuk luftohen me metoda të luftës kundër krimit të organizuar. Aktualisht nuk ekziston asnjë program deradikalizimi, rehabilitimi ose riintegrimi për të kthyerit apo familjet e tyre. Legjislacioni mbi fetë ka nevojë për përmirësime. Nё vendet perёndimore ka mjaftueshmёrisht pёrvoja tё suksesshme pёr t’u marrё nё konsideratё, gjithmonё duke ju referuar treguesve e karakteristikave historike tё modelit shqiptar ndёrfetar. Janë disa çështje që kërkojnë ridimensionim në legjislacion. Ndërtimi i objekteve të reja fetare, për vetë rëndësinë e tyre në hapësirën publike, duhet vlerësuar si pjesë arkitekturore e trashëgimisë kulturore të vendit, shoqëruar me përmirësimin e procedurave të lejeve për ndërtimin e tyre. Nisur nga impakti dhe roli i klerit predikues, përveç arsimit teologjik, një arsimim i nivelit bachelor apo master në shkencat sociale apo humane, do të ishte mëse i domosdoshëm në kohët e sotme. Kjo është një përvojë e njohur në të gjitha shtetet perëndimore. Komunitetet fetare nuk mund të kenë një vazhdimësi normale pa u zgjidhur financimi i nevojave të tyre. Kjo do t’u garantonte pavarësi funksionale. Auditi financiar është një tjetër aspekt për t’u marrë në konsideratë, jo vetëm në funksion të transparencës, por edhe të burimeve të tij. Kjo vlen sidomos për fondacionet dhe shoqatat bamirëse të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre edhe aspekte fetare. Nëse ecim me të njëjtën amulli si deri tani, me siguri shpejt do të ngushëllojmë indiferencën e njëri-tjetrit, si në “Ra ky mort dhe u pamë”.

——————

*Pedagog në UET

 

 

 

 

 

Advertisements