Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi fetar: Shqipëria dhe Rajoni përballë një sfide të re sigurie

Nga Enri Hide*

Ballkani Perëndimor ka pasur një histori të gjatë e të ndërlikuar raportesh ndërfetare dhe etnike, shpeshherë jo paqësore. Në këtë rajon ndërthuren ideologjia ateiste komuniste me tranzicionin e gjatë të Pasluftës së Ftohtë, me konfliktet etnike në disa pjesë të tij dhe me embrionet e para të demokracisë, të vijuara me procesin gradual të integrimit në Bashkimin Evropian.

Vitet e fundit në këtë rajon janë shfaqur premisat e përdorimit të fesë për interesa gjeopolitike. Gjatë viteve 2000, vendet e Ballkanit kanë ridimensionuar strategjitë kombëtare të sigurisë, duke e bërë ekstremizmin e dhunshëm një ndër prioritetet kryesore strategjike dhe të sigurisë. Megjithatë, impakti gjeopolitik i ekstremizmit të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor nuk mund të shihet i izoluar nga fenomenet e tjera që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin demokratik të tij. Ballkani është shndërruar përgjatë thuajse dy dekadave të fundit në një terren të favorshëm për depërtimin e ideve radikale dhe ekstremiste islamike dhe për eksportimin e terrorizmit islamik në Evropë, ndërsa duhet vërejtur se mbetet një portë e favorshme për hyrjen e eksponentëve radikalë nga Lindja e Mesme. Për më tepër, krimi i organizuar dhe emigracioni i jashtëligjshëm janë dy dimensione shtesë që i shtohen kësaj tabloje duke e plotësuar atë. Këtyre çështjeve u është kushtuar vëmendje e madhe nga agjencitë e sigurisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një trekëndësh kritik gjatë viteve të ardhshme.

Nga ana tjetër, radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk mund të konsiderohen produkt shqiptar. Debatet në Shqipëri kanë qenë më shumë të natyrës teologjike, brenda të njëjtës traditë fetare myslimane shumë të moderuar. Në vendin tonë radikalizmi fetar ka depërtuar që në vitet e para të tranzicionit përmes fondacioneve islamike, ndërsa është përhapur sidomos gjatë dhe pas viteve 2000 përmes diskursit të aktorëve fetarë që përgjithësisht kanë qenë jashtë kontrollit të institucioneve zyrtare fetare.

Për studimin e ekstremizmit fetar janë ndërtuar shumë modele analitike. Për të kuptuar më qartë dhe në mënyrë më skematike arsyet e radikalizmit islamik në Shqipëri mund të përdoret modeli analitik i klasifikimit të shkaqeve në dy nivele: në shkaqe makro-nivelore dhe shkaqe mikro-nivelore.

Kërkimet tregojnë se shumica e shqiptarëve që i janë bashkuar luftës në Siri dhe Irak kanë të përbashkët margjinalizimin dhe izolimin nga pjesa tjetër e shoqërisë. Mohimi i vendosjes së urave të komunikimit me pjesën tjetër të shoqërisë mund të interpretohet në disa mënyra. Së pari, si mungesë e kapaciteteve të komunitetit për të integruar brenda tij nga pikëpamja fetare të gjithë komunitetin mysliman. Së dyti, si problem komunikimi i institucioneve shtetërore, që kanë përgjegjësinë të krijojnë ura mirëkuptimi dhe përçimi të mesazheve të paqes nga shteti. Së treti, si dështim i KMSH-së për të vënë në kontroll të gjitha objektet e kultit. Së katërti, si një problem i vetë komuniteteve për të sinjalizuar në kohë përpjekjet për të krijuar grupe/celula të radikalizuara.

Një tjetër nxitës është humbja e besimit te shteti ligjor për grupe të mëdha të popullsisë. Kjo e diferencon procesin e radikalizimit prej premisave mbi të cilat ai bazohet në Evropën Perëndimore, ku demokracia është e konsoliduar dhe radikalistët orientohen më shumë te krahasimi i demokracisë me një sistem politik që ka në qendër ligjin islam. Procesi i ngadaltë dhe i vështirë i Shqipërisë drejt demokratizimit, dobësitë e shtetit shqiptar për të shpërndarë drejtësi dhe për të imponuar ligjet, niveli i lartë i korrupsionit por sidomos korrupsioni në drejtësi, mungesa e zgjidhjes së çështjes së pronave, niveli i lartë i kriminalitetit, dhe të gjitha problemet e tjera që lidhen me shtetin ligjor, janë përdorur nga ekstremistët për të radikalizuar një segment të vogël të myslimanëve shqiptarë, me argumentin se Islami është zgjidhja. Radikalistët i shfrytëzojnë dobësitë e shtetit dhe të institucioneve shqiptare për të refuzuar ekzistencën e të gjithë sistemit, siç vërtetohet edhe nga rasti më i fundit i imamëve të arrestuar, të cilët kanë refuzuar në sallën e gjyqit sistemin shqiptar të drejtësisë.

Ndonëse përpjekja e radikalistëve për të krijuar një parti politike dhe për të depërtuar brenda sistemit politik standard nuk ka asnjë shans suksesi, një tjetër pikëpyetje që ngrihet në lidhje me dinamikën më afatgjatë të procesit është rritja e interesit të partive politike në fushata elektorale, për vota besimtarësh. Një problematikë e tillë është ngritur gjatë viteve të fundit herë pas here nga partitë më të mëdha politike si akuza ndaj njëri-tjetrit, sa herë vendi ndodhet në prag zgjedhjesh lokale apo edhe qendrore, ndërsa shoqëria civile nuk ka reaguar ende. Kjo mund të krijojë premisat e fillimit të një lëvizjeje politike, duke përvijuar konturet e një partie të re politike.

Një tjetër shkak i radikalizmit fetar lidhet me islamofobinë, një argument i përdorur gjerësisht nga ekstremistët për të indoktrinuar besimtarët. Sipas një studimi të universitetit Berkeley në SHBA, “islamofobia është frika ose paragjykimi i nxitur nga struktura aktuale perëndimore e pushtetit global. Ajo drejtohet kundër një kërcënimi të perceptuar mysliman duke zgjeruar pabarazitë ekzistuese në marrëdhëniet ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore”. Në fakt, në Shqipëri është hasur në disa raste diskriminimi social ose fetar (tentativa për ndërtimin e stereotipeve), jo islamofobia, si fenomen social që përfshin të gjithë opinionin publik.

Mosfunksionimin e institucioneve që kanë ndjekur këtë çështje gjatë 5-7 viteve të fundit, për të marrë masa parandaluese është një tjetër katalizator që e ka përshpejtuar procesin. Radikalizmi është proces që kërkon një periudhë relativisht të gjatë kultivimi për të shfaqur impaktin e tij në sigurinë kombëtare. Kjo rezulton sidomos nga mungesa e reagimit të institucioneve gjatë viteve të shkuara ndaj nxitjes së urrejtjes fetare nëpërmjet predikimeve online, të cilat falë teknologjisë jo vetëm janë shtuar, por e kanë bërë edhe më të vështirë gjurmimin dhe parandalimin e tyre.

Një tjetër katalizator i radikalizmit fetar lidhet me KMSH, përgjegjës për aktivitetin fetar mysliman në vend. Pavarësisht se xhamitë dhe objektet e tjera të kultit ku zhvillohet një pjesë e indoktrinimit ekstremist nuk kanë qenë në varësi të drejtpërdrejtë, KMSH ka qenë pasiv vitet e mëparshme, kur fenomeni ishte ende në etapat fillestare.

Por ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi fetar në Shqipëri ka edhe shkaqe më thella socio-ekonomike. Në fakt studiuesit ndahen në dy grupe të mëdha: në njërin grup radhiten ata që besojnë se rrënjët e thella të radikalizmit islamik lidhen me vështirësitë ekonomike, varfërinë dhe papunësinë, nivelin arsimor dhe kulturor në botën myslimane. Të frymëzuar nga teoria e modernizimit, ata argumentojnë se radikalizmi islamik vjen si reagim politik ndaj thellimit të pabarazisë, vështirësive ekonomike dhe padijes me të cilat përballen myslimanët, për të cilat shkaktare është Perëndimi dhe interesat ekonomike të elitës së botës myslimane.[1] Ndërsa në grupin tjetër janë ata që besojnë se shkaqet nuk janë ekonomike dhe socio-kulturore, pasi kërkimet empirike kanë sugjeruar se një pjesë e konsiderueshme e ekstremistëve dhe terroristëve nuk janë as të varfër as të keqarsimuar, por janë më shumë arsye doktrinore dhe ideologjike.

Në përfundim, mund të themi se për t’u përballur me këtë sfidë sigurie, aktorët institucionalë dhe joshtetërorë (si organizatat e shoqërisë civile dhe mediat) në Shqipëri duhet të ndërthurin faktorët e drejtpërdrejtë (predikimet fetare ekstremiste) me faktorët e tërthortë (varfërinë, papunësinë, izolimin social) që e nxisin këtë fenomen; faktorët sipërfaqësorë (socializimi fetar dhe media sociale) me faktorët precipitues (si kalitja morale nëpërmjet materialeve të dhunshme audiovizualë). Adresimi i disa prej këtyre sfidave, sidomos në komunitetet dhe rajonet ku janë shfaqur këto problematika, mund të kontribuonte në ndërtimin e një kundër-narrative efikase ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar, duke ofruar shanse dhe mundësi në këto rajone për të forcuar rezistencën ndaj predikimeve dhe predikuesve ekstremistë, që manipulojnë fenë për qëllime aspak fetare.

[1] Shih Taspinar O. (2009, Verë). Fighting Radicalism, not ‘Terrorism’: Roots Causes of an International Actor Redefined. SAIS Review, Vol. XIXX, No. 2, ff. 75-76.

——————–

*Prof. Asoc. Dr. Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sigurisë dhe Gjeopolitikës pranë Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, Universiteti Europian i Tiranës

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s